E premte, 26 Korrik, 2024

“NXEHTË” NË BEOGRAD: OPOZITA KËRKON ANULIMIN E ZGJEDHJEVE

Në Serbi, forcat policore me pajisje për shpërbërjen e demonstratave të dielën në mbrëmje shpërndanë me gaz lotsjellës njerëzit e mbledhur në qendër të Beogradit të cilët për të shtatën ditë radhazi kërkuan anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor, – përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve. Raportohet se si rezultat i ndërhyrjes së policisë, ka të lënduar dhe të arrestuar. 

Forca të shumta të xhandarmërisë dhe policisë së qytetit, pak para orës 22, kanë janë nisur në veprim kundër demonstruesve nga ndërtesa e Kuvendit të qytetit të Beogradit, por edhe nga drejtime të tjera.

Kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet po kërkohet për shkak të, siç është thënë, “pengimit të vullnetit të qytetarëve”.

“Këto zgjedhje po anulohen”, – tha Marinika Tepiq, udhëheqëse e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila gjendet në grevë urie që nga 18 dhjetori, në shenjë proteste me rezultatet zgjedhore.

Disa politikanë opozitarë i janë bashkuar asaj në grevë të urisë, duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve.

“Ne duhet të rregullojmë ligjet për zgjedhjet”, – tha Sërxhan Milivojeviq nga Partia Demokratike, pjesëmarrës në protestë.

“Ne kemi fituar në Beograd, Beogradi është qytet i lire!”, – shtoi ai.

Protestuesit mbajtën pankarta, flamuj të Serbisë dhe të Bashkimit Evropian, dhe brohoritën “hajna”, – raporton REL.

Sipas rezultateve paraprake nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të fundjavës së kaluar Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi 46.72 përqind të votave.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” akuzoi SNS-në për mashtrime zgjedhore, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq pohon se zgjedhjet ishin të ndershme.

Misioni vëzhgues ndërkombëtar i OSBE-së, ndërkaq njoftoi se SNS fitoi epërsi për shkak të animit të menias, ndikimit të pashembullt të Presidentit Vuçiq dhe parregullsive gjatë procesit të votimit.

Sikurse njofton Zëri i Amerikës në serbisht, në një reagim të tij, drejtuar kombit, Vuçiq tha se policia kishte arrestuar 35 “banditë”.  Ai, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, dekaroi se trazirat në protestën para Kuvendit të Beogradit ishin të planifikuara dhe se ka besim se  do të reagojnë prokuroria dhe organet kompetente

“Nuk do të mund ta shkatërroni demokracinë dhe vullnetin elektoral të popullit”,-  tha Vuçiq.

Portali i pavarur “Dans”, raporton se pak para ndërhyrjes së forcave policore, profesoresha Biljana Stojkoviq nga lista “Serbia kundër dhunës” kishte deklaruar se grupi i vogël të rinjve të maskuar, që në ato momente po thyente xhamat e Kuvendit të qytetit, “nuk ishin studentët tanë”, por me siguri  “disa elementë të futur, huliganë apo të ngjashme”. BBC, ndërkaq bën të ditur se gjatë natës ka pasur arrestime të disa demonstruesve./ KDP&Agjencitë/

 

Të fundit