E shtunë, 27 Korrik, 2024

NDRYSHIMET KUSHTETUESE, MES OPTIMIZMIT DHE SKEPTICIZMIT

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë edhe ato në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi, në të njëjtin vit, 2024, po bëhen thelb i një debati rreth ndryshimeve për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Analisti politik, Qenan Aliu, është skeptik në lidhje me miratimin e ndryshimeve kushtetuese gjatë vitit 2024. “Më duhet të them se jam skeptik se gjatë vitit 2024 mund të ndodhin ndryshimet, edhe pse gjithçka është e mundshme. Aq më tepër kur këtë vit janë zgjedhjet parlamentare në BE, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe Rusi, dhe shumë ngjarje të tjera në Europë dhe më gjërë, të cilat pa dyshim se e defokusojnë vëmendjen nga shtetet e vogla”, thotë Aliu. Në anën tjetër, ish-diplomati Enver Abdullahu shpreh optimizmin e tij se ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.  “Mendoj se dritat e gjelbërta që marrin shtetet e fqinjësisë lindore të Evropës, para së gjithash Moldova dhe Ukraina, do të ketë një reflektim në politikëbërjen e faktorit në Maqedoninë e Veriut që të arrihet në një konsensus gjithëpartiak mbi eurointegrimet dhe kjo mund të ndodhë para zgjedhjeve parlamentare, sepse afati procedural është megjithatë i mundshëm edhe pas zgjedhjes së qeverisë teknike por edhe para shpërbërjes parlamentare aktuale”, thotë Abullahu.

Shkruan: Enis Shaqiri

Kushti kryesor për vazhdimin e bisedimeve të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, janë ndryshimet kushtetutese që duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Por tani këto ndryshime momentalisht janë lënë “nën hije”, pasi vëmendja është kthyer kah zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidencial të cilat pritet të mbahen në pranverë, gjegjësishtë në datat 24 prill dhe 8 maj.

Për analistin politik Qenan Aliu, viti 2024 do të jetë i vështirë për Maqedoninë e Veriut në sferën e integrimit evropian. Aliu në një prononcim për KDP.MK, thotë se këto ndryshime tani e tutje do të varen nga epilogu i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Ndryshimet kushtetuese, siç tani më dihet, janë kusht pa të cilin nuk mund të ecet para në procesin e integrimit. Më duhet të theksoj se ndryshimet kushtetuese tani do të varen edhe nga epilogu i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Pra, cila do të jetë shumica e re parlamentare dhe gjasat për të siguruar 2/3 e votave në kuvend. Kjo është e para”, thotë Aliu.

Ai shprehet skeptik se ndryshimet e kushtetutës mund të ndodhin gjatë këtij viti, aq më tepër kur këtë vit janë zgjedhjet parlamentare në BE, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe Rusi, dhe shumë ngjarje tjera në Evropë dhe më gjërë, të cilat pa dyshim se e defokusojnë vëmendjen nga shtetet e vogla.

Ndryshe, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur që zgjedhjet e ardhshme evropiane të mbahet më 6 dhe 9 qershor të këtij viti Sipas vendimit, që e ka bërë të ditur Këshilli i BE-së, qytetarët e 27 vendeve anëtare do të zgjedhin 705 deputetë të Parlamentit Evropian, për mandatin nga viti 2024 deri në vitin 2029. Kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen të martën e 5 nëntorit të po këtij viti. Ndërsa në Rusi, Këshilli i Federatës, vendosi që zgjedhjet presidenciale në vend të mbahen më 17 mars 2024.

Analisti Aliu vlerëson se ndryshimet kushtetutese me shumë gjasë mund të ndodhin në fundin e këtij viti apo edhe në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

“Kështu që vlerësoj se ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin në fund të vitit apo në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Pra, deri më tani është realizuar skriningu që në parim nuk nënkupton çeljen e negociatave, por konferenca ndërqeveritare e rradhës nënkupton çeljen e kapitujve. Ndërsa Shqipëria mendoj se do të vazhdojë rrugëtimin, varësisht nga plotësimi i kushteve që ka si shtet”, thotë analisti politik, Qenan Aliu.

Për dallim nga Aliu, ish diplomati Enver Abdullahu beson se ndryshimet kushtetutese mund të ndodhin edhe para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Abdullahu në një prononcim për KDP.MK, thotë se sinjalet që po marrin shtetet lindore të Evropës si Moldavia dhe Ukraina, padyshim se do të reflektojnë edhe në politikëbërjen në Maqedoninë e Veriut, me qëllim siç thotë, të arrihet një konsensus gjithë partiak mbi eurointegrimet.


Mendoj se dritat e gjelbërta që marrin shtetet e fqinjësisë lindore të Evropës, para së gjithash Moldova dhe Ukraina, do të ketë një reflektim në politikëbërjen e faktorit në Maqedoninë Veriore që të arrihet në një konsensus gjithë partiak mbi evrointegrimet dhe kjo mund të ndodhë para zgjedhjeve parlamentare, sepse afati procedural është megjithatë i mundshëm edhe pas zgjedhjes së qeverisë teknike por edhe para shpërbërjes parlamentare aktuale”, thotë Abullahu.

