E enjte, 20 Qershor, 2024

SUKSESI I PROTESTAVE NË SERBI VARET NGA MJAFT FAKTORË

Pas zgjedhjeve në Serbi vazhdojnë protestat. Opozita i kundërshton rezultatet dhe akuzon pushtetin për manipulime. Por suksesi i protestave varet nga disa faktorë.

Dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve në Serbikanë shkaktuar një valë të re protestash dhe kanë çuar vendin në një krizë të re politike. Përveç faktit që zgjedhjet treguan se Serbia është politikisht në “vendnumëro”, ku pavarësht të gjitha përpjekjeve del sërish i njëjti fitues, më shumë se kurrë theksuan paralizën e plotë të institucioneve.

Praktikisht nuk është më sekrete që policia u urdhërua të mos u përgjigjej thirrjeve për parregullsi në qendra të caktuara votimi, por kapja e administratës vazhdoi edhe pas ditës së zgjedhjeve. Prokuroria konstatoi brenda pak minutash se nuk ka pasur vepra penale gjatë zgjedhjeve, komisionet zgjedhore hodhën poshtë kundërshtimet e opozitës, ndërsa Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale pretendon se lista e zgjedhësve ishte e hapur dhe publike dhe se këto ishin zgjedhje demokratike dhe legjitime, e një listë zgjedhore “pa të meta”.

Zgjimi i studentëve

Protesta në Serbi ka pasur edhe vitet e kaluara, por ato, pavarësisht numrit të madh herë pas here, kryesisht kanë dështuar. Raundi i fundit i protestave në Beograd zgjati vetëm disa ditë dhe tani për tani përshtypja bazë është se protesta mund të mos jetë në nivelin e pritjeve të opozitës, ndërsa risi është përfshirja më e madhe e studentëve.

Historia e gjatë e protestave të pasuksesshme i dekurajon qytetarët dhe aktivistët politikë, por siç thekson për DW analisti politik Dragomir Angjelkoviq, “Aleksandër Vuçiqin e shqetësojnë në radhë të parë protestat masive që nuk do të mund t’i kontrollojë, që nuk do të thotë se opozita dhe studentët nuk mund të kërcënojnë stabilitetin e Vuçiqit me një kombinim të lëvizjeve të ndryshme”.

“Refuzimi i opozitës për të hyrë si në asamblenë e Beogradit ashtu edhe në asambletë republikane dhe shpallja e zgjedhjeve jolegjitime – do t’ia hiqte Vuçiqit legjitimitetin dhe do ta çonte situatën në një diktaturë të hapur.” Opozita ka mekanizma për ta kundërshtuar atë, por duhet të jetë e gatshme për punë maratonë dhe të vendosë kërkesa të qarta se si duhet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme”, beson Angjelkoviq.

Sa i përket kërkesave, bashkëbiseduesi ynë shton se “është shumë keq që opozita përmend zgjedhjet republikane, duke shpresuar në një zgjidhje për Beogradin. Zgjedhjet ose u vodhën ose nuk u vodhën. Nëse janë vjedhur, ne vetëm mund të imagjinojmë se si janë vjedhur në brendësi të Serbisë, nëse ka pasur kaq shumë parregullsi në Beograd. Ata nuk mund të zbuloheshin jashtë Beogradit, sepse nuk kanë vëzhgues të besueshëm atje”.

Sinergjia e forcave

Nëse shikojmë historinë e deritanishme të protestave, shohim se tre faktorë luajnë një rol vendimtar nëse protestat do të sjellin rezultate, thotë profesori Zoran Stojiljkoviq i Fakultetit të Shkencave Politike për DW: “Këta janë uniteti i opozitës, energjia e protestave dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm”. Vetëm sinergjia e këtyre faktorëve jep rezultat. Sa i përket këtyre zgjedhjeve, opozita bëri disa gabime strategjike, ndër të cilat i fundit ishte zhvendosja e theksit dhe zgjerimi i kërkesave. Një plus i vogël ishte reagimi i vëzhguesve ndërkombëtarë, i cili ishte shumë kritik”, thotë Stojiljkoviq.

Faktor shtesë është reagimi i autoriteteve dhe ajo që mund të pritet më tej, vazhdon Stojiljkoviq dhe vlerëson se “është mjaft e sigurt që zgjedhjet në Beograd do të përsëriten, por që zgjedhjet republikane  mund të anulohet vetëm në ato vende ku ka arsye të nevojshme”.

