E shtunë, 27 Korrik, 2024

JETON NEZIRAJ: TEATRI I ROBËRUAR – SHOQËRI E ROBËRUAR

Pas luftës, të gjithë donin të ishin artistë të mirë dhe patriotë të mirë, sepse patriotizmi ishte në modë. Borka dinte të thoshte se kjo martesë artistësh dhe patriotësh është kiç i pastër. Kiç ishte edhe kultura të cilën e promovonin ata dhe që e promovojnë shpesh, sepse i kanë merak masat e gjera popullore, thotë krijuesi i teatrit Jeton Neziraj për revistën e pavarur serbe Novi magazin.

Teatri i Novi Sadit/Újvidéki Színház/ priti trupën teatrore nga Prishtina “Qendra Multimedia” me shfaqjen e re “Negociatat e Paqes” të Jeton Nezirajt me regji të bashkëshortes së tij Blerta Neziraj. Ajo që prezantuan aktorët ndërkombëtarë para publikut të Novi Sadit në këtë shfaqje dukej surrealisht e mirë kushedi për të disatën herë, duke treguar me gjuhën teatrore se jetojmë në një botë në të cilën po zhvillohen beteja për “lugina të gjelbra” të ndryshme dhe më pas për to bëhen  negociata të pafundme të paqes. Ndërsa njerëzit përjetojnë tragjedi të përmasave të pamatshme, njësoj si këto muaj në luftën në Lindjen e Mesme apo në luftën e Rusisë dhe Ukrainës, dhe dëshmojmë se Jeton Neziraj edhe një herë iu është rrekur temave të vështira që, për fat të keq, janë aktuale edhe sot.

Kur e dimë se Jeton Neziraj me një grup artistësh të rinj, para njëzet vjetësh  themeloi “Qendrën Multimediale”, një organizatë kjo kulturore me bazë në Prishtinë, e cila fokusohet në teatër dhe letërsi, kryesisht me tema të angazhuara dhe suksesin që korri gjatë jësaj periudhe me shfaqjet e tij, si  dhe në festivalin ndërkombëtar letrar “Polyp” në dekadën e fundit, për të treguar se si bashkëpunimi ndërmjet kulturave është parakusht themelor për shoqëri të shëndosha, atëherë është thelbësore edhe ta pyesim se si e shikon ai sot  situatën në shoqëritë e Ballkanit. Sikurse transmeton kdp.mk, Neziraj në intervistën për revistën  “Novi Magazin” është shprehur se nuk mjafton vetëm bashkëpunimi.

Sa frymëzuese ishte për ju të shkruani se si “qepën” fatet njerëzore të këtyre vendeve tona në peceta, gjë që e dëshmojnë edhe vargjet e Adam Zagajevskit se fjala është për vende “kufijtë e të cilave i lëviz era”?

Kur vendosa të shkruaj këtë pjesë, një nga burimet që më frymëzoi ishte libri i Richard Holbrooke “T’i jepet fund luftës”. Kur e lexoni këtë libër, shihni sa situata të çuditshme kishte dhe çfarë bëri makineria e madhe diplomatike në vitet nëntëdhjetë. Holbrook në atë kohë ishte vazhdimisht në rajon, pati disa takime në Beograd, Sarajevë dhe Zagreb, por fokusi im ishte te Dejtoni dhe mbledhjet e atjeshme.

Në këtë libër ka një pjesë ku ai përshkruan se si Slobodan Milosheviqi dhe Alija Izetbegoviqi kanë debatuar për korridoret afër Sarajevës. Në një rast, ata po drekonin në një restorant në Dejton dhe Holbrook iu afrua Milosheviqit dhe e pyeti për korridoret. Milosheviqi mori një pecetë dhe i skicoi një korridor të vogël, thjesht si vizatim i një fëmije. Holbrook mori pecetën dhe e çoi te tavolina ku ishin ulur ata nga Bosnja dhe Hercegovina. Izetbegoviq nuk u gëzua aspak kur pa korridorin e vogël dhe vizatoi një më të madh. Ajo pecetë qarkullonte mes dy tavolinave derisa të dyja palët nuk ishin të kënaqura sepse çdo metër që do të merrnin ishte i rëndësishëm për ta.

