E diel, 23 Qershor, 2024

BALLKANI PERËNDIMOR MES LUFTËS DHE PAQES

Bisedimet në Ohër dhe aneksi i nënshkrimit të marrëveshjes nga Aleksandër Vuçiqi pësuan fiasko. Në fund të shtatorit, grupet terroriste sollën ethet e luftës. Bosnja, një shtet i dështuar, mbetet vullkan para shpërthimit dhe fuçi baroti në Ballkanin Perëndimor. Lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik, pion i Vladimir Putinit, është duke hedhur benzinë në zjarr, duke provokuar dhe frikësuar ndërkombëtarët e perëndimorët për shpalljen e pavarësisë së Republikës Serbe.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Viti 2023, që e lëmë pas, për Ballkanin Perëndimor ishte një vit i brishtë, me konflikte dhe trazira. Në fillim të vitit, ofensiva diplomatike e Uashingtonit dhe Brukselit ishte relevante për përfundimin e konfliktit mes Beogradit dhe Prishtinës. Bisedimet në Ohër dhe aneksi i nënshkrimit të marrëveshjes nga Aleksandër Vuçiqi pësuan fiasko. Në fund të shtatorit, grupet terroriste sollën ethet e luftës. Bosnja, një shtet i dështuar, mbetet vullkan para shpërthimit dhe fuçi baroti në Ballkanin Perëndimor. Lideri i serbëve të Bosnjës, Dodik, pion i Vladimir Putinit, është duke hedhur benzinë në zjarr, duke provokuar dhe frikësuar ndërkombëtarët e perëndimorët për shpalljen e pavarësisë së Republikës Serbe. Ky diletant dhe politikan i shfrenuar është duke frikuar ariun me lodër. Po qe se Dodik në mënyrë plebishitare ose me referendum shpall pavarësinë, që, sipas ndërkombëtarëve, duket utopi, do të fillojë lufta në Ballkanin Perëndimor, ka theksuar analisti Dushan Janjiq, ekspert dhe kryetar i Forumit për Minoritete.

SIMBOLIKA E KRYEMINISTRAVE SHQIPTARË

Mali i Zi, në dekadën e fundit ka qenë një ndër shtetet më stabile në rajon dhe më afër BE-së. Ndryshimet e mëdha në vitin që shkoi sollën që ky shet të rrezikohet nga konfliktet ndëretnike. Pas ardhjes në pushtet të Frontit Demokratik pro-rus, ky shtet ndodhet mes botës serbe dhe NATO-s e BE-së.

Në Serbi, në fillim të vitit shkollor, një nxënës 13 vjeçar në Beograd humbi jetën, po ashtu dhe në Mlladenovac mbetën të vrarë disa nxënës. Pas kësaj ngjarjeje tragjike dhe makabre, filluan protestat, ku sollën në skenë lëvizjet politike, nën moton “Serbia kundër dhunës”. Kjo lëvizje, së bashku me 8 subjektet politike, më 1 dhjetor, dolën për ta sfiduar autokratin Aleksander Vuçiqin, presidenti serb, me sloganin “Serbia nuk mund të ndalet”. Vuçiq do të vazhdojë edhe këtë mandat me pushtetin e “dorës së fortë”, për të arritur projektin “Bota serbe”. Protestat në fund të vitit 2023 ishin në vazhdim e sipër dhe mbetet të shihet nëse do të ndryshojë narrativi në këtë vit (2024), që sapo kemi hyrë.

Viti 2023 u karakterizua edhe me simbolikën e kryeministrave shqiptarë në Ballkanin Perëndimor (Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi). Përveç dy kryeministrave në dy shtetet shqiptare, ishte edhe kryeministri Driton Abazoviq (Mal i Zi), tash zëvendëskryeministër, ndërsa në fund të janarit 2024 do të kemi edhe kryeministrin e katërt shqiptar (në Maqedoninë e Veriut), ndonëse me një mandat të cunguar (100 ditë) dhe me kompetenca teknike. Kjo më shumë ka rëndësinë simbolike dhe thyerjen e tabuve se s’mund të bëhet në këtë shtet një kryeministër shqiptar.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në tri dekadat e fundit nuk kanë pasur asnjëherë poste të larta shtetërore sikurse tash, madje është një president shteti maqedonas, Pendarovski, i cili është paksa neutral dhe jo ksenofobik ndaj shqiptarëve të këtushëm. Në këtë mandat qeveritar, shqiptarët si asnjëherë më parë, nuk kanë pasur kaq shumë ministra në qeveri, gati sa edhe vetë maqedonasit (10 ministra), por ende janë inferiorë në Kushtetutën e saj, ku konsiderohen si pakicë (bashkësi) etnike, me një përcaktim poshtërues të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (pa e përmendur shqipen), në territore ku jetojnë më shumë se 20 për qind të shqiptarëve.

