E premte, 26 Korrik, 2024

MBI REALITETIN E DEGRADUAR SHOQËROR

Mark Twain, në një rast duke folur për humorin thotë: “Çdo gjë njerëzore është patetike. Burimi i sekretit të humorit në vetvete nuk është gëzimi, por pikëllimi. Nuk ka humor në Parajsë”. Ky ndoshta do të mund të ishte njëfarë ngushëllimi për “pikëllimin” aq të veçantë që na e sjellë libri “Akademia e zuzarëve” i poetit Faruk. Tasholli, i cili gjithsesi në zhanrin e poezisë humoristike-satirike që krijohet ndër ne, është një emër i veçantë dhe i spikatur (Faruk Tasholli: “Akademia e zuzarëve”, botoi ShB “Lena” Prishtinë, 2022)…

Shkruan: Kemajl ALIU*

Libri më i ri me poezi humoristiko-satirike i poetit F. Tasholli “Akademia e zuzarëve”, shpërfaqë tablotë e sferave të shoqërisë sonë, pa pardon duke filluar nga ato më elitare (baballarë e pushtetarë) të cilët për pushtet personal, shpenzojnë edhe pikën e fundit të moralit dhe që me veprimet e tyre egoiste e Don kishotiane krijojnë një realitet të degraduar shoqëror. Të gjitha këto gjendje dhe situata të përditshmërisë sonë, autori ka arritur t’i pasqyroj me një konotacion të veçantë, metaforë të fuqishme, ngjyrimet dhe theksime të forta emocionale, që gjithsesi dëshmojnë prirjen dhe talentin e tij krijues në këtë zhanër krijues. Prototipi i liderit në “Akademinë e zuzarëve”, për dallim nga liderët tjerë, është i sofistikuar edhe për nga lidhja e tij “biologjike” me shoqërinë. Prandaj, për dallim nga të tjerët që kanë një lider, në shoqërinë tonë, liderë janë BABALLARËT tanë. Një “Popull fantastik”, me prijatarët baballarë, si shoqëri e bën rrugëtimin e tij të përpjekjes dhe sakrificës, rrugëtim për të cilin poeti thotë;/ Udhëton me mund kombi nëpër histori/, për të vazhduar më tej me vargun: /Shkon një babë i vjetër, vjen një babë i ri/. Nga këtu buron mesazhi poetik, se përpjekjet për arritje të synimeve dhe prosperitetit të cilat si çdo shoqëri i ka shoqëria e jonë, do të dështojnë dhe fatkeqësisht gjithçka do të përfundojë përsëri me baballarët në krye, gjegjësisht vetëm me një riciklim baballarësh, si gjithmonë në periudhat e historisë sonë, pa përjashtim. Prandaj kështu do t’i përshkruajë autori baballarët e kohës së Pavarësisë së Shqipërisë; /Turr Haxhi Qamilat e përmbysin shkabën/ Me sy kah Stambolli, me thirrje “Dum Babën”/ “Baballarët e Kombit”, fq. 17. Por fatkeqësisht as rrugëtimi me baballarët e më vonshëm nuk do të na shpie asgjëkundi tjetër, përpos në Pekin dhe Moskë. Baballarët në trupin e shoqërisë shfaqen si atavizma të së kaluarës feudale, prandaj çdo veprim i tyre është anakronik, anacional dhe si i tillë është absurd i llojit sui generis, e që autori i satirizon në masë të lakmueshme, shpesh edhe duke i parodizuar edhe në forma krijuese poetike të shkrimtarëve të traditës, por me aktualitet dhe përmbajtje motivore gjithnjë të kalendarit tonë kohorë, duke i spikatur me mjetet shprehëse të veçanta, që e individualizojnë atë si poet të satirës së hollë. Një tablo të lirisë sonë (një nga më gjithëpërfshirëset), autori e ka shpërfaqur me poezinë “Politikë për qejfi”, fq.36, ku përmes një gjuhe të rrallë satirike, dhe tek- tuk- me nuanca humori, pasqyron proceset degraduese të një shoqërie, me mungesë hierarkie më elementare të funksionalitetit. Shoqëri ku dija filozofike, ligjshmëria dhe rendi i vlerave, përgjithësisht abrogohen duke u zëvendësuar me anakronizëm, patriarkalizëm dhe bajraktarizëm, gjendje kjo e cila në finale ka epilogun Don Kishotian. /Sa shumë xhamadana u bënë vija-vija/ Në vend të Aristotelit erdh Xhemajl Obria/ Në Prishtinë nga malet seç u ul kanuni/ …/. (Po aty). Politika për qejfi i ka stadet dhe metastazat e saja, prandaj në këtë gjendje krenaria më nuk njeh asnjë kufij dhe në këtë situatë dëliri të plotë ata thërrasin? /Dil ku je fsheh dheut Gjeto Basho Muji!!!/ (fq. 36), në mënyrë që askush mbi këtë dhe të mos jetë si ne, madje qoftë ai edhe nga legjendat. Janë vargje të spikatura ku autori befason me diskursin e tij, sidomos në sferën e kategorisë kohë, ku e tashmja – filozofia e Aristotelit zëvendësohet me anekdota dhe proverba popullore. Është anarki dhe anakronizëm, ku gjithçka shkon nga një sektarizëm epokash e personalitetesh. Të mbetur tash pa Aristotelin e Pitagorën edhe Hipokrati do të ikë nga shekulli i ynë i XXI në një kohë tjetër të lashtë. …Madje të para erës sonë. Kjo ngjallë te lexuesi koshiencën imediate, për të reflektuar cili është rrugëtimi i ynë, në fakt.

