E premte, 17 Maj, 2024

TANI FJALËN E KEMI NE

Javën që lamë pas në Bruksel ka përfunduar skriningu dypalësh për kapitullin 31 të klasterit VI që mbulon politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në mbledhjen përmbyllëse, Sekretarja Shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu – ka bërë një rikapitulim të punës voluminoze në përpjekje për t’iu bashkuar familjes evropiane.

Shkruan: Drita Abdiu- Halili*

Javën e kaluar në Bruksel, Maqedonia e Veriut përfundoi me sukses skriningun me Komisionin Evropian. Dua të theksoj se bëhet fjalë përnjë proces shumë të rëndësishëm që është edhe faza e parë e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sa për ilustrim, skriningu filloi me 15 shtator të vitit 2022 dhe ishte një proces i gjatë i cili kërkonte shumë angazhim dhe përkushtim nga delegacioni dhe administrata shtetërore. Gjatë këtyre 15 muajve, arritëm që të bëjmë një analizë të detajuar rreth asaj se ku dhe si qëndrojmë në aspekt të harmonizimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së për çdo kapitull dhe fushë si dhe të identifikojmë kapacitet e nevojshme administrative, njerëzore dhe materiale për implementim.

I përkthyer në numra, procesi i shkriningut duket kështu: gjashtë klasterë, 33 kapituj dhe tri fusha, më shumë se 90 ditë pune të seancave të skriningut në Bruksel, mbi 850 prezantime të realizuara ngadelegacioni i Maqedonisë së Veriut, më shumë se 900 përfaqësues të administratës sonë shtetërore morën pjesë aktive në proces, mbi 800 ekspertë të Komisionit Evropian nga fusha të ndryshme, 206 institucione nga Maqedonia e Veriut të kyçura në proces dhe më shumë se 4500 akte, masa, rregullativa dhe direktiva të prezantuaranga Komisioni Evropian.

Gjatë skriningut rezultoi që si shtet kemi një nivel të mirë të transponimit të legjislacionit, diku mbi 46%, por sfidë akoma mbetet implementimi. Këtë çështje do të duhet ta adresojmë dhe të punojmë intenzivisht në periudhën që vjen, gjatë hapjes së klasterëve, mbylljes së kapitujve, duke reformuar dhe zhvilluar shtetin tonë, deri në anëtarësim të plotë në Union. 

Ndjehem e privilegjuar që kisha nderin të udhëheq pjesën më të madhe të seancave të skriningut. Ishte një eksperiencë ku të gjithë punuam dhe mësuam bashkë. Gjatë rrugës arritëm të bëjmë shumë miq brenda Komisionit Evropian, kurse mbështetja dhe udhëzimet e tyre, kontribuan që ta mbarojmë me sukses këtë proces. 

Falënderoj të gjithë për bashkëpunimin. Dëshmuam se jemi gati të vazhdojmë negociatat, të hapim klasterët, dhe të arrijmë qëllimin tonë strategjik, anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030.
Tani mbetet që vetë të sjellim vendimet e nevojshme të cilat i kemi si obligim nga nënshkrimi i kornizës negociuese për hapjen e bisedimeve me BE-në, dhe të miratojmë ndryshimet kushtetuese. Tani fjalën e kemi ne. Mund të fitojmë, por edhe të humbasim shumë me një vendim të vetëm! 

Ajo ku duhet të koncentrohemi në periudhën që vjen është padyshim Plani për zhvillim për Ballkanin Perëndimor, që është njënga projektet më shpresëdhënëse, i cili do të përshpejtojë integrimin tonë në BE, do të nxisë bashkëpunimin rajonal, si dhe do të zhvillojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në anëtarësimin e plotë në BE. Javën e kaluar në Bruksel prezantuam planin fillestar të Qeverisë, lidhur me reformat kyçe që do të realizohen në kuadër të Planit për Zhvillim të Ballkanit Perëndimor. Implementimi i këtyre reformave do të lidhet drejtpëdrejtë me mjetet financiare që do t’i marrim për financim të projekteve zhvillimore në sektorin energjetik, të transportit, digjitalizimit dhe kapitalit njerëzor.

*Fjalë e mbajtur në përfundimin e skriningut me BE-në në Bruksel

 

Të fundit