E premte, 17 Maj, 2024

NDËRMARRJA PUBLIKE PËR RRUGË SHTETËRORE: INVESTIME NË VLERËN 400 MILIONË EURO

Gjatë viteve2021 – 2023 të përfunduara dhe në fazë të realizimit janë rreth 900 km rrjet rrugor. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar dhe rehabilituar rrugë shtetërore në gjatësi prej 630 km, nga të cilat pjesa më e madhe e tyre 40 vite nuk janë vënë në rendin e ditës dhe të cilat kanë qenë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Prioriteti ynë ishin të gjitha rrugët që të shpien drejt vendkalimeve kufitare…Me nënshkrimin e marrëveshjes historike me konsorciumin “Bechtel & Enka”, për 4 vite e 7 muaj do të ndërtojmë 110 km autostrada!

Shkruan: EJUP RUSTEMI*

Vitin të cilin po e lëmë pas Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore mund të mburret se ishte një vit rekord për sa i përket investimeve, një vit rekord në aspekt të të hyrave nga taksat rrugore, por edhe një vit historik për shkak se nënshkruam një marrëveshje për gjeneratat e ardhshme dhe për të ardhmen e çdo qytetari të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe filluam një projekt për ndërtimin e 110 kilometrave autostradë me partnerin tonë strategjik “Bechtel & Enka”.

Prandaj, shprehëm dëshirë që llogaridhënia të jetë para opinionit dhe të gjithë partnerëve tanë, sepse sukseset tona janë rezultat i bashkëpunimit të mirë me të gjithë ju. Kur një Ndërmarrje realizon të hyra, atëherë ajo mund edhe të planifikojë se si dhe ku t’i investojë më së miri ato.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore disa vite rradhazi ka rritje të vazhdueshme të të hyrave në bazë të pagesës së taksës rrugore, kështu që të hyrat nga viti në vit rriten dhe këtë vit do ta mbyllim me të hyra rekorde në vlerë prej 62 milionë euro. Më saktë, këtë vit kemi 100 % rritje të të hyrave nga taksat rrugore, për dallim prej para tre viteve më parë. Për krahasim, në vitin 2020 nga mjetet e grumbullura në bazë të taksave rrugore janë realizuar të ardhura totale në vlerë prej 34 milionë euro, në vitin 2021 mbi 46 milionë euro, në vitin 2022 shuma është mbi 53 milionë euro, ndërsa këtë vit do ta përmbyllim me 62 milionë euro.

Veçanërisht jam krenar që nga shërbimi pagesor bëmë sinonim të pagesës moderne, elektronike, dhe bashkëkohore të taksës rrugore e cila ofron shërbim profesional dhe cilësor, me qëllim që të mundësojmë qarkullim të shpejtë dhe të sigurtë në trafik. Njëkohësisht, dua të falënderoj të gjithë punonjësit e pikave pagesore, të cilët me punën e tyre profesionale dhe me përkushtim ndihmuan që së bashku të arrijmë qëllimin e dëshiruar.

Këtë vit filluam gjithashtu dhe modernizimin e pikave pagesore të Korridorit VIII, në Gllumovë dhe Zhelinë, ku do të vendoset sistemi për pagesë elektronike të taksës rrugore, sistem i cili u tregua efektiv dhe i shpejtë për pagesë të taksës rrugore dhe për qarkullim më të shpejtë të komunikacionit.

Këtë verë, në bashkëpunim me vendet e rajonit, filluam me sukses projektin “Një TAG”, gjegjësisht përdorimi i tagave elektronike ndërmjet fqinjëve.

Me këtë rast do të doja të veçoja:

Sistemin e zbatuar me sukses, sistemin informatik për menaxhim me rrugët, i ashtuquajturi RAMS dhe,

për herë të parë sistemin për menaxhim me urat (BMS) me të cilin është kryer evidentim (regjistrimi) dhe rishikim i gjendjes së mbi 1300 urave.

Të hyrat të cilat hyjnë në buxhetin tonë në bazë të pagesës së taksës rrugore dhe të hyrave të tjera kthehen si investime në mirëmbajtjen, rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve.

Një nga pikat e dobëta që konstatova si personi i parë i NP për Rrugë Shtetërore, ishte mirëmbajtja e rrugëve, në veçanti e autostradave për të cilat me të drejtë shpesh na kritikonin. Për këtë arsye, këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e gjendjes së rrugëve dhe në interes të zhvillimit të sigurtë të trafikut në autostrada. Në vitet në vijim, NP për Rrugë Shtetërore në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse do të kryejë pastrimin e akseve rrugore.