Humori i F. Tashollit, karakterizohet me prezantimin e tablove objektive me një gjuhë e cila here-herë merr tone të larta sarkastike, e që për shkak të përmbajtjeve tejet pikëlluese, të bën të qeshësh me një lloj gazi të hidhur- pelin. /Ani me zgatë kryet/me k’qyr n’ paralment/Prej poterës e gazit/I kishin dalë ment/“Huni dhe magari” fq. 26. Këtu poeti paraqet tablo parlamenti ku potera, zhurma, dëshmon nivelin e jo seriozitetin të një instance nga më të lartat, të përfaqësimit popullor ku aq të paralelizuara janë gazi dhe potera, fjala dhe britma, sa që edhe këtë kafshë të mjerë (gomarin) e bëjnë të ndihet keq. Është një kolorit i vargjeve përplot ngjyrime emocionale, me një narracion humori të spikatur për gradacionin e shprehjes artistike në rritje varg pas vargu e që lexuesin e tërheqë në mënyrë magnetike. /Veç me mujtë magari  Njëherë me kapë hunin/kish me i shkoqë do njerëz/që ia kanë marrë trurin/. Fq. 26.

Gjithashtu, pjesë e sistemit shoqëror gjithsesi është gënjeshtra, e lansuar dhe e kultivuar nga elita sunduese /Rren me hov rren pushtetari/rren e rren opozitari/ “Rrena”fq. 21. Gënjeshtrat të cilat nga të parët, (qeveritarë e parlamentarë), erdhën fillimisht si premtime të zgjimit dhe prosperitetit, por koha vërtetoi se ishin ato që politikanët i paskëshin konvertuar në premtime dhe se realiteti tani po i shpërfaqë të rikthyera në gjenezën e tyre të përkatësisë çfarë ishin – rrena tipike.

Gjithashtu, hajninë si segment të shoqërisë së degraduar, autori e paraqet me aksent të fuqishëm humori, ironie dhe sarkazmi, e cila, thënë me fjalë të tjera, është e kultivuar edhe institucionalisht, madje në përmasa dramatike, por që në lidhje me te do të protestohet vetëm nga hajnat. Prandaj në poezinë “Protesta e hajnave” fq.42, poeti thotë: /Na vërtetë vjedhim se s’kemi punë tjetër/ Por me pak ngihemi nuk ia grahim tepër/ (Po, aty).

