E enjte, 25 Korrik, 2024

EPIDEMIA NË 2023 – VAKSINA NË 2024

Të shpresojmë se viti 2024 do të jetë më i mirë se ky që po ikën. Gjithçka varet nga qytetarët. Zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit janë momente kur sovraniteti kthehet në duart e tyre. Patjetër të jetë një vit interesant dhe i bereqetshëm. Gëzuar!

Shkruan: Xhelal Neziri

Në fund të çdo viti, zakonisht bëhet përmbledhje e ngjarjeve që shënuan këtë periudhë. Pushteti është i prirur që çdo vit ta shpallë si “historik”, pra i sukseseve të mëdha, kurse opozita t’ia vë vulën si “i dështuar” e “i humbur”. E vërteta e vitit 2023 duket se është diku në mes: i sukseseve dhe i dështimeve historike.

Të fillojmë nga sukseset.

Nisja e punimeve për realizimin e Korridorit 8, përfundimi i procesit të skriningut me Bashkimin Evropian (BE), organizimi i Samitit të OSBE-së në Shkup, rritja e pagës mesatare dhe minimale, rritja e pensioneve, investimeve të huaja…janë fakte që flasin për suksesin e kësaj garniture qeverisëse.

Por, edhe lista e dështimeve nuk është e shkurtër.

Është e vërtetë se kemi rritje të pagave dhe pensioneve, por kjo rritje nuk ndoqi rritjen e çmimeve. Inflacioni rekord bëri që me pagën e sivjetshme të mos mund të blejmë as gjysmat e produkteve bazike ushqimore që i kemi blerë vjet.

Ndryshimet kushtetuese në përputhje me Propozimin Francez (2022) nuk u miratuan. Obligimi kryesor ishte dhe mbetet përfshirja e bullgarëve etnikë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Pushteti nuk arriti as ta bindë e as ta “detyrojë” opozitën t’i votojë ato ndryshime. Opozita mbeti në qëndrimin të mos i votojë ndryshimet që i ka firmosur pushteti, kurse vendi mbeti në dhomën e pritjes dhe pa fillimin e negociatave me hapje të kapitujve të parë.

Transparenca e institucioneve është ulur ndjeshëm. Nuk respektohet Ligji për qasje të lirë deri te informacioni i karakterit publik, ndërkohë që mjeti për llogaridhënie i ministrave ka ndalur akrepat në vitin 2018. Vitin e kaluar, njëjtë si katër vite më herët, opinioni publik nuk kishte qasje në shpenzimet e anëtarëve të qeverisë për dreka, darka, udhëtime, hotele…

Kur ka mungesë transparence dhe ngërç në procesin e euro-integrimit, zakonisht përhapet një lloj i ri i epidemisë. Nga viti 2020 duket se vaksinat, epidemitë e pandemitë janë tema kryesore te ne. Epidemia e fruthit, pandemia e gripit të derrit, të pulave, e coronavirusit. Fatmirësisht, u gjet vaksina e tyre.

Por në vitin 2023 kemi një epidemi të re që shkaktohet nga një virus i vjetër: korrupsioni. Kjo epidemi ka kohë që ekziston, por ishte ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, që i’a vuri emrin. SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar (MB) ka kohë që kërkojnë vaksinë për këtë epidemi tonën (rajonale). Në vitin 2016 u shpik vaksina në formën e Prokurorisë Speciale, por u infektua edhe vetë vaksina. Kjo ishte fitore e epidemisë ndaj vaksinës. Ilaç tjetër s’pati. Prokuroria e zakonshme ka kohë që është mashë e partive në pushtet. Gjykatat janë të kapura. Institucionet po ashtu. Institucionet e kapura janë parajsë për partitë. Partitë janë pragmatike. Kur vijnë në pushtet i trashëgojnë me kënaqësi nga regjimi i kaluar. Deklaratat për shtet ligjor të së drejtës dhe për integrim në BE, duket se janë vetëm deklarata. Edhe qytetarët jo se janë dhe aq për integrimet evropiane. Të gjithë i duan vetëm përfitimet nga BE-ja, por jo edhe ligjin evropian.

Vaksinën sërish e kërkojnë ndërkombëtarët. Vaksina që po promovohet janë listat e sanksioneve, apo në popull të njohura si “listat e zeza”. Këto lista kanë qenë në funksion që nga 2001. Me fokus në luftën kundër korrupsionit u vunë në funksion që nga 2015-ta. Roli i tyre, tash për tash, nuk është i vaksinës. Është më tepër i terapisë ndaj të infektuarve. I vaksinës do të jetë kur të votohen dy ndryshimet ligjore në sferën e rregullimit të sanksioneve, me të cilat sanksionet e vendosura për shtetas të RMV-së nga SHBA, BE dhe MB, me automatizëm do të jenë me fuqi ligjore zbatuese edhe në vend. Paramendoni ngrirjen e pasurive të fituar nga keqpërdorimi i djersës së popullit nga persona të pushtetshëm, nga viti 1991 e deri më tash. Konfiskimi pastaj është gjë e kollajshme. Duket kjo si utopi, por vaksinat deri tash kanë më shumë fitore se viruset.

Të shpresojmë se viti 2024 do të jetë më i mirë se ky që po ikën. Gjithçka varet nga qytetarët. Zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit janë momente kur sovraniteti kthehet në duart e tyre. Patjetër të jetë një vit interesant dhe i bereqetshëm. Gëzuar!

Të fundit