Gjatë periudhës së kaluar janë pastruar 270 kilometra autostradë dhe atë:

Janë mbledhur mbi 1300 m3 mbeturina (mbetje),

Janë prerë 5.300.000 m2 barr dhe shkure dhe 

Janë prerë 1.700 drunj që kanë penguar pamjen gjatë vozitjes. 

Me këtë rast dua të nënvizoj se mirëmbajtja e rrugëve është përgjegjësi e të gjithë neve dhe bëj thirrje që të gjithë së bashku të kontribuojmë që rrugët tona të duken evropiane, të pastërta dhe të sigurta për udhëtim.

Realizimi i projekteve tona po zhvillohet ndër vite. Gjatë periudhës së vitit 2021 – 2023 të përfunduara dhe në fazë të realizimit janë rreth 900 km rrjet rrugor. Nga këto, gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar, rikonstruuar he rehabilituar rrugë shtetërore në gjatësi prej 630 km, nga të cilat një pjesë më e madhe e tyre 40 vite nuk janë vënë në rendin e ditës dhe të cilat kanë qenë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Prioriteti ynë ishin të gjitha rrugët që të shpien drejt vendkalimeve kufitare.

Të përfunduara janë akset rrugore:

Manastir – Mexhitli – 12 km

Podmolje – Strugë – Qafë Thanë – 20,5 km

Shkup – Bllacë – 10 km

Hanet e Mavrovës – Zhirovnicë – 18,3 km

Katllanovë – Veles – 8, 4 km

Veles – Gradsko – 20 km

Qarkorja në Bogdanci – 2.7 km

Tetovë – Xhepçishtë – 4 km

Kumanovë – Stracin – 31 km

Ropalcë – Matejç – 2,8 km

Farish – Prilep – 18 km

Shtip – Radovish – 40,6 km, Rrugë eksprese

Shtip – Koçan – 28 km Rrugë eksprese

Probishtip – Krupishtë 18 km

Makedonska Kamenicë – Sasa – 8,4 km

Karpallak – Zhelinë – 12 km

Kërçovë – Makedonski Brod – 26 km

Uzem – Toranicë – 7 km

Botun – Brezhan – 10,5 km

Tranzit nëpër Ohër – 2 km

Në kuadër të Programit për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e rrugëve shtetërore, së bashku me Rrugët e Maqedonisë, çdo vit rehabilitojmë rrugë shtetërore:

Në vitin 2021 janë rehabilituar 141 km

Në vitin 2022 janë rehabilituar 101 km

Në vitin 2023 janë rehabilituar 88 km

Në ndërtim e sipër janë 160 km autostradë dhe 51 km rrugë eksprese, si dhe ndërtimi dhe rehabilitimi i 65 km rrugëve rajonale me vlerën investuese prej mbi 2 miliardë euro:

Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër – 57 km

Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë – 2 km

Ndërtimi i Korridorit 8 dhe Korridorit 10 d – 110 km

Ndërtimi i rrugës eksprese Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin (Çatall) – 25,5 km

Ndërtimi i rrugës eksprese Gradsko – Prilep, segmenti Gradsko – Farish – 25,5 km

Ndërtimi i rrugës së re rajonale Izvor (lidhja me A2) Ura e Garës – 19 km

Ndërtimi i qarkores në Tetovë përmes nyjes rrugore Trebosh deri në Neproshten (faza 1) – 5,4 km

Rikonstruim me rehabilitim – rindërtim të njërës korsi në rrugën shtetërore Kriva Pallankë – Deve Bair – 13 km

Rikonstruimi i rrugës shtetërore segmenti Strumicë – Dabile – 3 km

Rehabilitim dhe riparim i rrugës rajonale Ohër – Shën Naum – 24,3 km

Këtë vit, gjithashtu, filluam edhe riparimin dhe rehabilitimin e pjesëve më të dëmtuara të aksit rrugor në Korridorin 8 dhe Korridorin 10 d:

Rehabilitim me zgjerim të aksit rrugor, Petrovec – Katllanovë – 5,3 km

Rehabilitim i aksit rrugor, Demir Kapi – Negotinë – 15 km

Rehabilitim i aksit rrugor, Shkup – Tetovë – 13 km

Të gjitha këto projekte të përfunduara dhe projektet në vazhdim flasin se këtë vit nuk ndaluam dhe prandaj me krenari njoftojmë se kemi edhe një rekord tjetër – atë në investime, numri i të cilave ka arritur deri më 400 milionë euro.