Proporcionet midis hajnisë së ndëshkueshme me ligj, dhe asaj të kultivuar institucionalisht, dalin në diskrepancë të paimagjinueshme, për çka poeti do të thotë:/…në qeveri vidhet me laps/, prandaj hajnat protestojnë, protestë të cilën shkrimtari e “legjitimon” plotësisht, nëpërmes satirizimit metaforik duke goditur hajninë si dukuri të shëmtuar ku dy pole shoqërore, edhe pse apriori të kundërta për nga gjeneza, do të përfundojnë në një trung të përbashkët, atë të hajnisë: /Rrallë i mbushim xhepat e më rrallë arkat/ Veç një herë në vit na bjen m’i thy bankat /(Po, aty).

Pjesë të rëndësishme në librin “Akademia e zuzarëve” zë edhe çështja e servilizmit ku, për dallim nga sistemi totalitar që kishte për objektiv të saj krijimin e njeriut ideologjik si një fabrikim të njëmendësisë gjithë shoqërore, edhe shoqëria jonë e sotme e kultivon tipin e njeriut të saj, njeriun servil, i cili vetëm si i tillë mund të bëhet i dukshëm në hierarkinë e saj.

Nivelin e degradimit kulmor të shoqërisë poeti do ta shpërfaqë me poezinë e fundit “Grevë” fq.148 ku ndër të tjera thotë: /Në grevë hidhen arsimtarët? Kundër grevë mban qeveria?/. Gjendje kjo ku greva si dhe kundër greva, edhe pse nuk duken të jenë analoge për kah veprimet, aktiviteti i tyre është simbiotik./ Veprimet destruktive , tablotë që na jep poeti në poezitë e mëparshme, sikur kanë një masë dukshmërie, dhe janë të identifikueshme, ndërsa në poezinë “Grevë” (simbol i heshtjes, mosveprimit), në fakt veprimet tani funksionalizohen në proces destruktiv, që është i mbuluar i tëri nga mjegulla: /Si na ra bre gjithë kjo mjegull/ Ku kem kokën e ku këmbët/ Tash të rriturit i hanë mollat/ E fëmijëve u mpihen dhëmbët/. Poezi e bukur satirike, (ndër më të bukurat) që bartë mesazhin për një dukuri negative, aq të rëndë, dhe mjerisht, kryekëput reale.

Krejt në fund, Mark Twain, në një rast duke folur për humorin thotë:“Çdo gjë njerëzore është patetike. Burimi i sekretit të humorit në vetvete nuk është gëzimi, por pikëllimi. Nuk ka humor në Parajsë”. Ky ndoshta do të mund të ishte njëfarë ngushëllimi për “pikëllimin” aq të veçantë që na e sjellë libri “Akademia e zuzarëve” i poetit F. Tasholli, i cili gjithsesi në zhanrin e poezisë humoristike-satirike që krijohet ndër ne, është një emër i veçantë dhe i spikatur.

*Shkrimi është marrë nga revista HEJZA

Faruk Tasholli:

Akademia e zuzarëve

Nga kohët e lashta kur dolën dituritë
Prinë njerëz të mençur bënë akademitë,
Çerdhe ku do ngriteshin me nderë dijetarë
Çerdhe që mbrapshtitë do t’i kthenin mbarë.

Por kush s’e ka prekur as kush s’e ka parë
Një akademi tjetër që prodhon zuzarë,
Zuzarë të lartësuar nga jugu e veriu
Që nga kokë e shkencës deri te bariu!

Ndër politikanë, klerikë, shkencëtarë
Ka po si nuk ka, me bollëk zuzarë.
Zuzarë që ta ndalin diellin në këtë jetë
Zuzarë që rrastë rrenën e bëjnë të vërtetë.

Zuzarë krye shtetit zuzarë parlamenti
Sa herë aty ngjiten poshtë rënkon vendi,
Zuzarë që s’i ndalë laurë as doganë
Zuzarë kokë urithësh që ta bëjnë hatanë.

Mos më thuani tash s’i njohim zuzarët
Që pas çdo beteje n’shesh dalin të parët?
Kur iu zihen pritat kthejnë kokën në bisht
Sa krenarë tërë jetën jetojnë zuzarisht!

O sa shumë na zgjati kjo stinë zuzarie
Ku s’njeh qeni t’zonë dreqi s’i bie n’fije;
Kur udhët e mbara i marrin shqiptarët
Shpatat nga këllëfet i qesin zuzarët!

 

 

 

Të fundit