E diel, 19 Maj, 2024

KOSOVA PËRKUJTON 25-VJETORIN E MASAKRËS SË REÇAKUT

Në ditën e sotme të vitit 1999, në fshatin Reçak, në komunën e Shtimes, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe vranë 45 persona civil shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, – përcjell kdp.mk raportimin e Kohës Ditore.

Në Akademinë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut, presidentja Vjosa Osmani, është shprehur se kërkimi i drejtësisë është detyrë e shenjtë, e sipas saj, familjet e të masakruarve meritojnë që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

Osmani është shprehur se thirrja për drejtësi është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit, e më 15 janar të 1999-s, “bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit XX”.

“15 janari i vitit 1999 i tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike. Bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit XX. Në masakër ka dëshmitarë të gjallë që përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përpos banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo masakër pati një kryedeshmitarë që ndodhet me ende edhe në këtë përvjetor, ambasadori William Walker. Kjo dëshmi e fuqishme i dha kthesë gjithë përpjekjes tonë për liri kundër gjenocidit të Millosheviqit”, ka thënë ajo.

Sipas presidentes së Kosovës, liria dhe paqja kishin çmim të madh, e vërteta mbi Reçakun “është se më 1999, civilët u vranë mizorisht nga një regjim gjenocidal, nga regjimi i Millosheviqit”.

“Thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Kërkimi i drejtësisë është detyrë e shenjë që kapërcen kufijtë, etnitë dhe përkatësitë etnike. Familjet e të masakruarve meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë”, është shprehur ajo.

Kryeministri Albin Kurti në Akademinë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut ka thënë se populli dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës.

Derisa ka përmendur dëshmitë dhe dëshmitarët e kësaj masakre, Kurti ka thënë se krimet e kryera gjatë luftës nuk vjetrohen asnjëherë.

“Populli dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak e askund tjetër. Krimet e kryera gjatë luftës nuk vjetrohen asnjëherë, siç nuk mund të fshihen nga historia e shtetit të Serbisë që i bëri këto krime dhe nga historia e Kosovës dhe popullit të saj që i përjetoi me aq shumë dhimbje dhe i trashëgoi me kaq shumë humbje dhe vuajtje”, është shprehur Kurti.

Ka kaluar një çerekshekulli që kur ka ndodhur kjo masakër, për të cilën Kurti ka thënë se ndonëse Serbia atëkohë e aktivizoi tërë aparatin shtetëror, nga ushtria te mjekësia ligjore, nga mediat te propaganda shtetërore, “Aleksandar Vuçiq, atëherë nga pozita e ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e presidentit të Serbisë, e ka mohuar vazhdimisht këtë krim të kryer nga shteti i Serbisë”.

“Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga banorët e Reçakut dhe fshatrave tjera të Shtimes që u shpëtuan të gjallë. Ajo u dëshmua edhe nga ushtarët e UÇK-së të zonës operative të Nerodimes që me jetën e tyre i mbrojtën kufomat nga 15 janari kur u vranë deri më 11 shkurt kur i varrosën. Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga misioni verifikues në Kosovë i OSBE-së atë botë dhe nga kryesuesi i këtij misioni, ambasadori Ëilliam Ëalker që atë kohë deklaroi se ajo çfarë kishte parë ai në Reçak ishte krim kundër njerëzimit. Masakra e Reçakut është dëshmuar nga shumë fotografi dhe video nga gazetarë e fotoreporterë vendorë dhe ndërkombëtarë, sikur Alban Bujari, Hazir Reka, Visar Kryeziu, Elide Ramadani, Sylejman Kllokoqi, Shaban Buza, Jefrey Smith, Tom Walker, Paul Watser etj”, ka thënë ai.

Walker: Kosova, një prej demokracive më të suksesshme në Evropë

Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, e ka vlerësuar Kosovën si një prej demokracive më të suksesshme në Evropë.

Në Akademinë Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, Walkeri ka thënë se Kosova konsiderohet një storie suksesi.

“Këtu jeni sot duke jetuar në një Kosovë që është krejtësisht e ndryshme nga Realiteti i Reçakut që ishte para vitit 1998-99. Erdha sot siç kam ardhur për 24 vjetët e kaluara për të parë se çfarë ka mbetur nga ajo kujtesë për të rinjtë, ata që janë nën moshën 25-30 vjeçare. Këta të rinj nuk e kujtojnë fare se si ishte jeta nën diktatin e Milloshevciqt dhe regjimit të Beogradit. Sot Kosova është një storie suksesi, sipas mendimit tim kjo është një prej demokracive më të suksesshme në Evropë, nëse jo në botë. Liria e të folurit, liria e shtypit, liria e fesë, liritë e panumërta që i keni”, ka theksuar ai.

Walkeri shtoi se për të Reçaku paraqet një konvertim prej asaj se si është jetuar në Kosovë para 30 vjetësh dhe si jetohet tani.

“Ky është një vend i ri, veprues dhe vetëm për disa vjet të pavarësisë është shndërruar në një vend demokratik. Ky është Reçaku për mua, tranzicioni prej asaj se si ishte jeta atëherë dhe si është sot në Kosovë”, është shprehur ai.

Hovenier: Askush të mos e mohojë çfarë ka ndodhur në Reçak

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se askush nuk duhet harruar dhe mohuar çfarë ka ndodhur në Reçak.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as të harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.

Hovenier ka thënë se e mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut.

“Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai./koha.net/

 

Të fundit