E shtunë, 27 Korrik, 2024

GODET DEPUTETI GJERMAN: ËSHTË I PAMUNDUR BASHKËPUNIMI ME KONJUKTURËN AKTUALE SERBE!

Gjermania është një partner i besueshëm i Serbisë, por me këtë konjukturë politike është pothuajse e pamundur të vazhdohet bashkëpunimi, jo vetëm nga këndi i Gjermanisë, por edhe i Evropës dhe e botës, – thotë në një intervistë për gazetën e pavarur serbe “Nova” deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratoviq, nga partia në pushtet e kancelarit Olaf Scholz. Duke folur për zgjedhjet e këtij muaji në Serbi, ai shprehet se në pesë mandatet e tij si deputet nuk ka parë parregullësi të tilla zgjedhore: “Me këto zgjedhje, Vuçiq definitivisht humbi çdo kredibilitet jo vetëm në BE dhe në Perëndim, por edhe në shkallë globale. Një njeri që drejton në këtë mënyrë politikën dhe një vend nuk mund të jetë partner i besueshëm për askënd”, – citon kdp.mk intervistën e politikanit gjerman me origjinë kroate.

-Kemi parë skena dhune nëpër rrugët e Beogradit dhe përdorim të tepruar të forcës policore në protestat me rastin e vjedhjes së votave. Si e patë ju këtë ngjarje, a e kaloi pushteti në këtë mënyrë kufirin?

JURATOVIQ: Në këtë rast policia është në një situatë shumë të palakmueshme për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe kjo duhet respektuar. Pyetja është kush dhe për çfarë qëllimi shkakton trazira. Nuk do të habitesha që policia të provokohet qëllimisht nga ata që në sytë e publikut duan t’i kthejnë këto demonstrata në kaos, për të krijuar një imazh sa më të shëmtuar për demonstruesit. Prandaj është e rëndësishme që demonstruesit të mos lejojnë të provokohen dhe të qëndrojnë konsekuent ndaj kërkesave të tyre, pa cënuar qetësinë dhe rendin.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, tërhiqen paralele mes Aleksandar Vuçiqit dhe Slobodan Milosheviqit. A shihni ju ngjashmëri?

JURATOVIQ: Është e vështirë të tërhiqen paralele mes dy personave, edhe pse politikisht janë të afërt. Personalisht para shumë vjetësh kam pasur rastin të bisedoj dy herë me Aleksandar Vuçiqin. Në fillim pata përshtypjen se ai donte vërtet një Serbi më të mirë në sytë e botës. Megjithatë, sa më gjatë që e ndoqa, pash se ai gjithnjë e më shumë po humbiste në premtimet e tij për gjithçka dhe për të gjithë. Kështu që në fund humbi besimin e pothuajse të gjithëve. Edhe në vetë Serbinë u bë skllav i sistemit që krijoi vetë, e që më nuk mund të qëndrojë. Milosheviqi dikur, edhe pse në kushte të tjera, duke zgjedhur kë të sakrifikonte popullin apo veten, vendosi për popullin. Për të zgjatur pushtetin për një vit. Shpresoj që Aleksandar Vuçiq të mos bëjë të njëjtin gabim dhe të shohë se roli i tij dhe parregullsitë e zgjedhjeve me të drejtë kërkojnë një dalje të re në qendrat e votimit.

Zgjedhjet në Serbi, sipas vëzhguesve të huaj, u shënuan nga një numër i madh i parregullsive. Si e patë atë që ndodhi më 17 dhjetor?

JURATOVIQ: Si kryetar i grupit parlamentar të Bundestagut gjerman për marrëdhëniet e Parlamentit Gjerman me vendet e Ballkanit Perëndimor, prej shumë vitesh ndjek nga afër zhvillimin e politikës dhe shoqërisë në Ballkanin Perëndimor dhe shpesh hasim parregullsi në rajon, veçanërisht kur bëhet fjalë për garën zgjedhore. Megjithatë, nuk kam përjetuar diçka të tillë në pesë mandatet e mia. Fushatës i prin presidenti i shtetit, i cili madje nuk është as kryetar i partisë për të cilën bën fushatë. Me ndikim të madh në hapësirën mediatike publiku mashtrohet në favor të vetëm një partie, dhe këtë e bën presidenti i shtetit, i cili në një shoqëri demokratike do të duhej të jetë i paanshëm, d.m.th. president i të gjithë qytetarëve. Për më tepër, ai paraqitet në atë mënyrë që Serbia nuk mund të marrë frymë pa të. Vendi drejtohet nga një frikë e përgjithshme ndaj shantazheve të ndryshme. Një luzmë e banditëve të regjimit të tij po ngjall frikë, e cila është tipike për çdo regjim autokratik. Politika e tij është reduktuar në një luftë konvulsive për mbijetesën e tij, e cila është gjithnjë e më shumë vetëm çështje kohe. Me këto zgjedhje ai përfundimisht humbi të gjithë besueshmërinë, jo vetëm në BE dhe në Perëndim, por edhe në shkallë globale. Një njeri që drejton politikën dhe një vend nuk mund të jetë në këtë mënyrë partner i besueshëm për askënd.

Opozita pohon se zgjedhjet janë vjedhur, nuk i njohin rezultatet dhe kërkojnë ndërhyrjen e Bashkimit Evropian. Çfarë mendoni, nëse dhe si do të reagojë BE-ja?

