E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DËSHIRON OPOZITA TA MUND VUÇIQIN?

Pse nuk mund t’i përgjigjen pyetjes shumë të thjeshtë – ja, imagjinoni se fitoni zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe e merrni pushtetin: cila do të ishte për ju zgjidhja për Kosovën? Të shkojmë një hap më tej në këtë fantazi, që i gjithë komuniteti ndërkombëtar thotë „Kosova është pjesë e Serbisë“, dhe të tërheqë njohjen – si mendoni saktësisht se mund të detyroni 97 për qind të popullsisë shqiptare të jetojë në „martesë“ me Serbinë, pas gjithë asaj që ka ndodhur? Njerëzit nuk duan. Nuk ka recetë.

Shkruan: STEVAN FILIPOVIQ*

Më mban shpresa se tri dekada pas ardhjes së Slobodan Milosheviqit në pushtet, më nuk ka asnjë milimetër hapësirë ​​për të diskutuar për rezultatet e politikave të tij. Për publikun më të zgjuar, nuk ka ekzistuar as para se të vinte në pushtet; për ata të rangut të mesëm – ajo hapësirë ​​humbi pas luftërave të para, hiperinflacionit, çintegrimit të plotë të shoqërisë në humbëtirë, luftërave dhe krimeve; madje edhe për publikun me biletat më të lira, çdo bisedë do të duhej të ndërpritet pas luftës në Kosovë, bombardimeve dhe nënshkrimit të kapitullimit.

Megjithatë, në këto zgjedhje të reja, të cilat i shpall sipas tekeve të tij  trashëgimtari i politikës së Slobodan Milosheviqit, Aleksandar Vuçiq, për “opozitën” e shkallmuar, duket se prapëseprapë ka vend për një rivlerësim të trashëgimisë politike të Milosheviqit.

Për cilin aspekt të kësaj themelate po flas, pasi ka disa?

Qoftë pushteti apo opozita, tash një çerek shekulli shumica e politikanëve në Serbi flet – gënjen – se Kosova është pjesë e Serbisë. Prej një çerek shekulli po e shtyjnë nën qylim luftën, krimet dhe kapitalimin. Një çerek shekulli ne votojmë për të keqen më të vogël (unë edhe do të vazhdoj, si duket kam një të metë sistemore), dhe i racionalizojmë vetes racionalizimet e tyre – ndoshta janë budallenj, ndoshta vërtet mendojnë se Kosova është pjesë e Serbisë, ndoshta ata e marrin vërtet seriozisht preambulën e Koshtunicës (preambula e futur me forcë në Kushtetutë në një plebishit të përsëritur dhe të dyshimtë ligjërisht, me qëllimin direkt për të çimentuar gënjeshtrën), ndofta prijësit populist me sondazhet e opinionit publik që pohojnë se entiteti imagjinar i quajtur „populli“, nuk do ta pranojë politikën që publikisht e thotë të vërtetën… Një çerek shekulli. Ku ishin Franca dhe Gjermania, një çerek shekulli pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore? Ku ishte Japonia?

Ndërsa e vërteta është e thjeshtë – Kosovën e humbi në mënyrë të pakthyeshme krimineli i luftës Milosheviq kur nënshkroi kapitullimin. Në Kosovë jetojnë pothuajse dy milionë shqiptarë të cilët nuk duan kurrë më të jetojnë në të njëjtin shtet me serbët, madje duan të pastrojnë etnikisht ata pak serbë që kanë mbetur atje poshtë. President aktual i Kosovës është nacional-shovinisti Kurti, me të cilin nuk ka mundësi për dialog për fatin e atyre serbëve, përveç presionit të madh të BE-së apo SHBA-së.

E dimë pse gënjen Vuçiq. Praktikisht çdo fjalë që ai thotë është e pavërtetë. Po pse opozita gënjen veten dhe neve?

Pse nuk mund t’i përgjigjen pyetjes shumë të thjeshtë – ja, imagjinoni se fitoni zgjedhjet në të gjitha nivelet dhe e merrni pushtetin: cila do të ishte për ju zgjidhja për Kosovën? Të shkojmë një hap më tej në këtë fantazi, që i gjithë komuniteti ndërkombëtar thotë „Kosova është pjesë e Serbisë“, dhe të tërheqë njohjen – si mendoni saktësisht se mund të detyroni 97 për qind të popullsisë shqiptare të jetojë në „martesë“ me Serbinë, pas gjithë asaj që ka ndodhur? Njerëzit nuk duan. Nuk ka recetë. Ja, shikoni Netanyahun. Pra, edhe ky skenar i pamundur nga ëndrrat e nacionalistëve serbë do të ishte vetëm një prelud në një konflikt të pafund, i cili për hir të “Kosovës” do ta shkatërronte këtë pak Serbi që kanë mbetur.

