E diel, 16 Qershor, 2024

FRIKA E GJERMANISË NGA BORXHET

Borxhet publike të Gjermanisë janë rritur, po sa i zhytur në borxhe është ky vend krahasuar me të tjerët? Dhe prej cilit moment borxhet janë të rrezikshme e të dhimbshme?

Borxhe, mali i borxheve, barra e borxheve- në mjaft media gjermane qarkullon një nocion që i është veshur Gjermanisë prej kohësh, “german fear”, frika gjermane ndaj borxheve shumë të mëdha.

Bota jashtë e shikon më me ftohtësi këtë problematikë. Gjermania ka shumë probleme, por nuk janëborxhet problemi, shkruan revista e njohur “Economist”, përballë dilemës gjermane të borxheve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar të pavlefshëm riorientimin për qëllime të tjera të 60 miliardë eurove kredi të rezervuara nga pandemia. Tani këto para mungojnë për investime të rëndësishme. Pra të kursesh apo të marrësh borxhe të reja?

Kur borxhet kthehen në barrë?

Kur janë të rrezikshme borxhet? Përgjigjja më e thjeshtëzuar do të ishte: gjithmonë kur për shtetet bëhet shumë e shtrenjtë pagesa e tyre. Dhe të rrezikshme ato bëhen kur Christian Esters dhe ekipi i tij ulin gishtin e madh. Esters drejton agjencinë S&P për vlerësimin e borxheve publike. S&P është agjencia më e fuqishme e vlerësimit të aftësisë së kreditimit, para Moody’s dhe Fitsch. Vendimet e kësaj agjencie mund të kenë pasoja për shumë vende, sepse ato përcaktojnë kur shtetet janë të falimentuara dhe sa kushtojnë borxhet e reja. Sa më të këqia vlerësimet, aq më e shtrenjtë bëhet marrja e borxheve të reja.

Tek vlerësimi i gjendjes  financiare luan rol edhe niveli i borxheve, thotë Esters për DW. Këtu për agjencinë S&P ka rëndësi niveli i borxheve i matur me prodhimin e brendshëm bruto. Gjermania me shkallën 66% krahasuar në shkallë botërore ndodhet relativisht mirë. Vende të tjera si SHBA apo Japonia, matur me kapacitetin ekonomik, janë në gjendje më të keqe përsa i përket nivelit të borxheve.

Cilët janë matësit më të rëndësishëm të bonitetit?

Një matës që përdoret gjithmonë është borxhi i përgjithshëm publik. Njihet ajo ora e borxheve: Që nga viti 1950 akrepat e saj lëvizin gjithnjë në një drejtim: aktualisht borxhi i përgjithshëm publik i Gjermanisë ndodhet në 2,5 bilionë. Brenda Eurozonës Gjermania ndodhet me këtë pas Francës dhe Italisë në vendin e tretë. Por për Esters nga agjencia S&P borxhi i përgjithshëm i një vendi nuk është tregues tejet i rëndësishëm. “Borxhi i një shteti absolutisht injoron marrëdhënien me ekonominë popullore”, thotë eksperti. Nganjëherë si matës tjetër merret edhe borxhi për kokë. Në Gjermani ky borxh është 31.000 euro për kokë.

Por tek boniteti i një vendi ky matës nuk luan rol të madh. Sepse sidomos vendet e veriut global sipas këtij vlerësimi dalin më të zhytura në borxhe, se vendet në ekspansion me popullsi të mëdha. Edhe Esters nuk e shikon me relevancë një masë të tillë. Krahasimi i vendeve të pasura me ato të varfra nuk ka kuptim e është çorientues, thotë ai.

Borxhi shtetëror është vetëm një aspekt në vlerësimin e bonitetit. “Ka një sërë faktorësh të tjerë, si për shembull kostot e normave të interesit për borxhin publik.” Sa më të larta normat e interesit, aq më të shtrenjta bëhen borxhet. Dhe sa të larta janë normat e interesit varet nga inflacioni. Nëse inflacioni është i lartë, bankat qendrore përpiqen të kundërveprojnë me norma të larta interesi – nëse kanë efekt. Sipas Esters, “inflacioni është një nga faktorët që bashkëpërcaktojnë efektivitetin dhe besueshmërinë e politikës monetare”.

Përsa i përket inflacionit, Gjermania ndodhet në nivel mesatar krahasuar në shkallë botërore. Inflacioni botëror në vitet e fundit është rritur, por krahasuar me vitet 80-të apo 90-të ai është i moderuar. “Inflacioni i lartë mund të çojë në dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e aftësisë konkurruese në botë”, thotë Esters. Prandaj inflacioni është një matës i rëndësishëm për vlerësimin e agjencive të rating.

Faktorët politikë

Për ka edhe faktorë politikë. “Ka rëndësi që të theksojmë se, nuk marrim në konsideratë vetëm faktorët fiskalë. Sidomos vitet e fundit kanë treguar, se parashikueshmëria dhe stabiliteti i institucioneve luajnë një rol të rëndësishëm. Shtetet mund të bien në krizë borxhesh edhe për shkak të institucioneve të dobta në vend”. Por këtu qarku mbyllet, sepse borxhet mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Kështu S&P ka konstatuar, se borxhi shtetëror botëror është rritur me 8%. Kjo rrit nga ana e saj presionin ndaj buxhetit të shtetit, sidomos kur normat e interesit janë të larta. “Një pjesë e madhe e të ardhurave shtetërore duhet të jepet për të paguar normat e interesit. Kjo kufizon fleksibilitetin fiskal, për shembull për të reaguar ndaj goditjeve të ardhshme apo krizave.”

Që borxhet e larta nuk kanë patjetër të bëjnë me rezerva më të ulta të ekonomive shtëpiake këtë e tregojnë kuotat e kursimeve në Gjermani dhe SHBA. E megjithë borxhet e larta në vitet e kaluara për paketat e Coronës, ristrukturimin e ekonomisë dhe luftën e Ukrainës tek S&P ka pasur më shumë vlerësime pozitive për bonitetin. Kurse në lidhje me vitet e ardhshme, Esters ka një qëndrim tjetër. “Ne presim pas një ose dy vjetësh më shumë vlerësime negative se pozitive.” Vendimtare për zhvillimin nuk janë malet me borxhe, por rreziqet politike. Edhe për Gjermaninë, eksperti Esters është optimist, megjithë borxhet e reja./DW

Të fundit