Për negociatat e paqes publiku gjithmonë mëson vetëm nga kumtesat formale të shkruara në gjysmë ose në një faqe letre se palët kundërshtare ose janë marrë vesh ose jo. Nga këto njoftime të thata, nuk jeni në gjendje të zbuloni se si duket kjo me të vërtetë në realitet. Atëherë e kuptoni anën tragjike të gjithçkaje sepse njerëzit që vuajnë dhe paguajnë çmimin më të lartë në luftë në fakt varen nga njerëz që nuk e di se çfarë gjëje të vogël do t’i bëjë ata të vendosin dhe të zgjidhin ose të mos e zgjidhin luftën.

Në shfaqje, e dërguara e Unmikistanit, Daniela, papritmas “vendos” e thotë: Do të nënshkruaj menjëherë nëse kjo grua më thotë të nënshkruaj, dhe fjala është për  gruan që i shërben ata gjatë negociatave, të cilën e kanë përdhunuar ushtarët. Mesazhi i qartë është se viktimat duhet të pyeten.

Kjo është e saktë, dhe kjo fjali është e rëndësishme, sepse është çelësi i idesë sonë kryesore të dramës, por në të njëjtën skenë ka edhe një fjali tjetër, kur Daniela thotë se nuk është një marrëveshje e mirë, por “njerëzve tanë ju duhet paqja. Kështuqë, le të ketë paqe”. Kjo është fjalia e Alija Izetbegoviq, të cilën ai e tha para nënshkrimit të Dejtonit. Në shumë pjesë të shfaqjes janë përdorur citate nga dokumente të vërteta. Sigurisht që shpesh i kemi kthyer në një shprehje teatrale, krijuese, por kemi lënë edhe disa fjali që janë shqiptuar realisht gjatë disa negociatave.

Por ndërsa po shkruaja pjesën, pyetja kryesore ishte: çfarë të reja mund të themi për luftën apo paqen? Lufta është mut, kjo dihet. Paqja është e domosdoshme dhe e rëndësishme, edhe kjo dihet. Cila do të ishte njëfarë perspektiva jonë për ër këto tema? Ajo që duhet patjetër t’i përfshijmë viktimat në procesin e pajtimit. Ato kanë paguar çmimin më të lartë dhe kanë të drejtën të flasin se çfarë lloj paqeje duhet të sigurohet. Kjo edhe është sfida më e madhe, veçanërisht këtu në rajon, që të marrin pjesë në negociatat e paqes njerëzit e thjeshtë të përfshirë në luftë. Ata duhet të pyeten. Ai transformim i fuqisë në negociata vetëm nga politikanët tek ata që vuajtën për shkak të luftës është shumë domethënës.

Është ajo fjalia: vetëm i vdekuri sheh fundin e luftës. Jeni frymëzuar edhe nga romani i madh i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?

Është një roman shumë i rëndësishëm i viteve ’60, i cili është përkthyer edhe në gjuhën serbo-kroate. U frymëzova nga motivi kryesor në roman kur gjenerali italian kthehet në Shqipëri dhe mbledh mbetjet, eshtrat e ushtrisë së tij fashiste dhe përballet me popullsinë vendase. Ai takohet edhe me një plakë që në luftë humbi vajzën e saj, dhe kjo tek ai shkakton rishikimin dhe pendesën për krimin që ka kryer. Gjithmonë pyesja veten se si do të reagonte ajo tani, në këtë kohë dhe çfarë ndjenjash do të shkaktonte te një prijësit ushtarakë. Sapo nisa të shkruaj “Negociatat e Paqes”, më erdhi natyrshëm që të kem një gjeneral që është pjesë e grupit negociator dhe një plakë që është kameriere që shërben gjatë negociatave dhe që e ka sekretin e vet.