JURATOVIQ: Duke marrë parasysh se komuniteti ndërkombëtar mbështetet në vëzhguesit e tij, të cilët janë të mendimit se zgjedhjet u zhvilluan në rrethana jashtëzakonisht të diskutueshme, për shembull, me tregtimin e fletëvotimeve, sulme agresive ndaj vëzhguesve kritikë në vend, me lloj-lloj shantazhesh… mendoj se në çdo rast duhet të insistohet në përsëritjen e zgjedhjeve. Dhe kjo nën kontrollin e rreptë të bashkësisë ndërkombëtare. Unë ka kohë që jam i mendimit se bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Serbinë duhet zhvilluar ekskluzivisht përmes institucioneve shtetërore. Pra, me Qeverinë, ministritë dhe parlamentin, në vend se me një njeri. Përveç kësaj, duhet ngrirë negociatat e mëtejshme me BE-në për aq kohë përderisa Serbia të përmbushë kriteret e Kopenhagës dhe, konform kësaj edhe ndihmën e mëtejshme financiare. Nuk mund të ndodhë që taksapaguesit e BE-së të financojnë autokratë të cilët nuk respektojnë vlerat tona demokratike në një vend që gjoja aspiron bëhet pjesë e komunitetit tonë. Për këtë temë do të flas edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kah mesi i janarit në Strasburg.

Koalicioni qeverisës në Gjermani ka dënuar pa mëdyshje parregullsitë në zgjedhjet në Serbi. Çfarë pasojash mund të ketë kjo për marrëdhëniet mes dy vendeve?

JURATOVIQ: Nuk i ka dënuar vetëm koalicioni qeverisës, por edhe partia simotër e konservatorëve të Merkelit, e cila deri tani ka mbështetur Aleksandër Vuçiqin. Përveç kësaj, nuk ishte vetëm Gjermania që dënoi, por edhe vende anembanë Evropës dhe botës kur dëgjuan raportet e vëzhguesve dhe diplomatëve të huaj. Nëse vetëm gjysma e kësaj është e vërtetë, atëherë situata është më se problematike. Gjermania është një partner i besueshëm i Serbisë, por me këtë konjukturë politike, bashkëpunimi i mëtejshëm, jo ​​vetëm nga këndvështrimi i Gjermanisë, por i Evropës dhe i botës, është pothuajse i pamundur. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron një Serbi të fortë dhe politikisht stabile, dhe kjo është e mundshme vetëm në bazë të vlerave demokratike, të cilat në Serbi janë prishur dukshëm.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se një shtet është përzier brutalisht në zgjedhjet në Serbi. Mendoni se kjo kishte të bëj me Gjermaninë?

JURATOVIQ: Nuk e di se si do të bënte kjo me Gjermaninë apo cilindo vend tjetër të BE-së. Askush nga ne nuk mori pjesë në fushatë, përveçse ndoshta radikalët, të cilët edhe ashtu mbështesin Aleksandër Vuçiqin dhe strukturat antidemokratike anembanë Evropës. Nëse dikush është përzirë brutalisht, atëherë mund të jenë vetëm vende të tilla si një pjesë e Bosnjë e Hercegovinës, thënë më mirë funksionarë të lartë dhe serb të Republika Serpskës, Malit të Zi dhe eventualisht edhe të Kroacisë. Por këtë tashmë e kemi dënuar.

A mendoni se edhe BE-ja është përgjegjëse për kushtet zgjedhore në Serbi, duke qenë se dy raundet e dialogut që kemi pasur deri tani nuk sollën kurrfarë përmirësimi?

JURATOVIQ: Kaherë kam qenë i mendimit se nuk duhet hapur negociatat e para-anëtarësimit pa kriteret e Kopenhagës. Pra, duke vendosur sistemin e drejtësisë dhe duke mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Përveç kësaj, dialogun mund ta zhvillojnë vetëm shoqëritë demokratike, sepse ato janë të vetmet të afta të krijojnë dhe të ruajnë kompromisin, pa të cilin dialogu nuk ka kuptim. Fatkeqësisht, deri tani është shpërfillur se demokracia në Ballkanin Perëndimor nuk ka alternativë. Nacionalistëve iu dha shumë besim për sukseset e rreme të nëpunësve të Brukselit, kështu që nuk është se vetëm Ballkani Perëndimor humbi besueshmërinë, por edhe BE-ja. Mirëpo, ndërkohë edhe BE-ja ka probleme serioze me kundërshtarët e sistemit të vlerave demokratike brenda radhëve të veta. Përfundimisht, po e kuptojnë atë që kam pohuar prej moti, e kjo është se sistemi demokratik i Evropës mbrohet edhe në Ballkanin Perëndimor, respektivisht se çdo lëshim pe para organizatave autokratike të krimit dhe politikës nuk ka rezultate dhe dëmton besueshmërinë e BE-së dhe strukturat demokratike në të dyja anët. Prandaj BE-ja duhet të kthehet më seriozisht kah demokratët në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor, të cilët me sakrifica të mëdha personale vendosën të mos e braktisin vendin, por të luftojnë për të.

*Intervista është marrë nga: nova.rs/Përgatiti në shqip: kdp.mk

 

 

Të fundit