E shtunë, 27 Korrik, 2024

RUSIA DEKORON ISH-KRYESPIUNIN SERB ALEKSANDAR VULIN

Ish-shefi i Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA), Aleksandar Vulin, ka qëndruar në Moskë, ku është takuar me strukturat më të larta të sigurisë të Federatës Ruse. Vulin u prit nga Sekretari i Këshillit rus të Sigurisë, Nikolay Patrushev dhe Drejtori i Shërbimit të Jashtëm Informativ, Sergej Naryshkin, – përcjell kdp.mk duke iu referuar medias ruse dhe asaj në rajon.

Siç është bërë e ditur, Naryshkin për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm profesional dhe personal për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë e ka dekoruar Aleksandar Vulinin me “Medaljen për Bashkëpunim”.

Është simptomatike, thotë portali aktuelno.me, se medalja që i është dhënë Vulin-it është emërtuar “medalje për bashkëpunim”,  gjë që tregon qartë se për kë ka punuar Vulini kur ishte kreu i Agjencisë Serbe të Zbulimit(BIA).

Medalja, siç u kumtua pas takimit, është, “përveç mirënjohjes për profesionalizëm të jashtëzakonshëm, edhe dëshmi e respektit të Shërbimit të Jashtëm Informativ  për guximin dhe vendosmërinë e Aleksandër Vulinit që, përkundër sanksioneve personale, nuk po iu nënshtrohet presioneve të Perëndimit  në dëm të interesave serbe”.

Gjatë qëndrimit në Moskë, Vulin u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes të Federatës Ruse, gjeneralin Sergei Shoigu.

Shoigu citohet të ketë thënë se Aleksandar Vulin edhe një herë vendosi interesat e vendit të tij mbi interesat personale.

Përveç që Moska zyrtare, duke ia dorëzuar medaljen Vulinit, e bëri të qartë se për kë ka punuar ai,  megjithatë mesazhi kryesor është se – i dhanë sinjal autokratit serb, Aleksandar Vuçiq se më nuk e mbështesin si dhe se nuk e falin që nën presionin e Amerikës e shkarkoi njeriun e tyre nga kreu i BIA-s.

Pritja dhe dekorimi i Vulinit është një sinjal i qartë se Rusia “votoi” kundër Vuçiqit në zgjedhjet e afërta.

Në fillim të korrikut të këtij viti Shtetet e Bashkuara të Amerikës  vendosën sanksione ndaj politikanit serb Aleksandar Vulin, i cili drejtonte  Agjencinë serbe të Zbulimit, për përfshirje në aktivitete korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Përkundër refuzimit fillestar që ta shkarkojë, Vuçiq e bëri këtë në fillim të nëntorit, – rikujton kdp.mk.

Të fundit