Pse politikanët dhe diplomatët që morën pjesë në procese të tilla, në të shumtën e rasteve është ashtu, shkruajnë dhe botojnë kujtime, ato të famshmet e Churchillit, për shembull?

Nuk i shkruajnë vetëm ata që kanë pasur role të mëdha në ngjarjet historike. Në Kosovë, pothuajse të gjithë ish-komandantët apo ish-politikanët, të gjithë ata që kishin qoft edhe një rol të vogël në ngjarjet e atyre viteve, kanë shkruar libër. Me këtë kanë dashur të mbeten dikush që është i rëndësishëm, që e gjithë bota të dinte për ta dhe të hynë në histori. Ata duan të jenë të famshëm në këtë dhe jetën tjetë. Edhe gjenerali në shfaqjen tonë shkruan skenar, sepse do që legjenda për të të jetojë edhe pas tij. Ai është në pension, me pantallona të pshurrura, ama shkruan një skenar filmi.

Dhe imagjinon që regjinë e atij filmi ta bëj Spielbergu…

Është një anekdotë që ritregohet në Kosovë se ka qenë një negociator amerikan për paqen në Rambuje, mendoj se fjala është për James Rubinin, i cili i ka ofruar ish-kryeministrit Hashim Thaçi që nëse e nënshkruan marrëveshjen, Spielberg do të bëjë një film për të. Është një anekdotë, por e përdora për shfaqjen. Megjithatë, sfida më e madhe gjatë kohës që po shkruaja dramën nuk ishte se si të shfrytëzoja shumicën e gjërave nga dokumentet konkrete të negociatave në Dejton dhe të marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por që gjithçkaje t’I jepja një kontekst më të thellë, që gjithçka të komunikojë në mënyrë universale. Kjo nuk ishte aspak e lehtë, por ja tani kemi shumë shfaqje të caktuara nëpër Evropë për dy vitet e ardhshme. Kjo më flet se ia dolëm dhe se të gjithë e kuptojnë mirë atë që donim.

Po flasim në ditët kur kanë përfunduar negociatat për një armëpushim afatshkurtër mes Izraelit dhe Gazës dhe lufta në Lindjen e Mesme vazhdon dhe, sipas të gjitha gjasave, duket se, për fat të keq, paqja është shumë larg.

Po, fatkeqesisht. Çdo luftë, çdo konflikt ka specifikat e veta. Po kështu ngjet edhe  me negociatat e paqes. Por mbaj mend që gjatë provës biseduam me Orest Pastukhun, aktorin tonë të shfaqjes, i cili është nga Ukraina, i cili na tha se mund ta imagjinonte që midis Rusisë dhe vendit të tij zhvillohen piërisht këso negociata të paqes dhe se gjithçka mund të dukej kështu siurse që ne po ia paraqesim publikut.

Qëndrimi dhe klima politike

Për një kohë ishim mysafirë të rregullt në Beograd dhe ishte një periudhë kur kjo ishte krejt normale, jo vetëm në Qendrën për Dekontaminim Kulturor, por edhe në Bitef, në Qendrën Rex, apo në Teatrin Popullor në Beograd, kur luajtëm  “Romeo dhe Zhuljeta” dhe bashkëpunonim me Miki Manojloviqin. Por ndërkohë,  kjo është përshtypja ime, ndryshoi klima politike në Serbi. Institucionet e kulturës nuk ishin më aq të hapura për bashkëpunim. Çfarë përfitojnë nëse presin një teatër nga Kosova, vetëm se i krijojnë problem vetes. Filluan të mbyllen dhe nuk ishin më të interesuara për bashkëpunim. Gjatë katra-pesë viteve të fundit, memzi ia dalim të gjejmë një vend për të shfaqur ndonjërën nga pjesët tona.

Kohët e fundit jeni paraqitur edhe në teatro në lokalitetet e tjera të Serbisë.

