E premte, 26 Korrik, 2024

MEXHITI: GJUAJTJA ME ARMË NË SPITALIN E TETOVËS S’KA LIDHJE ME SHËNDETËSINË

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti thotë se incidenti i armatosur në afërsi të spitalit të Tetovës, ditën e djeshme, nuk ka lidhje me sistemin shëndetësor. Ai tha se dy të plagosurit janë në kujdes intensiv, ndërsa njëri është në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Siç edhe e dimë, në Tetovë, dy grupe, për probleme të pazgjidhura mes vete, do të thotë rastësisht kanë qenë në oborr të Spitalit në Tetovë, në urgjencë, me sa di dy…informacione nga drejtori i Spitalit të Tetovës, janë transferuar në Shkup. Njëri në gjendje më të rëndë, tjetri në gjendje më të lehtë, ata janë në KARILL, në repartin për anestezion dhe reanimacion dhe mendoj pjesën tjetër do e zbardh MPB-ja, më pas edhe Prokuroria. Do të thotë nuk ka lidhje me shëndetësinë në këtë rast”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Nga Klinika e Shkupit njoftuan se njëri prej të plagosurve i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kraharor dhe ndodhet në gjendje të rëndë të përgjithshme. Kurse tjetri është në gjendje stabile.

Ndryshe, në incidentin e mbrëmshëm, dy persona u plagosën me armë zjarri, para Spitalit të Tetovës, kryerësit dyshohet se janë pesë persona. Nga SPB Tetovë njoftuan se katër persona janë arrestuar: “Dje në ora 23:10 në Tetovë, zyrtarë policorë të SPB-Tetovë kanë privuar nga liria personat R.T. (35) dhe M.T.(44) nga Tetova, ndërsa më herët edhe 55-vjeçaren Sh. E. dhe personin N.M.(39) nga Tetova për shkak të dyshimit për përfshirje në të shtënat e djeshme (11 janar) me armë zjarri para Qendrës Emergjente të Spitalit Klinik të Tetovës, e cila ka ndodhur rreth orës 18:05, ku lëndime të rënda trupore kanë pësuar dy persona A.M.(41) dhe Z.M.(36) nga fshati Gajre e Tetovës. Po merren masa për gjetjen e një personi tjetër”.

Prokurori publik dhe një ekip nga SPB-Tetovë kanë kryer këqyrje të plotë në vendin e ngjarjes dhe punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit, pas së cilës ndaj personave të përfshirë në këtë rast do të vijojnë kallëzime përkatëse.

Ata theksojnë se këtij rasti i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri.

 

 

Të fundit