Shmangia e gabimeve të njëjta

Vitet e fundit, taktika e qeverisë ka qenë që protestat të shuhen vetë. Duket se Aleksandar Vuçiq prapë beson se protestat një ditë do të shuhen vetë. Reagimi i mundshëm i policisë rezervohet vetëm për rastet kur autoritetet nuk shohin rrugëdalje tjetër, siç ishte rasti me incidentet para Kuvendit të Beogradit.

Kjo do të ndodhë prapë nëse opozita përsërit të njëjtat gabime, paralajmëron Dragomir Angjelkoviq dhe thotë se “hera e kaluar opozita doli në protesta, por nuk u largua nga institucionet. Tani ajo duhet të bëjë të kundërtën, nuk duhettë futet në parlament por duhet të protestojë. Nuk mund të sfidosh legjitimitetin e sistemit dhe të jesh pjesë e tij”, thotë analisti politik.

Gatishmëria për rezistencë

Situata është e tillë që diçka duhet bërë, në të kundërtën nuk ka kuptim të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme, thekson Zoran Stojiljkoviq. Ai shton se “para zgjedhjeve të reja do të duhej të kalonin së paku tre deri në gjashtë muaj, për të pasur kushte të barabarta në media dhe në zgjedhje. Një lloj presioni në rrugë është mjaft i rëndësishëm”, thotë profesori nga Beogradi.

Zoran Stojiljkoviq pranon se është befasuar edhe nga “reagimi i policisë para Kuvendit të Beogradit. Por nëse forcohet edhe mbështetja ndërkombëtare, atëherë edhe opozita duhet të dëshmojë se është e gatshme për rezistencë”, tha Stojiljkoviq. DW.

Rusia përfiton

Aleksandar Vuçiq ka implikuar edhe shërbimet sekrete ruse në të gjithë ngjarjen rreth protestës. Sipas tij, shërbimet kanë paralajmëruar se opozita po përgatit demonstrata të dhunshme. Narrativa e qeverisë është se opozita në Beograd po përgatit një lloj “Maidani” të ri dhe se do të fitojë pushtetin me dhunë.

“Presidenti i Serbisë po manipulon disponimin negativ të opinionit publik ndaj Perëndimit”, thotë Dragomir Angjelkoviq dhe shton: “Ai në thelb përmbush gjithçka që Perëndimi kërkon prej tij në lidhje me Kosovën”. Perëndimi nuk ka ndërmend ta rrëzojë atë. Ndërsa Rusia ka një interes shumë më të madh që të mos ketë sanksione nga Serbia, sesa është e interesuar që Serbia të mbrojë Kosovën. Nëse Serbia kapitullon në çështjen eKosovës, kjo do të ishte e dobishme edhe për Rusinë. Ajo do të insistojë që të njëjtat parametra të zbatohen edhe në Ukrainë. Pra, për Rusinë çdo gjë që bën Beogradi është e dobishme, ndaj ata së bashku me Vuçiqin marrin pjesë në mashtrimin se kjo ka lidhje me Maidanin”, vlerëson Angjelkoviq.

Si të pajtohen opsionet e ndryshme?

Nëse dëshiron që protesta të jetë e suksesshme, opozita duhet t’i bëjë kërkesat e saj serioze dhe të insistojë në realizimin e tyre, shton Angjelkoviq. “Ajo duhet të insistojë që të mos përsëriten situatat e mëparshme kur opozita kishte disa kërkesa, ndërsa më pas hoqi dorë nga të gjitha kërkesat në lidhje me kushtet zgjedhore”. Një konfuzion shtesë që ngatërron opinionin është se si organizatorë të protestës shfaqen partitë opozitare por edhe studentët. Ndërsa për të shtunën, më 30 dhjetor, janë paralajmëruar protesta nga ProGlas.

Profesor Stojiljkoviq beson se qytetarët me të vërtetë duan të dinë se kush i fton në protesta. Por ai kujton edhe protestat e viteve 1996/97, “kur kishim tubime opozitare dhe marshime studentore dhe ku secili dha kontributin e vet”. “Sigurisht që shkakton konfuzion te qytetarët”, vëren Dragomir Angjelkoviq dhe shton se “shumë qytetarë heqin dorë nga protesta, sepse mendojnë se po organizohen nga ky apo ai opsion politik që nuk është afër tyre”.

“Prandaj është gabim i opozitës, që nuk krijoi grupimin më të gjerë të mundshëm që do të përcaktonte kërkesat se si Serbia mund të demokratizohet.” Por akoma nuk ka marrëveshje reale, sepse disa po i privatizojnë protestat, ndërsa të tjerët i kontestojnë ato për shkak të disa mospajtimeve të tyre gjeopolitike, të cilat janë në plan të parë”, përfundon Angjelkoviq./DW

Të fundit