Po, për ne është shumë e rëndësishme, sepse në Beograd luajtëm para një publiku që e dimë se është mendjehapur dhe i gëzohet bashkëpunimit dhe të shohë se çfarë po krijohet nëpër mjedise të tjera. Në Kragujevc luajtëm një shfaqje shumë kontraverse dhe morëm duartrokitje të madhe, publiku na kuptoi plotësisht. Kemi luajtur edhe në Nish dhe ka qenë e mrekullueshme, si dhe në Suboticë. Në Novi Sad, në Teatrin e Novi Sadit, patëm një reagim fantastik të publikut. Kjo është ajo që ne thelbësisht ndjejmë, ne vazhdimisht përpiqemi të lëvizim kufijtë tanë, t’i japim publikut sa më shumë. Tentuam që edhe në Beograd të paraqitemi me këtë shfaqje, por nuk ia dolëm. Prandaj i jemi mirënjohës Andrash Urbanit, i cili është drejtor i Teatrit të Novi Sadit dhe i cili u tregua shumë i interesuar që të performojmë para publikut të Novi Sadit.

Atëherë mund të pyesim veten, sa “lugina të gjelbra” të tilla kemi në botë, rreth të cilave zhvillohen luftëra, ndërsa më pas, për to zhvillohen negociata?

Ka kaq shumë rajone në botë që janë të ndërlikuara, ku secili dëshiron shtetin e vet, me konflikte midis popujve. Unë me të vërtetë mendoj se është e pakuptimtë. Kam lexuar diku se vetëm midis viteve 1994 dhe 2004 ka pasur 200 konflikte dhe luftëra të ndryshme në botë, midis grupeve të ndryshme fetare, kombeve të ndryshme. Kjo me të vërtetë është e frikshme. Kjo më flet se do të shohim edhe shumë konflikte të tjera në disa nga “luginat e gjelbërta” të ardhshme në botë. Ndërsa po ështu edhe ne  këtu, për fat të keq, endemi, si në mjegull, në kërkim të diçkaje konkrete si paqja, por në realitetin tonë duket kjo është diçka abstrakte, e paarritshme, diçka si Godoja e Beketit.

Panda e madhe e mbushur në shfaqje më bëri të mendoj se edhe njerëzit janë bërë sot një specie e rrezikuar në botë. Çfarë simbolizon ajo në shfaqje?

Kemi diskutuar shumë  se çfarë do të thotë panda, donim ta kishim atë dhe t’i lejonim të gjithë të kishin pikëpamjen e tyre se çfarë simbolizon ajo. Për mua, ajo përfaqëson dëshirën e secilës palë të ndryshme për të tërhequr vëmendjen te vetja. E dini kur ndodh një dramë e madhe dhe të gjithë duan të tërheqin vëmendjen, qoftë edhe duke diskutuar nëse dikush ka këpucë të kuqe apo të zeza, shkaktojnë rrëmujë rreth disa gjërave vetëm e vetëm për të tërhequr vëmendjen. Por sigurisht Blerta e sheh ndryshe pandën. Po ashtu edhe apubliku. Dikush në Prishtinë e lidhi këtë pandën tonë me rastin “Panda”, ku u vranë të rinjtë serbë në Pejë.

Sipas jush, pas 25 vitesh që merreni me teatër, a mund të shtrojë ai edhe më tej çështje të vlefshme dhe të vë në dukje gjëra që në shoqëri duhen ndryshuar?

Shkrimtarët, krijuesit teatrorë, aktorët… kujtojmë se gjatë viteve nëntëdhjetë, aq shumë prej tyre u manipuluan nga politikanët, u përdorën si armë ideologjike në përgatitjen e luftës. Ishte ky çelësi i zbatimit të politikave nacionaliste edhe pas luftërave. Ishte çështje dinjiteti dhe kredibiliteti të ngrije zërin kundër nacionalistëve të tillë dhe të agazhohesh për vlerat e vërteta me të cillat nuk rrezikohen të drejtat njerëzore të të tjerëve. Kishte pak njerëz të tillë gjatë viteve nëntëdhjetë, por ishin shumë të rëndësishëm. Për shembull, kishte në të gjitha mjediset, dhe në Serbi, mund të veçojmë, ndër të tjerë, Borka Paviqeviqin, e cila ishte iniciatore dhepromotore e bashkëpunimit në rajon dhe që u angazhua për të drejtat themelore të njeriut.

