E mërkurë, 12 Qershor, 2024

SHOQËRIA SHQIPTARE PO E DËMTON VETË PARLAMENTIN

Nga Ben Andoni

Gjëja e parë që të shkon ndërmend dhe kupton për parlamentin është padyshim ajo që shërbehet sot nga media dhe vetë politika jonë. Opozita është e përçarë, mbetet e paqartë në udhën e saj parlamentare, kurse maxhoranca nuk bën as edhe një lëshim. Përballja me kërkesat e saj për komisionet parlamentare ishte nga të fundmit gjëra, që iu kthye me cinizëm nga kundërshtarët socialistë.

Ballkani, sa i përket kësaj kulture, nuk është se ofron shumë shembuj të mirë. Bën pak përjashtim Kosova, por duket se Vetëvendosja po ecën në udhën e partive të tjera, që janë në fuqi nëpër Gadishull. Që do të thotë se kërkon pushtet të pafre dhe mënyra sesi t’ia heqë mundësitë opozitës, duke e stigmatizuar por edhe duke ia bërë udhën të vështirë. Për rastin serb nuk ia vlen të flasësh sepse Vuçiq ka shkuar shumë më tepër sesa beson edhe vetë. Tashmë i ka mbetur në dorë organizimi banal i zgjedhjeve, që dukshëm u shpërdoruan, manipuluan dhe u tjetërsuan. Maqedonia e Veriut lufton mes paradokseve të nacionalizmit agresiv dhe ndarjes së madhe në vend. Kurse Mali i Zi është përballë një të panjohure, pasi për pak javë do të riformatojnë qeverinë e tyre me qeveritarët prorusë.

Në parlament votohen vazhdimisht ligje, siç ka ndodhur së fundi me shumicë votash dhe paçka kundërshtimit të opozitës dhe gjuhës së forcës së tyre, ato kanë kaluar në vetëm pak minuta. Kulmoi me votimin e maxhorancës për buxhetin e vitit 2024, që mori shumë më pak se 10 minuta, fakt që tregon se qytetarët jo vetëm mbeten të panjohur me ligjet, por nuk kanë edhe asistencën e duhur për dobishmërinë e tyre. Serioziteti i Gjykatës Kushtetuese në plot 13 raste ka arritur në përfundim se ato ligje e shkelnin kushtetutën, aktin themeltar të shtetit. Që do të thotë një lloj papërgjegjshmërie, por edhe ngut që nuk i përgjigjet realitetit. Po pse nuk funksionon tashmë dhe parlamenti ynë, që duhej të ishte tempulli i demokracisë? Duket se demokracia parlamentare nuk është më në gjendje të garantojë performancën minimale të unitetit dhe qeverisë që një komb ka të drejtë të presë. Nuk është sigurisht faji “në vetvete” i parlamentarizmit: është pasojë e një realiteti shoqëror të ndryshuar, i sjelljeve dhe qëndrimeve të reja nga ana e qytetarëve, citohet studiuesi Carlo Fusaro. Një formë qeverisjeje nuk është një gjë abstrakte dhe nuk duhet gjykuar nga teoria: është e mirë apo e keqe në varësi të asaj se si lidhet me shoqërinë që supozohet t’i shërbejë, theksohet nga logjika sesi shkon demokracia në ditët tona (Fusaro, 2019).

Duket se individët që zgjedh sot shoqëria jonë janë shumë poshtë emëruesit të përbashkët të nivelit të saj, po edhe vetë shoqëria është e papërgatitur për nivele të larta parlamentarizmi, ku qytetari i thjeshtë të kuptoj sesi funksionon një demokraci, përmes ushtrimit të pushtetit të deputetit të thjeshtë. Vetë shoqëria është shkaktare e këtij kaosi, së pari përmes njerëzve që zgjedh dhe e dyta për shkak të mungesës së elementëve të kontrollit të pushtetit. Por, mos vallë është lajm i keq. Mes të tjerave, Vaclav Haveli do të përsëriste se:”… Njerëzit po manipulohen në mënyra që janë pafundësisht më delikate dhe më të rafinuara sesa metodat brutale të përdorura në shoqëritë post-totalitare”. (Javanews)

Të fundit