E shtunë, 27 Korrik, 2024

NDËRRON JETË SHKRIMTARI ADEM GASHI

Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare shkrimtari i njohur kosovar, Adem Gashi, njofton Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar i biri i të ndjerit përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook,

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se varrimi i shkrimtarit bëhet sot në varrezat e fshatit Nekoc të Komunës së Drenasit.

Të Allahut jemi dhe tek Ai do te kthehemi. Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë. Varrimi i Ademit bëhet sot (e Martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc\ Drenas”, ka shkruar ai.

Në vitin 2022 Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i cili ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, iu dha Adem Gashit.

Ndërsa në vitin 2018, Adem Gashi ishte fitues i vendit të dytë në konkursin e poezisë “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus.

Kush ishte Adem Gashi?

Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, Gashi i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare, por është detyruar t’i ndërpresë për shkak të burgosjes, më 1982.

Në vitin 1973, Gashi ishte punësuar si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc, më pastaj, në vitin 1977 ishte punësuar në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Gashi ka punuar edhe në redaksinë e revistës ORA, ku ka publikuar një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare. Ndërsa në vitin 1996, ai emërohet drejtor i Televizionit në Tiranë, për Programin satelitor, deri më 1999.

Më 1999 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, duke e hapur atë për herë të parë në Kosovën e lirë.

Më 1999 zgjidhet nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2001, kur zgjidhet kryetar, tashti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2005.

Më 2001 fiton bursën katër mujore të fondacionit gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” me qëndrim në shtëpinë e nobelistit Bëll, në Langenbroich (Gjermani).

Më 2002 emërohet Këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Më 2006 emërohet Drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Publikim të parë e ka poezinë “Pranvera”, botuar në “Pionieri” (1966)

Të fundit