Vetëm një grup i vogël njerëzish luftuan për të krijuar oaza të çliruara nga urrejtja ndaj të tjerëve. Oaza të tilla ishin edhe Qendra për Dekontaminim Kulturor dhe “Hartefakt” në Serbi dhe Qendra Multimediale në Prishtinë. Ato qarqe kontribuan që njerëzit të ndiheshin normal dhe të mos mendonin se serbët në tërësi janë armiq apo kroatë. Për shumë vite disa organizata bashkëpunuan me njëra-tjetrën dhe kjo nuk ishte e lehtë. Shpeshherë bashkëpunimi varej nga lidhjet dhe miqësia private, pra pa asnjë ndihmë nga ndonjë institucion zyrtar. Edhe Sasha Iliq dhe Vladimir Arsenijeviq, edhe Biljana Srbljanoviq, edhe Borka dhe të tjerë nga Serbia, bashkëpunuan me ne dhe kjo ishte çështje besimi për hir të vendosjes së diçkaje që është aq normale mes njerëzve. Bashkëpunimi ynë është shumë më i fortë se çdo bashkëpunim zyrtar.

Pas luftës, të gjithë donin të ishin edhe artistë të mirë edhe patriotë të mirë, sepse patriotizmi ishte në modë. Borka dinte të thoshte se kjo martesë artistësh dhe patriotësh është një kiç i pastër. Ishte kiçi edhe kultura që ata promovonin dhe e promovojnë shpesh edhe sot, sepse duan të mbajnë “lidhje” me masat e gjera popullore. Ishte ky një mainstream, sepse shumica dërrmuese e njerëzve donin vetëm këtë.

Një numër i mirë artistësh zgjedhin me vetëdije dhe vullnet t’i shërbejnë politikës. Madje, mund të themi se këtë kategori krijuesish e përbën shumica. Dhe jo vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin. Kemi edhe artistë në Kosovë, të ashtuquajtur artistë, të cilët ndërrojnë këmisha partiake sa herë ndërrojnë qeveritë. Dhe me këmishat e reja enden nëpër teatro dhe institucionet tona kulturore , ndërsa me megafon përhapin “vullnetin” e “Liderit” dhe të “Partisë” për ndryshim e zhvillim. Dhe, përhapin shumë helm patriotik.

Natyrisht se besoj në teatrin dhe fuqinë e tij. Ai është një faktor emancipimi. Mendoj se teatri e ndihmon këtë rajon, sepse ushtron demokracinë në skenë, si dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Zakonisht teatri merret si prototip i gjendjes së shoqërisë në një moment të caktuar.

Teatri i drejtohet sinqerisht publikut, merret me shqetësimet, dramat dhe traumat në një mënyrë që asnjë medium tjetër nuk mundet. Ai plotëson boshllëqet e munguara të lirisë në shoqëri, ka për qëllim ta korrigjojë, zhvillojë dhe humanizojë atë shoqëri. Dhe, sigurisht, ta bëj këtë shoqëri të vetëdijshme  kur manipulohet nga politika, çdo strukturë pushteti, feje apo edhe barra që i ka ngarkuar historia. Teatri është mbase ndërmjetësi më i bindës dhe i pakontaminuar që ka mbetur. Besoj se kur teatri nuk është i lirë, kjo është shenjë se as shoqëria nuk është e lirë. Nëse ia dilni t’i paraqisni mendimet dhe idetë pa frikë në teatër, kjo është shenjë se ajo shoqëri është e lirë. Ajo liri nuk merret nga politikanët, për të duhet luftuar, atë duhet pushtuar. Kështu e shoh unë rolin e teatrit./Marrë nga:novimagzin.rs/Përktheu në shqip: kdp.mk/

 

Të fundit