E mërkurë, 12 Qershor, 2024

A PO KRIJOHET EDHE NJË SHTET PRO-RUS NË BALLKAN?

Me flamujt e Serbisë e Rusisë dhe fotografitë e presidentit rus Vladimir Putin, udhëheqësit e Republikës Serbe në Bosnjë kremtuan 9 janarin, ditën e këtij entiteti, që është shpallur festë e paligjshme nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe është kundërshtuar nga perëndimi, përcjell KDP.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan të martën se kremtimet janë në kundërshtim me kushtetutën e Bosnjës dhe marrëveshjen e paqes së vitit 1995, dhe si të tilla paraqesin “vepër penale”.

Ambasada amerikane në Sarajeve u kërkoi në një deklaratë autoriteteve ligjore të Bosnjës të “hetojnë çdo shkelje të ligjit” në lidhje me shënimin e 9 janarit si dita e entitetit të Republikës Serbe.

Kremtimet shënojnë 9 janarin e vitit 1992 kur serbët e Bosnjës shpallën krijimin e shtetit të tyre, duke filluar luftën shkatërruese katërvjeçare që la pas vetes mbi 100,000 të vrarë.

Gjatë luftës, serbët e Bosnjës dëbuan dhe vranë boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë, si dhe kroatët nga territoret që ata kontrollonin.

Konflikti mori fund në vjeshtën e vitit 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja e arritur në Dejton çoi në krijimin e entitetit serb dhe atij boshnjako-kroat në Bosnje, që mbahen të lidhura nga institucione të dobëta qendrore.

Serbët e Bosnjës, megjithatë, synojnë të fitojnë sa më shumë pavarësi të jetë e mundur. Udhëheqësi nacionalist pro-rus Milorad Dodik ka bërë thirrje hapur për shkëputje nga Bosnja, duke sfiduar sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë ndaj tij për shkak të qasjes politike.

Të hënën, dy avionë amerikanë fluturuan mbi Bosnjë në një demonstrim të mbështetjes për tërësinë tokësore të vendit ballkanik.

Kremtimet e së martës në qytetin veriperëndimor të Banja Llukës përfshinë një parakalim të forcave të policisë dhe ndezje fishekzjarrësh në qytetet serbe të Bosnjës dhe në Beograd, kryeqytetin e Serbisë fqinje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka uruar Milorad Dodikun me rastin e 9 janarit, duke u zotuar për mbështetje ndaj tërësisë tokësore të Bosnjës, por edhe duke u ankuar për përpjekjet e pretenduara prej tij për ta “zhbërë Republikën Serbe”.

Serbia, tha Vuçiç, do të “rezistojë fuqishëm çdo përpjekje për anulim apo poshtërim të Republikës Serbe”.

Aleksandar Vuçi një ish ultranacionalist që mbështeti agresionin kundër joserbëve në ish Jugosllavi gjatë viteve 1990, tani thotë se është pro evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë, ndërsa Milorad Dodiku mbetet një aleat i ngushtë dhe të dy takohen rregullisht.

Ai dërgoi të birin dhe zyrtarë te lartë të qeverisë së tij në Banja Llukë për të marrë pjesë në kremtime.

Bashkimi Evropian tha të martën se kremtimet me 9 janar janë kundërkushtetuese. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “sovraniteti, tërësia tokësore dhe rendi kushtetues i Bosnjës, duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Serbe”.

Zëdhënësi Stano theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vlera dhe kushte që duhet të respektohen nga të gjitha shtetet e rajonit që duan të integrohen në BE.

“Veprimet, deklaratat, apo gjestet që kanë ndikim negativ në bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, që ndikojnë në thellimin e ndasive nuk ndihmojnë. Bëjmë thirrje, sidomos për Serbinë, që të veprojë me përgjegjësi dhe të mos hedh në dyshim këto parime”, tha ai duke paralajmëruar se ata që kryejnë veprime kundër tërësisë tokësore të Bosnjës do të përballen me pasoja serioze, por pa e saktësuar se për çfarë pasojash bëhet fjalë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu javën e kaluar paralajmëroi se caktimi i 9 janarit si festë kombëtare e Republikës Serbe paraqet një “akt diskriminimi” dhe është kundërkushtetues.

Në një ditë të ftohtë rreth 3,400 oficerë policie, veteranë të kohës së luftës dhe civilë parakaluan përgjatë rrugëve të kryeqytetit de facto të rajonit Banja Llukë, shumë të mbledhur me autobusë nga qytete të tjera.

“Këta njerëz kanë të drejtë të shënojnë Ditën e Republikës së tyre në këtë mënyrë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Milorad Dodiku, duke folur gjatë parakalimit. “Kushdo që përpiqet ta ndalojë atë nuk do të ketë sukses”, tha ai.

Gjatë një ceremonie të hënën, ai përsëriti se qëllimi serb mbetet një “shtet serb në këto hapësira”.

Vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në shkallë të gjerë në Ukrainë, të cilin Moska e nisi gati dy vjet më parë. Milorad Dodiku është një aleat i Kremlinit.

Bosnja synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por përpjekjet kanë ngecur për shkak të reformave të ngadalta dhe ndarjeve të brendshme.

Të fundit