Boris Tadiq u përpoq, në egon dhe budallallëkun e tij joreal, i këshilluar nga këshilltarët e sotëm të Vuçiqit, të shtyjë këtë historinë „edhe Kosova edhe Evropa“, dhe kështu e solli Vuçiqin në pushtet (fhallall i qoftë për fletët e bardha, ama nihilizmi i tyre, statistikisht, megjithatë ishte vetëm katalizator që pati më shumë ndikim në shembjen e Serbisë së Dytë sesa në ato zgjedhje).

Vuçiqi, që nga ardhja në pushtet, manipulon dhe udhëheq dy politika, njërën të qepur për të huajt (të cilëve u premton gjithçka, qoftë BE-së, Amerikës, Putinit ose “vëllaut Xi”), dhe tjetrën  të qepur për përdorim të brendshëm. Kjo politika vendore është në fakt një metastazë e ideologjisë së Sheshelit – që nga Serbia të bësh derr dhe Kooperativë, antiperëndimorizmëm histerik, rusofili deri në atë masë sa të të vijë turp para refugjatëve rusë të shikosh grafite nëpër rrugët e qyteteve tona dhe të çimentosh mitin për Kosovën. Cili është qëllimi përfundimtar i kësaj politike skizofrenike, në shikim të parë, të zhonglimit, vetëm autokrati e di, por rezultati praktik është se gënjeshtra e përsëritur mjaft herë në trurin e shpëlarë dhe shpirtin e shkatërruar të popullatës vendase, e ngre histerinë mitomane nacionaliste në nivelin e parastërvitjes ushtarake (në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe, natyrisht, konstantë politike e së cilës është për dekada).

T‘i kthehemi opozitës dhe zgjedhjeve. Politikanët opozitarë pro-evropianë publikisht ende mbajnë qëndrimin se Kosova është – Serbi. Pojojnë, paralelisht me këtë se janë për BE-në. Mirëpo, nuk janë për NATO-n. Ani.

Këtë, pas 30 vitesh, refuzoj t’ia atribuoj marrëzisë. E di se në autokracinë mafioze të cilën e vendosi Vuçiqi është vështirë të jesh opozitë  –  u jeni i ekspozuar fyerjeve, kërcënimeve, shantazheve të vazhdueshme, zvarritjes nëpër tabloide dhe dhunës fizike. Në këtë mënyrë Vuçiq pakësoi numrin e njerëzve cilësorë që do të kishin luksin dhe guximin të merreshin fare me politikë. E kuptoj se njerëzit që aktualisht merren me politikë në Serbi nuk janë liga e parë, as e dyta dhe nuk janë as hije e zbehtë e disa përfaqësuesve të gjeneratave të mëparshme për nga formimi politik dhe i përgjithshëm për nga nga aftësia për të menduar në mënyrë abstrakte, për nga kapacitetet për të kuptuar disa procese dhe rrjedha më të gjera në politikën botërore.

Mirëpo, askush nuk është aq budalla sa të mos kuptojë se situata gjeopolitike ka ndryshuar dhe është binarizuar deri në atë masë me klerofashizimin e plotë të Rusisë dhe agresionin ndaj Ukrainës, saqë nuk ka më lojë neutraliteti. Nuk mund të jesh për BE-në dhe të mendosh nëse Rusisë duhet vendosur sanksione. Jo, ai tren iku. Kaherë. Nuk mund të thuash se je për BE-në dhe të përsërisësh gënjeshtrat e Milosheviqit dhe Vuçiqit, dhe me këtë rast të mos kesh plan për ditën që vjen.

Bota tani është e ndarë përgjithmonë në regjime të forta autoritare (Rusia, Kina), teokraci (bota islame) dhe bastionet e fundit të qytetërimit evropian (BE, me të gjitha papërsosmëritë dhe problemet e veta). Këtu është edhe një faktor tjetër i ndryshuar përgjithmonë – bomba me sahat e quajtur SHBA, një sharrë midis një demokracie të ngrënë nga kapitalizmi i fortë dhe një sekti të zgjuar fetar, nga njëra anë, dhe kultit klero-fashist që e përbëjnë republikanët, në anën tjetër. Kështu që është e vështirë të mbështetesh në to. Duke pasur parasysh se 38 për qind e investimeve në Serbi vijnë nga BE-ja, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet se kush është këtu aleati ynë logjik.

