E premte, 17 Maj, 2024

POEZIA, PASAPORTA IME PËRTEJ KAKAVIJËS

Nga Ornela Çuçi

U gjenda 13 vjeç e gjysëm në Athinë, në vitin e mbrapshtë 97’. Mbaj mend me detaje gjithë udhëtimin tim të parë në një tjetër vend, në një kohë kur udhëtimi ishte një luks që kishim kaq pak kohë që e shijonim si shtetas ish komunistë. Kuriozitetetit të dritave që ishin aq të shumta kudo, të një bote ndryshe të cilën na I kishin mbushur prindërit plot shpresa, I parapriu një heqje mënjanë në postën policore të Kakavijës, “nga ana e grekut”. Vajzat e moshës sime, I shisnin edhe të afërmit e tyre në këtë vendin tim në atë kohë të mbrapshtë. Gjatë verifikimit se po udhëtoja me prindërit, në një prej zyrave të rajonit kufitar, veshët më buçisnin nga britmat therrëse të dy të rinjve të cilët me sa duket verifikoheshin gjithashtu. Paniku I atij verifikimi me përndoqi në çdo ditë të jetës sime prej emigrant të ligjshëm në Greqi. Asnjë fjalë më tepër, asnjë reagim më shumë, asnjë sjellje e keqe se nisi sërish “operacioni fshesa”….

Poezia u bë shpëtimi im. Poezia dhe kasetat e grupit “Ritfolk”. Poezia fillimisht aq sa kisha me vete nga librat në shqip, e mandej edhe në greqisht. Zbulova një autore që e adhurova për forcën e vargut, aq të thjeshtë. Për forcën e heshtjes midis vargjeve, gjithashtu. Kiki Dhimoula, erdhi tek unë me një libër të falur nga ndihmat e një familje arvanitase qe na u gjend aq shumë, dhe mbeti aty. Gjithmonë në mua, në ditë të mira e të këqija, në emigrim e kur ika prej tij gjithashtu.

Leximi i poezisë së saj ende është si një udhëtim magjik në botën e shpirtit dhe një mënyrë e bukur për të kuptuar thellësinë e jetës. Andaj edhe vendosa ta sjell në shqip modestisht, si një eksperiment me një nga përsiatjet e mia më të vyera në botën e librit.
Në këtë epokë të shpejtë, ku rutina na merr ppupthi e na çon ku ajo do pa mëshirë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi rëndësinë e poezisë në jetën tonë të përditshme. Poezia është një udhëtim magjik që na çon përtej sipërfaqes së dukshme të fjalëve, duke na hapur një dritare drejt thellësive të pashpjegueshme të shpirtit.

E përkthej autoren time të preferuar me shpresën se fëmijët e mi të paktën, ose së shumti edhe studentët që më ndjekin në rrjetet sociale, të rinjtë e sotëm, të mund të kuptojnë se poezia është një pasaportë e fshehtë për të kuptuar vetveten dhe botën rreth nesh. Leximi i poezisë nuk është thjesht një veprim intelektual, por një eksperiencë e thellë emocionale. Nëpërmjet vargjeve, endemi si emigrantë në një botë të veçantë, ku mendimet flasin më lirshëm dhe ndjenjat bien pre e fjalëve të bukura.

Le të inkurajojmë njëri-tjetrin të shijojmë këtë pasuri të pashoqe të shpirtit. Le të ndajmë me njëri-tjetrin poezi që na prekin dhe na bëjnë të ndihemi gjallë. Në këtë fillim epoke të vrapit teknologjik të ndryshimeve, poezia mbetet një konstante e bukur, një shpëtim për shpirtin tonë./javanews.al

Të fundit