E shtunë, 27 Korrik, 2024

AQ DI, AQ THEM!

Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut iu nevojitet një renesancë kulturore, një hapje, një shembje e mureve të izolimit që prodhohen vazhdimisht nga politika në kuptimin e aktualitetit, të ngujimit vetëm në dimensionin e politikës ditore. Shoqërisë shqiptare këtu i duhet një ridimensionim gjallnie, një dinamikë kulturore dhe shoqërore që progresin e do përtej parullave politike, përtej mefshtësive utilitare, përtej mobilizimeve të kreshpëruara që prodhojnë antagonizma shterpë dhe thellësisht ideologjikë. Iu nevojitet një lavër tjetër për të mbjellë mbrothësinë e gjallnisë së vetë, idealitetin e progresit që mbi të gjitha kërkon mendje të mbrujtura me dije dhe vizion kuptimplotë.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Nganjëherë mendoj se jam duke e shkruar shkrimin e njëjtë. Më vjen krupë nga vetvetja dhe nga pamundësia për t’u shkëputur dhe për ta vendosur ekspolirimin e tim në hemisfera tjera përtej kallëpeve që vetvetishëm imponohen. Në shumë raste mbetem i shkëputur nga realiteti, nga gjithë ajo suazë dinamikash politike aq normale për një jetë demokratike. Mediat mbeten të mbushura me lajme politike dhe me gjithfarë lajmesh tjera që shënojnë përditshmërinë, por që nuk arrijnë të prekin në vetë esencat e jetës shoqërore, e cila vazhdon të mbetet e palëvruar në gjithë atë dekompozim që shtrihet me një mijë plagë brenda gjallnisë kombëtare.

Të jesh jashtë koordinatave të aktualitetit nuk është ndonjë privilegj, njësoj siç nuk është ndonjë mëkat. Një zë i brendshëm vazhdimisht më thotë se duhet lëvruar mbi shkëmbin e jetës sonë të ngurtë, ashtu siç bënte dikur Konica ynë i madh. Jeta publike padiskutim që ka një çmim dhe një ndër çmimet më të mëdha mbase është pamundësia për të qenë indiferent ndaj ngjarjeve, zhvillimeve dhe gjithë atyre defekteve që shfaqin në secilën stinë të gjallnisë sonë. Njerëzit me të drejtë presin reflektim, presin që ti të shpërfaqësh mendimin, qëndrimin tënd, sepse një njeri që ka marrë një rol në hapësirën publike, qoftë edhe minimal, e ka mbase për detyrë që të flaës dhe të mos “mbetet i shtrirë në krevatin e vetë”.

Pikërisht në këtë sens, ne determinohemi që të interpretojmë, të reflektojmë dhe të shpjegojmë për aq sa dimë. Por, në gjithë këtë ngulmim për të qenë pjesë e aktualitetit në format siç po manifestohet këtu, në format mbase më partizane të mundshme, të flasësh, të shkruash në fakt, mbetet një sfidë më vete. Janë një sërë dilemash që të ngujojnë, që të stepin në atë pasiguri që kërkon diçka tjetër nga realiteti, që nuk ngujohet në frazeologji përditshmërie të kufizuar, por që kërkon me pasuguri tipike për një njeri të letrave një qasje tjetër, një horizont tjetër, përtej prononcimeve të përcipta bjerrakohëse.

Pikërisht, në këtë hapësirë përvujtënie krijuese dhe thellësisht humane lindin edhe keqkuptimet mes urgjencave që vijnë valë-valë si poza politike dhe atij zëri të thellë të përtejmë që kërkon të eksplorojë me të tjera konstanta zhvillimi, me të tjerë etalonë vlerësimesh mbi realitete ekzistuese që për më tepër kërkojnë nge, thellim, analizë, sintetizim dhe artikulim që përputhet me botën që pretendojmë, me atë utopi të përhershme humane, që qenien njerëzore e vendosë në kondita tjera përhershmërie dhe evolute të parrokshme nga “shqisat sipërfaqësore të aktualitetit”.

Sidoqoftë, kjo mbetet një krisje e madhe brenda një shpirti njerëzor që kërkon pafundësisht një shoqëri më të mirë, më të kultivuar dhe në sinkron me vlerat më të mira që kremi brenda nesh.

Ne të gjithë jemi pjesë e aktualitetit dhe shpesh në mënyrë brutale determinohemi pikërisht nga ky realitet që duket i zymtë dhe armiqësor deri në arrati personale. Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj katrahureje që e kemi krijuar vetë dhe që tash kërkojmë me padurim ta ndryshojmë. Një ndjesi dhe një pretendim tërësisht i drejtë, por që shpesh brenda vetes ngërthen zëra jaguash, mefistofellash dhe personazhesh tjerë letrarë që përfaqësojnë hipokrizinë, mashtrimin, kalkulimin në emër të interesit të përgjithshëm. Dhe zakonisht, këta janë më të zëshmit, që për disa oktava ngrenë zërin e moralizimeve. Punë e tyre gjithsesi! Ne mbetemi me vërtetësi të krisur në pasuguritë tona, në atë që përfaqëson zë të brendshëm të pa kompromentuar nga thirrje bjerrakohëse, nga gjykime kuturu dhe nga gjithë ajo masë partizanie ideologjike që kërkon me çdo kusht bashkëngjitjen dhe jo qëndrimin anames.

Pikërisht, në këtë peizazh përplasjesh të skajshme, mobilizimesh për rresht, për uniform, për tëhuajësim të tërësishëm, po përpiqemi të rizgjojmë një ndjeshmëri tjetër, atë logjikë gjithëpërfshirëse që njeh trajektoren e shqiptarëve këtu në Maqedoni e Veriut dhe që synon ta bartë në një hapësirë tjetër afirmimi gjithnjë në suaza të një pluralizmi politik, të matricës së veçantë kulturore dhe të një shoqërie që mban në trup plagë të shumta nga e shkuara. Ky pretendim kërkon koordinata dhe këto koordinata mund të gjenden në punë të përveçme ose grupore, të çliruara nga urgjencat e aktualitetit, nga ciklet zgjedhore dhe nga gjykimet kuturu në botën e pafundme të virtualitetit.

Gjithnjë e më tepër besoj se shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut iu nevojitet një renesancë kulturore, një hapje, një shembje e mureve të izolimit që prodhohen vazhdimisht nga politika në kuptimin e aktualitetit, të ngujimit vetëm në dimensionin e politikës ditore. Shoqërisë shqiptare këtu i duhet një ridimensionim gjallnie, një dinamikë kulturore dhe shoqërore që progresin e do përtej parullave politike, përtej mefshtësive utilitare, përtej mobilizimeve të kreshpëruara që prodhojnë antagonizma shterpë dhe thellësisht ideologjikë. Iu nevojitet një lavër tjetër për të mbjellë mbrothësinë e gjallnisë së vetë, idealitetin e progresit që mbi të gjitha kërkon mendje të mbrujtura me dije dhe vizion kuptimplotë.

Mbase mund të tingëllojë utopike, mbase mund të jetë një stilizim gjithashtu i përkohshëm, por thellësisht besojmë se është koha e fundit e kësaj sipërmarrje kulturore, që shkon përtej formave të tashmë të paralizuara dhe përtej protagonistëve të deritashëm që nuk kanë më se çfarë të ofrojnë përveç monotonisë së ripërsëritjes. Dhe, krejt në fund, po e mbyll me një thënie nga një shkrim i Konicës: “ Aq di, aq them, jeni të lire të bëni sit ë doni”.

 

Të fundit