Por hapësira për çfarëdo veprimtarie politike po na ngushtohet me shpejtësi. Serbia mbase në vitin 2012, humbi trenin e fundit për të qenë pjesë e familjesevropiane të shteteve dhe ka zgjedhur të jetë një Kolumbi, Ruandë, Venezuelë… Përgjithmonë.

Ekzton një shans mikronik që mbase edhe mund të mos jetë, por kjo do të kërkonte një shkëputje radikale nga gënjeshtrat dhe e kaluara nga ana e opozitës që nominalisht e do “Serbinë në BE”. Pranimi i opozitës se “Serbia në BE” nënkupton pranimin e disfatave dhe të gabimeve të së kaluarës, pajtimin me fqinjët, dhënin fund politikave të dyfishta, dhënien fund gënjeshtrës se Kosova është pjesë e Serbisë, të vërtetës për luftërat, përfshirë edhe bombardimin dhe, së fundi, dëshirën për integrime europiane dhe euroatlantike, pa “por”. Sepse, kjo “por” është maja e peshores që e shtyn opozitën në taborrin e Vuçiqit dhe në baltën e politikës së konfliktit të pafund që na i kapërdiu tri dekadat e fundit.

Dhe prandaj pyetja nga titulli i këtij teksti – ndoshta fjala është me të vërtetë për tehun e Occam-it, dhe zgjidhja më e thjeshtë është e saktë: nëse opozita di gjithë këtë që kam shkruar, dhe ende këmbëngul në populizëm dhe gënjeshtra, ndoshta  vërtet nuk duan ta mundin Vuçiqin? Ndoshta Shollakut i përgjigjet në mënyrë të përsosur afariste pozicioni dhe vendi në të cilin ai ndodhet? Meqenëse nuk e shoh se si është e mundur që edhe madje një njeri shumë i kufizuar intelektualisht të mos kuptojë se nuk mundet “edhe” plus “edhe”, ndaj nuk shoh çfarë përfundimi tjetër të nxjerr? Ata ankohen se nuk kanë mbështetje nga partnerët e tyre të BE-së – e po, pash zotin, pse ta kenë kur u shkojnë rreth e rrotull punëve të tilla ashiqare aq të thjeshta sikurse janë sanksionet kundër Rusisë ose pranimi i planit franko-gjerman (të cilin e quajnë “tradhëti”)? Ndoshta e kam gabim, ndoshta megjithatë mendojnë se kështu do të arrijnë në BE, por se të gjithë jemi budallenj dhe se nuk është e mundur t’i ndajmë ato plane me njerëzit që duhet të votojnë për ju, se duhet ta shtyjnë populizmin derisa të fitojnë mjaft leva pushteti nga oktapodët mafioz, për të qenë në pozitë të bëjnë disa ndryshime të vërteta?

Në këtë rast, pse kurrë deri tani po kjo strategji nuk dha rezultate, çfarë ka ndryshuar tani, që të mendojnë se do të jetë ndryshe? Në mënyrë kolaterale, nuk e di nëse janë të vetëdijshëm se sa herë që përsërisin një gënjeshtër, ata marrin pjesë në çimentimin e asaj gënjeshtre edhe në formatimin e trupit zgjedhor, i cili nuk është një faktor statik dhe që nesër nuk do të votojë për ta, por për nacionalistët dhe rusofilët me të ngurtë? Nuk janë, janë, nuk u intereson? Nuk e di.

Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Mendoj se do të ishte jo e ndershme të shkruhet një tekst i tillë, para zgjedhjeve, pa dhënë ndonjë përgjigje për zgjedhjen personale në situatën e dhënë (e cila, me sa duket, nuk do të ndryshojë deri në zgjedhje).

Duke marrë parasysh gjithçka që është shkruar, edhe më tej do të votoj për koalicionin opozitar Serbia kundër dhunës. Të paktën për të parë çarjen e parë në monolitin e oktapodit mafioz me të cilin Vuçiqi shkatërroi të ardhmen e këtij vendi, lejoi agjencinë ruse të bëj kërdi nëpër Serbi, shkatërroi dhe me vëllazërinë shiti copat e fundit të qytetërimit jugosllav, me pasurimin dhe etablimin personal  në të gjitha nivelet e llumit më të madh që ankoroi këtë shoqëri në historinë e saj. Le ta mundin, madje edhe nëse nuk duan ta mundin. Le të marrin Beogradin ose ndonjë qytet tjetër të Serbisë. Më pas, deshtën ose jo, do të duhet t’i hapin letrat pak më shumë.

*Marrë nga: pescanik.net/ Përkthjeu: kdp.mk

Të fundit