E premte, 26 Korrik, 2024

SHKUPI, NIKOQIR I LIDERËVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR MË 22 JANAR

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të jetë nikoqir i takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Shkup të hënën më 22 janar.

Në takim janë të ftuar, kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, si dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Gjithashtu pjesë e takimit do të jetë edhe Ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien Milatović dhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së KE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Kopman.

Në takim pritet të nënshkruhen edhe protokollet për “qasje të lirë në tregun e punës në vendet e Ballkanit të Hapur”.

Në nëntor, kur u bë publik Raporti për Vendin nga Komisioni Evropian, u publikua gjithashtu edhe Plani i Zgjerimit, i cili parashihte një fond prej 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, me kusht që ato t’i përmbushin disa kritere paraprake.

Këto kritere përfshijnë integrimin në tregun evropian, përparimin dhe zbatimin e qëllimeve të Procesit të Berlinit, si dhe ndërmarjen e reformave në sektorët e ekonomisë, drejtësisë dhe demokracisë, që fokusohen në luftën kundër krimit të organizuar. Politikat e migracionit dhe përmirësimi i kapaciteteve të Prokurimit Publik janë gjithashtu elemente kyçe në këtë kontekst.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin një kusht shtesë, lidhur me normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Edhe nëse ato realizojnë me sukses reformat në sektorët e ekonomisë, drejtësisë dhe demokracisë, mosnormalizimi i raporteve i përjashton ato direkt nga përfitimi i fondeve.

Përveç kësaj, në rastin e Kosovës, përfitimi nga fondet evropiane është i kushtëzuar nga heqja e masave që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj saj si pasoj e tensioneve në Veri.

Të fundit