PAQJA ENDE LARG

Në planin global, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është duke hyrë në vitin e tretë. Sipas analistëve dhe ekspertëve ushtarakë, lufta do të vazhdojë dhe shpesa për një paqe ose armëpushim, ende është shumë larg. Rusia deri tash ka okupuar 15 për qind të territorit të Ukrainës, ndërsa lëvizjet në front janë shumë të ngadalshme nga të dyja palët luftuese, edhe më tej vazhdojnë vrasjet e civilëve, masakrat, gjenocidi dhe depërtimi i fëmijëve të Ukrainës në Rusi. Presidentin rus, Vladimir Putin, Gjykata ndërkombëtare e shpalli si kriminel lufte, ku, sipas konventës, Putin duhet të shkojë në Hagë. Perëndimi tenton largimin dhe kapitullimin e Putinit. Kishim rebelimin e gjeneralit Prigozhin, ku me kryengritësit ishte duke marshuar drejt Moskës. Perëndimi ishte shqetësuar për luftën civile dhe shpërbërjen e një fuqie bërthamore, siç është Rusia.

Në këtë vit që iku, Finlanda u bë shteti i 31-të, anëtar i Aleancës Veri-atlantike, kurse dhe Suedia pret të hyjë në këtë aleancë dhe kjo zvarritje vjen shkaku i vetos së Turqisë. Lufta në Lindjen e Afërme mes Hamasit dhe Izraelit ka tronditur tërë botën. Kemi vrasjen e mbi 25 mijë civilëve, fëmijëve dhe afër 100 gazetarëve. Viti që shkoi do të mbetet simbol i anti-humanizmit, anti-civilizues dhe i përmbysjes së vlerave etike dhe njerëzore. Lufta është duke vazhduar, kurse ekziston rreziku i përshkallëzimit në tërë rajonin. Guerilët në Hemen të mbështetur nga Irani janë duke sulmuar anijet në Detin e Kuq.

Luftëra dhe rebelime ka pasur edhe në shtetet afrikane, si në Kongo, Mali, Nigeri dhe në shumë shtete të tjera të brishta afrikane. Tensionet kanë vazhduar edhe mes ShBA-së dhe Kinës. Deri në vitin 2025, sipas analistëve, Kina do ta aneksojë Tajvanin, shkruan gazeta “New York Times”.

Sipas sondazheve të Fondit Monetar, në vitin 2023 rritja ekonomike globale ka qenë 2.8, në krahasim me vitet e kaluara, ku rritja ekonomike globale mesatarisht ka qenë 7 deri 8 për qind. Po ashtu, këtë vit inflacioni global ka qenë 7 deri 10 për qind. Rritja e interesit, ka qenë e lartë 4 deri 7 për qind. Recesioni ekonomik global,  si pasojë ka sjellë uljen e investimeve, të prodhimit dhe zvogëlimin e konsumit.

Po ashtu, në vitin 2023 ka pasur eksod masiv. Lufta mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, në shtator, ka bërë që nga Nagorno-Karabah të shpërngulen më shumë se 100 mijë armenë për në Armeni. Nagorni Karabah, më se tri dekada, ka qenë nën kontrollin e separatistëve armenë, ku Azerbajxhani e riktheu me luftë territorin e pushtuar. Eksodi, refugjatët dhe fluksi i emigrantëve ka vazhduar nga shtetet Afrikane për në Evropën Perëndimore. Viti 2023 ishte një ndër vitet e apokalipsit, ku nga erupsionet, tërmetet në Turqi, humbën jetën mbi 50 mijë njerëz dhe mbi një milion banorë mbetën pa kulm mbi krye. Më shumë se një shekull nuk ka pasur erupsion më katastrofal në gjithë rruzullin tokësor.

 

Të fundit