E shtunë, 27 Korrik, 2024

BRITMAT E ARRATISË SË PANDALSHME

Janë dy gjendje ekzistence, dy mendësi, që janë larg njëra-tjetrës në perceptimin e realitetit. Në njërën anë kemi klientelën partiake që bëjnë sikur, që i bashkëngjiten radhës për ndonjë përfitim konkret, thjesht utilitar dhe në anën tjetër kemi një shtresë shoqërore tërësisht të deprimuar, apolitike dhe asociale. Janë “kopshtet” partiake në njërën anë që ofrojnë iluzionin e mirëqenies për njeriun partiak dhe është shkretëtira e anashkalimit në anën tjetër, shkretëtira e britmave pa zë dhe arratisë që gjallnon në një boshësi depresive. Si të dilet nga kjo krizë përfaqësimi? Mbase mund të fillohet nga listat e hapura si një mënyrë më përfaqësuese, si një mundësi për të ardhur në shprehje kualitete tjera përfaqësimi përtej aparitçikëve që injektojnë për të tjerët “parajsa artificiale”, ndërkohë që sheshi i vullnetit dhe i pjesëmarrjes po shndërrohet në djerrinë arratie të pandalshme.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Është e qartë që nuk kemi takat t’i definojmë gjërat, t’i marrim në shqyrtim dhe me nge t’i gjejmë gjithë ato faktorë shkretnues që na ngujojnë në dëshpërim.

Përballë pikturës së madhe, përballë peizazhit të zymtë, ne shquajmë vetëm do detaje që nuk na ofrojnë një observim më të plotë të realiteteve, të gjithë këtij zhgënjimi që po manifestohet si një gjendje e pashpresë arratie të përhershme.

Pavarësisht metanarracioneve mobilizuese tashmë klishe, duket se intensiteti i optimizmit gjithnjë e më tepër po bie. Ekziston një dualitet acarues që rrënjët i ka te pritja e gjatë e ndryshimeve të proklamuara dhe te stepja politike dhe institucionale që imponohet në format më brutale të sharlatanizmit publik. Njëtrajtshmëria, përsëritja e diskurseve optimiste me gjasë tashmë nuk përfaqësojnë asgjë, sidomos në kohën kur brezi i përditshmërisë gjithnjë e më tepër po arratiset dhe në asnjë rast nuk dëshiron t’i dëgjojë klishetë politike, gjithë diskursin nanuritës që kërkon të injektojë një optimizëm të rrejshëm. Duket se tashmë ky diskurs është harxhuar në dhëmbëzorët e fushatave zgjedhore ciklike dhe mbetet tërësisht irritues për shumicën e qytetarëve, sidomos për brezin e ri, i cili në asnjë rast nuk magjepset nga parullat, nga afishet e kotësisë diskurzive.

Janë dy gjendje ekzistence, dy mendësi, që janë larg njëra-tjetrës në perceptimin e realitetit. Në njërën anë kemi klientelat partiake që bëjnë sikur, që i bashkëngjiten radhës për ndonjë përfitim konkret, thjesht utilitar dhe në anën tjetër kemi një shtresë shoqërore tërësisht të deprimuar, apolitike dhe asociale.

Përderisa shtresa e parë përfaqësohet nëpërmjet partive mbi logjikën e deritashme të mashtrimit të dyanshëm, shtresa tjetër e gjerë në praninë e vetë, por e reduktuar vazhdimisht nga arratia mbetet në apati të thellë dëshpëruese, pa një zë artikulimi dhe përfaqësimi. Peizazhi i përgjithshëm i kësaj gjendje nëpërduket në dy pamje tërësisht kontradiktore. Janë kopshtet partiake në njërën anë që ofrojnë iluzionin e mirëqenies për njeriun partiak dhe është shkretëtira e anashkalimit në anën tjetër, shkretëtira e britmave pa zë dhe arratisë që gjallnon në një boshësi depresive.

Ne nuk e dimë se si mund të shpëtojmë nga kjo situatë në kohën që nuk ka asnjë projeksion politik për t’i dhënë shpresë pikërisht gjendjes së dytë në të cilën ciklikisht qarkullojnë të dëshpëruar edhe “banorët” e hemisferës së parë. Ky duket të jetë një rreth vicioz që ngërthen gjithë zhgënjimet përbrenda pa arritur që ta shpërthejë bunkerizimin e gjendjeve të pashpresë që në formë rrethore mbështjellin vullnetin për ndryshim, për mbrothësi, që tashmë duket një fjalë e largët.

Janë një sërë dilemash që kërkojnë kapërcim të mendësive të deritashme për t’i dhënë udhë një rrugëtimi më njerëzor përtej deprimive të kudondodhura. Partitë politike do të duhet tashmë ta tejkalojnë matricën e klientelizmit dhe të kërkojnë shtrirje korrekte politike me vizion në dinjitetin dhe habitusin e një shtrese që gjallnon në margjina, por që është shumicë dërrmuese absolutisht e papërfaqësuar.

Ky vit do të jetë një vit zgjedhor dhe vazhdon të mbetet dilema nëse subjektet politike do të arrijnë të dalin nga matricat e “fitoreve” dhe të shtrijnë mirëqenien e munguar edhe te kjo masë e deprimuar, që po t’ua shtosh edhe deprimimet tjera të përpjekjeve fatale për të përfituar si klientelë mbase mund të shkojë më tepër se gjysma e trupit votues. Mbase mund të fillohet nga listat e hapura si një mënyrë më përfaqësuese, si një mundësi për të ardhur në shprehje kualitete tjera përfaqësimi përtej aparitçikëve që injektojnë për të tjerët ” parajsa artificiale”, ndërkohë që sheshi i vullnetit dhe i pjesëmarrjes po shndërrohet në djerrinë arratie të pandalshme.

Të fundit