E shtunë, 27 Korrik, 2024

VRASJA E LIRIDONËS: NË PARABURGIM EDHE I DYSHUARI I KATËRT

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të hënën masë paraburgimi për T.D, i dyshuari i katërt që besohet se lidhet me vrasjen e Liridona Murselit.

Në një komunikatë për media, nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kësaj mase.

Liridona është vrarë më 29 nëntor, në një fshat afër Prishtinës.

Për tre burrat, që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje – përfshirë burrin e saj Naim Murselin – gjykata e ka vendosur masë të njëjtë paraburgimi, ditë më parë.

Ditëve të fundit është arrestuar i dyshuari i katërt, T.D.

Sipas një komunikate të lëshuar nga gjykata, i pandehuri dyshohet që nëse gjendet në liri, mund të ndikojë te të dëmtuarit dhe në dëshmitarë.

Ai besohet se më 29 nëntor, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës, dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ua ka shitur armën N.M dhe G.P, e cila më pas dyshohet se është përdorur për kryerje të vrasjes.

Vrasja e Liridonës është dënuar ashpër nga autoritetet në Kosovë, dhe është bërë thirrje për drejtësi.

Zemërim të shtuar ka shkaktuar fakti se, dyshohet që vrasja është kryer në prani të dy fëmijëve të Liridonës.

Trupi i saj është zhvarrosur, disa ditë pas varrimit, për t’u rivarrosur te varrezat e familjes së saj.

Vetëm këtë vit, në Kosovë janë vrarë katër gra.

Në periudhën janar-nëntor, në këtë vend janë raportuar rreth 2.000 raste të dhunës në familje.

Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, 90 për qind e viktimave të kësaj dhune kanë qenë gratë dhe vajzat.

Të fundit