E mërkurë, 12 Qershor, 2024

AVIONËT AMERIKANË GODASIN GRUPIN E LIDHUR ME IRANIN QË SULMOI TRUPAT AMERIKANE NË IRAK

Presidenti Joe Biden urdhëroi ushtrinë amerikane që të ndërmarrë sulme hakmarrëse kundër grupeve të armatosura të mbështetura nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën nga një sulm me dron në Irakun verior.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët amerikan ishte plagosur rëndë nga sulmi që ndodhi në orët e para të ditës së hënë.

Grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, ‘Kataib Hezbollah’ dhe grupet e lidhura me të, nën një ombrellë të militantëve të mbështetur nga Irani, morën përsipër sulmin me dron.

Zyrtarët irakianë thanë se sulmet ajrore amerikane ndaj grupeve të armatosura vranë një militant dhe plagosën 18 të tjerë herët të martën. Sulmet vinë ndërsa është shtuar droja lidhur me rrezikun e përhapjes së një konflikti rajonal si pasojë e luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Irani njoftoi të hënën se një sulm izraelit në periferi të kryeqytetit sirian të Damaskut vrau një nga gjeneralët e tij kryesorë, Razi Mousavi, i cili kishte qenë një mik i ngushtë i gjeneralit Qassem Soleimani, ish-kreu i forcave iraniane elitë. Soleimani u vra në Irak nga një sulm amerikan me dron në janar të vitit 2020.

Zyrtarët iranianë janë zotuar të marrin hak për vrasjen e gjeneralit Mousavi, por deri tani nuk kanë vepruar. Sulmi i grupit të armatosur të hënën në pjesën veriore të Irakut ndodhi përpara sulmit në Siri që eliminoi gjeneralin iranian.

Presidenti Biden, i cili ndodhej për Krishtlindje në vendpushimin presidencial “Camp David”, u njoftua për sulmin nga këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, pak pasi ai ndodhi të hënën. Presidenti i dha urdhër Pentagonit dhe zyrtarëve të lartë që të hartonin alternativa ndaj sulmit mbi bazën ajrore të Irbilit që përdoret nga ushtria amerikane.

Brenda pak orësh, Presidenti Biden mblodhi ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Shefi i Pentagonit Lloyd Austin dhe Gjenerali CQ Brown, Shef i Shtatmadhorisë Amerikane, e informua Presidentin Biden përmes një telefonate mbi alternativat e kundërpërgjigjes.

Presidenti Biden vendosi goditjen e tre objektivave të përdorura nga grupi militant ‘Kataib Hezbollah’ dhe grupet e lidhura me të, tha një zyrtar amerikan me dijeni për çështjen.

Sulmet ajrore amerikane ndodhën të martën rreth orës 4:45 të mëngjesit në Irak, më pak se 13 orë pasi u sulmua personeli amerikan. Sipas Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, sulmet hakmarrëse “shkatërruan objektet e synuara dhe ka gjasa të kenë vrarë një numër militantësh të organizatës Kataib Hezbollah”.

“Përparësia më e lartë e presidentit është mbrojtja e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në kushte të rrezikshme”, tha zonja Watson. “Shtetet e Bashkuara do të reagojnë në kohën dhe mënyrën që zgjedhin nëse vazhdojnë sulmet”.

Sulmi i fundit ndaj trupave amerikane vjen pas disa muajsh përshkallëzimi kërcënimesh dhe sulmesh kundër forcave amerikane në rajon, pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor që shkaktoi luftën shkatërrimtare në Gaza.

Shkëmbimet e zjarrit janë shtuar që kur grupet militante të mbështetura nga Irani, nën grupin ombrellë të quajtur Rezistenca Islamike në Irak dhe Siri, filluan të godasin objektet amerikane më 17 tetor, datë kur një shpërthim në një spital në Gazë vrau qindra njerëz.

Grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer më shumë se 100 sulme ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas më shumë se dy muaj më parë.

Në nëntor, avionët luftarakë amerikanë goditën një qendër operacionale të organizatës ‘Kataib Hezbollah’ dhe një nyje komande dhe kontrolli, pas një sulmi me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi ndaj forcave amerikane në bazën ajrore Al-Assad në Irakun perëndimor.

Grupet e mbështetura nga Irani kryen gjithashtu një sulm me dron mbi të njëjtën bazë ajrore në tetor, duke shkaktuar lëndime të lehta. Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Iranin edhe për sulmet e militantëve Houthi në Jemen kundër anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq./VOA

Të fundit