E shtunë, 27 Korrik, 2024

IZRAELI ARRESTON DY MOTRAT E LIDERIT TË VRARË TË HAMASIT

Ushtarët izraelitë kanë arrestuar dy motrat e Saleh al-Arurit, liderit të Hamasit që këtë muaj u vra në Liban, thanë të dielën burime palestineze dhe ushtria izraelite, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë që i referohet AFP-së.

Vrasja e Arurit, zëvendëskryetarit të Hamasit, në një periferi të Bejrutit më 2 janar i është atribuar gjerësisht sulmit të një droni izraelit, që nxiti frikën se lufta e Izraelit në Gaza mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.

Ushtria izraelite njoftoi më 14 janar, pa dhënë ndonjë hollësi më shumë, se kishte arrestuar dy gra në Bregun e pushtuar Perëndimor “pasi kishin nxitur terrorizmin kundër shtetit të Izraelit”. Awar al-Aruri, kunati i Saleh al-Arurit, tha se dy gratë dhe disa anëtarë të tjerë të familjes u vendosën në “arrest administrative”.
Organizata Klubi i të Burgosurve Palestinezë njoftoi se Dalal al-Aruri (52) dhe Fatima al-Aruri (47) u arrestuan në lokalitete të ndryshme, në afërsi të qytetit të Ramallahut.

Ushtria izraelite akuzoi Arurin se ndihmoi në planifikimin e sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit që Hamasi e ndërmori nga Gaza e që rezultoi me 1.140 të vrarë, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite.

Aruri ishte zëri më i spikatur në Hamas që angazhohej për marrëdhënie të ngushta me Iranin dhe është meritor për ndihmën në ndërtimin e aleancës së “Boshtit të Rezistencës” midis Hamasit, Iranit dhe Hezbollahut, i cili nga Irani merr ndihmë të konsiderueshme në Liban.

Fushata ushtarake izraelite në Gazë që nga fillimi ka lënë të paktën 23.843 të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila drejtohet nga Hamasi, një organizatë kjo të cilën SHBA-ja dhe BE-ja e kanë shpallur terroriste.

Të fundit