Ahmeti: Koalicion vetëm me partitë që do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në prag të zgjedhjeve parlamentare, në emisionin Top Story, u bëri thirrje partive politike shqiptare që t’i bashkëngjiten frontit europian. Ai poashtu u shpreh se koalicion mund të bëjnë vetëm me parti politike të cilat kanë politika pro perëndimore dhe që do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës.

Koalicion mund të bëjmë vetëm me ato forca që kanë orientim dhe përcaktim, politikën pro perëndimore.

Cilat janë ato për ju?

Të gjitha ato që do të pranojnë ndryshimin e Kushtetutës. Përpjekjen e parë e kemi bërë për Frontin për Europë. Këtij fronti le t’i bashkëngjiten partitë politike shqiptare, ata të cilat kanë vullnet të mirë. Në radhë të parë të japim një porosi për shqiptarët që dimë të bëhemi bashkë në momente të rëndësishme”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.

LEN: Pa heqjen e 20% nuk ka ndryshime kushtetuese

Edhe blloku opozitar shqiptar, të bashkuar si Lidhja Europiane për Ndryshim (LEN), e cila përfshin Lëvizjen Besa, Alternativën dhe Lëvizjen Demokratike, deklarohen si parti pro evropiane. Mirëpo nga ky koalicion, para fillimit të seancës plenare për ndryshimet kushtetuese, muaj më parë, kushtëzuan se nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për shqiptarët në kushtetutë, nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.

Duke lexuar deklaratën e përbashkët, kryetari i Alternativës – Afrim Gashi tha se integrimi evropian është vizioni më i lartë politik, partiak e kombëtar, prej të cilit nuk ka luhatje. Por siç tha: “Kërkesa jonë është e qartë, ndryshimet kushtetuese duhet të votohen bashkë me 20% dhe bashkë me amendamentin për luftë kundër korrupsionit, të tre bashkë me futjen e bullgarëve dhe komuniteteve tjera t’i votojmë sot. Ky është pozicioni jonë”.

Ndërkaq të pyetur për atë nëse Qeveria nuk do e vendos pjesën për 20% a do të votojnë pro ndryshime kushtetuese, kreu i Lëvizjes Besa – Bilall Kasami tha: “I bie se Qeveria nuk do t’i bëjë ndryshimet. Nëse Qeveria nuk e bën i bie se ata nuk duan, nëse Qeveria nuk do të bëjë kështu ndryshime i bie se ata duan të rijnë në Qeveri dhe jo për integrim të vendit”.

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese nuk u bënë për shkak të mungesës së konsensusit të nevojshëm në Kuvend dhe për pasojë Maqedonia e Veriut nuk arriti që në samitin e BE-së në dhjetor të vitit të kaluar të marrë miratimin e Unionit për nisjen e bisedimeve për kapitujt.

Ne nuk arritëm t’i nisim bisedimet për shkak të opozitës, e cila vendosi ta bllokojë shtetin e vet. Ne nuk heqin dorë nga synimet tona dhe ne nuk kemi dështuar. Ne po luftojmë që të mos kemi njëmbëdhjetë vjet të humbura, por vetëm një, pasi kohën e humbur askush nuk do të mund të na e kompensojë”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Mickovski: Ndryshimet kushtetuese nën kushte e rrethana tjera

VMRO DPMNE-ja opozitare në të gjitha paraqitjet në opinion gjatë vitit 2023, ka thënë se fajtor për dështimin evropian është Qeveria, e cila, sipas saj, ka pranuar “marrëveshje të dëmshme me Bullgarinë që cenon identitetin maqedonas”.


Hristijan Mickovski, kryetari i VMRO DPMNE-së dhe kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme, ka thënë se partia e tij “pas fitores në zgjedhje” do të arrijë të sigurojë marrëveshje me të favorshme dhe pa kushte të reja nga Bullgaria, që do t’i hapin rrugën procesit integrues.

Korrupsioni dhe mangësia në sistemin gjyqësor pengojnë zhvillimin e vendit

Përveç ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia e Veriut po përballet edhe me sfida tjera, siç janë korrupsioni dhe gjyqësori i pareformuar që mund të jetë pengesë serioze në rrugën drejt BE-së, ku së fundmi, të mërkurën, edhe ambasadori i Holandës në vend, Dirk Jan Kop është shprehur për Sundimin e Ligjit.

Dirk Jan Kop është takuar me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, nga ku edhe i ka përcjellë mesazhin se pas një rënie të vazhdueshme dyvjeçare të Sundimit të Ligjit, përkushtimi i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE është në rrezik në të gjithë spektrin politik.

Në postimin e ambasadës në Facebook shkruhet gjithashtu se “ndikimi i panevojshëm politik në pozicionin e kryetarit të Gjykatës Supreme, që është çështje gjyqësore, është i papranueshëm dhe do të shkaktojë reagim të fortë nga Holanda”.

Komisioni Evropian (KE) në raportin vjetor 2023 për Maqedoninë e Veriut kishte plot vërejtje serioze lidhur me mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, por edhe kritika për ndryshimet në Kodin Penal që çuan në vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore ku ishin të përfshirë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

Ndërsa më të zëshmit me kritika për korrupsionin e lartë dhe ndërhyrjen e politikës në punën e gjyqësorit ishin diplomatët amerikanë.

 

 

 

Të fundit