E premte, 26 Korrik, 2024

PËRFUNDON EDICIONI I DYTË I FORUMIT RINOR BE-BALLKANI PERËNDIMOR

Edicioni i dytë i Forumit Rinor Ballkanik të BE-së, organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në bashkëpunim me financimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, si dhe projektit të RCC-së, WB Youth Lab i financuar nga BE, përfundoi të premten (15 dhjetor 2023), në Novi Sad të Serbisë, transmeton KDP.MK. Forumi mblodhi më shumë se 30 të rinj nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian, duke ju dhënë kështu prioritet të rinjve që të shfaqin dukshëm përkushtimin e tyre ndaj komuniteteve lokale.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Kam kënaqësinë të them se ky edicion i dytë i Forumit i tejkaloi pritjet e mia. Të rinjtë që u mblodhëm këtu, kanë shprehur mendime të guximshme për të ardhmen e integrimit rajonal, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Konkluzionet që ata nxorën dhe na prezantuan sot, tregojnë pjekurinë politike dhe ekonomike të këtyre të rinjve. Kjo është inkurajuese për mua e për të gjithë ne, pasi tregon se këta të rinj janë e ardhmja jonë”, tha shefi i Departamentit Politik të RCC-së, Amer Kapetanoviq, duke iu drejtuar Forumit.

Kapetanoviq mes tjerash kujtoi sukseset rajonale të ndihmuara nga RCC-ja të cilat do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së jetës për të rinjtë, si Roaming Free Balkans Western dhe reduktimi i tarifave të roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe katër marrëveshjet e lëvizshmërisë që liderët e rajonit nënshkruan, gjë që do të mundësojë qarkullim të lirë të fuqisë punëtore, profesionistëve, studentëve dhe qytetarëve në përgjithësi.

Forumi treditor u dha mundësi pjesëmarrësve të kuptojnë dinamikën e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e aftësive njerëzore. Nëpërmjet seminareve dhe diskutimeve, të pranishmit fituan mjete dhe njohuri për të ndikuar në komunitetet e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin për mundësitë në një Evropë të zgjeruar. Konferenca përfundoi me delegatët e rinj BE-Ballkani Perëndimor që hartojnë konkluzionet, të cilat do të shërbejnë si bazë për bashkëpunim të mëtejshëm brenda dhe jashtë rrjetit EUBYF.

Të rinjtë janë protagonistë jo vetëm të së nesërmes, por të së sotmes. Ndaj kufijve duhet të ndiqet një qasje ndryshe, ajo e portave që hapen e ndërlidhen me njëra – tjetrën, jo e mureve që  ndahen”, tha Luca Gori, ambasador i Italisë në Serbi, i cili iu drejtua Forumit në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar.

Ai theksoi rolin që luan Bashkimi Evropian në jetën ekonomike të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht përmes tregtisë dhe investimeve. Në këtë kuptim, ai përsëriti angazhimin e Italisë dhe shteteve të tjera anëtare të BE-së si dhe Komisionit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor përmes, Planit të ri të Rritjes, shpallur së fundmi.

Krahas shefit të Departamentit Politik të RCC-së, Kapetanoviq, dhe ambasadorit të Italisë në Serbi, Gori, fjalën kryesore në hapje e ka mbajtur edhe Tanja Misceviq, Ministre për Integrime Evropiane të Serbisë.

Ndryshe, edicioni i parë i Forumit u mbajt në Romë në dhjetor 2021. Duke u dhënë prioritet të rinjve që shfaqin dukshëm përkushtimin e tyre ndaj komuniteteve lokale, bëhet e mundur që Forumi të lehtësojë partneritete kuptimplote midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për të adresuar nevojat dhe prioritetet e identifikuara.

Përfundimet e Forumit do të publikohen në faqet e internetit të EUBYF dhe RCC brenda pak ditësh.

 

 

Të fundit