E premte, 17 Maj, 2024

ZVICRA MIKPRITËSE E SAMITIT TË PAQES PËR UKRAINËN

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyi tha të hënën, me të mbërritur në Zvicër, se përfaqësuesit ukrainas kanë filluar përgatitjet për mbajtjen e një samiti global të paqes në këtë vend, përcjell kdp.m njoftimin e seksionit serb të Radios Evropa e Lirë. Autoritetet zviceranë konfirmuan se kjo bëhet me lutje të presidentit të Ukrainës.

Samiti duhet të marrë parasysh “gjithçka që tashmë është arritur” dhe të përcaktojë se përfundimi i luftës sipas të drejtës ndërkombëtare “duhet të jetë jashtëzakonisht i ndershëm”, tha Zelensky në një konferencë shtypi në Bernë të Zvicrës.

Zelensky foli pas një takimi me presidenten zvicerane Viola Amherd. As Zelensky dhe as Amherd nuk dhanë detaje se kur dhe ku mund të mbahet samiti në Zvicër.

Zvicra ka pranuar të jetë mikpritëse e samitit me lutje të Zelenskyt, njoftoi qeveria zvicerane, duke shtuar se detajet janë duke u përpunuar.

Zelensky tha se në plane do të propozohet që të gjitha vendet që respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës të përfaqësohen në samitin e paqes.

“Do të donim që jugu global të jetë i pranishëm… Është e rëndësishme për ne të tregojmë se e gjithë bota është kundër agresionit të Rusisë dhe se e gjithë bota është për një paqe të drejtë,” – tha ai.

Zelensky ndodhet në Zvicër ku duhet të takohet me liderë të tjerë botërorë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Pritet që ai të takohet me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe me liderë të shteteve dhe kompanive të mëdha për të forcuar mbrojtjen dhe stabilitetin ekonomik të vendit.

“Do të diskutoj gjithashtu kthimin e fëmijëve ukrainas të vjedhur nga Rusia, sanksionet, mënyrat e përdorimit të aseteve të ngrira ruse, çminimin humanitar, ndihmën financiare dhe rimëkëmbjen”, – ka shkruar Zelensky në rrjetin X.

Presidenti ukrainas, po ashtu, do të duhet të takohet zyrtarë të sigurisë nga 81 vende dhe organizata ndërkombëtare që ndodhen në Davos për të diskutuar për “formulën e tij të paqes” prej 10 pikash./REL/

 

Të fundit