Megjithatë, le të jemi dhe pak autokritikë: Fatkeqësisht më duhet të konstatoj se përkundër të gjitha përpjekjeve dhe angazhimeve tona ndaj kontraktorit të autostradës Kërçovë – Ohër, përfundimi i projektit prolongohet, për shkak të shfaqjes së rrëshqitjeve të reja të dheut, ndaj jemi në një fazë kur na nevojitet ndihma e ekspertëve.

Jemi përballë sfidës – çka më tutje? Në cilin drejtim do të lëvizim?

Përgjigjen do të na japë raporti i ekspertëve nga FIDIK, si dhe raporti nga Enti Shtetëror i Revizionit, që do të gjenden në seancën e Qeverisë, me qëllim që së bashku të gjejmë një zgjidhje.

Kjo pjesë e rëndësishme e Korridorit 8 duhet të realizohet dhe të jetë e përfunduar ndërsa problemi dhjetëvjeçar i zgjidhur. Opinioni i ekspertëve si dhe Enti Shtetëror i Revizionit janë të pajtimit se projekti Kërçovë – Ohër është rezultat i projektimit dhe fillimit të gabuar, gjegjësisht një shembull tipik se si nuk duhet nisur herët me realizimin e një projekti.

Përvoja na tregoi se modeli i ndërtimit i cili deri  tani është përdorur është model që krijon probleme të paparashikueshme dhe shpenzime të shtuara financiare gjatë realizimit të projektit në terren.

Nisur nga kjo, me guxim ecëm drejt ndryshimit të modelit të ndërtimit të rrugëve dhe tani me aplikimin e të modifikuarit FIDIK dhe nënshkrimit të marrëveshjes historike me konsorciumin “Bechtel & Enka”, për 4 vite e 7 muaj do të ndërtojmë 110 km autostrada.

Shumica janë skeptikë, na kritikojnë, nuk besojnë se ky projekt do të ketë sukses, por unë e di dhe jam i bindur se ky është projekt i së ardhmes dhe se brenda afatit të paraparë do të vozisim në autostrada të reja. Atëherë të gjithë do të binden dhe do t’i ndjejnë përfitimet e këtij projekti të rëndësishëm në vend.

Kur nënshkruam marrëveshjen, theksova se ky projekt është për gjeneratat e ardhshme dhe këtë qëndrim e mbroj edhe tani!

Nuk do të ndalemi me kaq.

NP për Rrugë Shtetërore tashmë po përgatit Programin vjetor për vitin 2024. Në të, përkrah aktiviteteve në vazhdim të cilat ua kemi prezentuar dhe të cilat do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm, është paraparë  ndërtimi i 40 kilometrave me përqindje të vlerës në lartësi prej 367 milionë euro:

Ndërtimi i aksit rrugor Shkup – Bllacë (faza 2) – 10,5 km

Ndërtimi i aksit rrugor Kërçovë – Bukojçan (faza 1 dhe 2) – 10,5 km

Ndërtim i qarkores në Tetovë – 5,4 km

Rikonstruim i segmentit, Ponov most – hyrja në Bogdanci – 4,8 km

Ndërtimi i drejtimit rrugor f. Bellovodicë deri në Kamenollom Mavrovë – 4,6 km

Rikonstruim i segmentit Nikoforovë – Leunovë – Bunec – 10,4 km

Rehabilitim i Qarkores në Kriva Pallankë – 4, 5 km

Rindërtim i nyjes rrugore Bërvenicë

Viti që po përfundon , siç e thash, është një vit rekord i investimeve: 400 milionë euro investime!

Kemi plane ambicioze dhe projekte edhe për vitin i cili po afrohet. Së bashku me punonjësit e mi të cilëve u jam mirënjohës që punojnë me përkushtim të madh në projekte, jemi të gatshëm për shifra të reja rekorde. Ndërtojmë për gjeneratat e ardhshme, ndërtojmë për të ardhmen e vendit tonë, ndërtojmë për tu lidhur me botën!

*Autori është Drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të RMV-së. Shkrimi është fjala e tij me rastin e Llogaridhënies, mbajtur të hënën në mbrëmje.

Të fundit