E shtunë, 27 Korrik, 2024

TALAT XHAFERI NË KTHETRAT E INTOLERANCËS ET(N)IKE

Nga 28 janari 2024, Talat Xhaferi pritet të jetë, deri në formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i parë shqiptar. Partia BDI e Ali Ahmetit e vë kështu në jetë një premtim parazgjedhor, ndërkohë që opozita maqedono-shqiptare, për arsye që ajo i di më së miri, nuk po resht së atakuari këtë vendim politik të partnerëve të koalicionit qeverisës me të cilin thehen disa tabu historikisht të pranishme  për shqiptarët, edhe në këto troje: Një flamur kombëtar (krahas atij shtetëror) në tavolinën e tij si kryeparlamentar, për të parët, shto këtu edhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov(!?) është bërë halë në sy, ndërsa për të dytët, duket se “kryeministri i parë shqiptar”, për arsye që mund të nënkuptohen, është një kafshatë që s’kapërdihet, në rrugën për të sjellë “ndryshimin”!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Talat Xhaferi (61), në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, nga 2002-shi e këtej, ka demonstruar një vendosmëri, çfarë do ta kishin lakmi edhe oponentët e tij më të mëdhenj: I pranishëm në të gjitha legjislaturat parlamentare, ushtaraku, për nga përgatitja profesionale, çmohet sot si kryeparlamentari më i mire (së bashku me Stojan Andovin), një arritje kjo, thonë ata që e njohin, falë vendosmërisë, vullnetit e durimit, për t’i çuar punët deri në fund.

Ushtaraku që, në bisedë me autorin e këtij shkrimi, nga modestia thotë se është vetëm “një ushtar i Ali Ahmetit”, nëse nuk ndodhë ndonjë e papritur, do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e pavarur.

Përtej shpërfilljes së pritshme nga taborri opozitar maqedono-shqiptar dhe goditjeve “poshtë brezit”, Xhaferi ka demonstruar gjithë këto vite një disiplinë që garën politike partiake e ndëretnike e ka bërë historikisht më të shëndetshme dhe, duke ua mbyllur gojën gojëkëqijve se “shqiptarët nuk munden”, ia ka dalë të imponohet me një profil politikani e pse jo edhe shtetari i cili nuk lëshohet kollaj në kompromise.

Atij i duhet pranuar guximi, kur fill pas pavarësisë u rreshtua në radhët e Armatës Popullore të Maqedonisë, njësoj si dhe kur më 2001-shin iu bashkua UÇK-së. Dhjetë vjet më vonë, deputeti Talat Xhaferi bëri lajm edhe në median botërore: Me mbajtjen e fjalimeve maratonike e, edhe në heshtje, bllokoi miratimin e Ligjit të atëhershëm të debatueshëm për “branitelat”. Duke i shfrytëzuar mundësitë procedurale, ai praktikoi të ashtuquajturin “filibuster”, një rregull ky që përmes fjalimeve pafund, krijon mundësinë e bllokimit të miratimit të ligjeve. Dhe, ia doli!

“Talati di ku shkel, për shkak se është i punës,” – të thonë ata që e njohin, dhe argumentojnë: procedurat parlamentare nuk janë “rregulla shërbimi”, është zotësi t’i bësh një qëndrimet skajshmërish të kundërta të pozitë-opozitës (e fundit – konsensusi për Rregulloren e re të Parlamentit), të demonstrosh konsekuencë aty dhe atëherë kur duhet, apo edhe të marrësh fjalën diku kur bilbilfryrësit të të kenë thënë “mos shko se do të godasin”!

Lexoj, dëgjoj, e shikoj në media, edhe në “TikTok” debate e akuza të qarqeve opozitare maqedonase e shqiptare, përse pikërisht Talat Xhaferi të jetë, sikurse thonë “kryeministër teknik” në njëqinditëshin e fundit të kësaj Qeverie: Në fakt, them se pluhuri i ngritur nuk ka të bëj aq shumë me arsye “etike” sesa me ato etnike. Një flamur kombëtar (krahas atij shtetëror) në tavolinën e tij si kryeparlamentar, për të parët, shto këtu edhe ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov(!?) është bërë halë në sy, ndërsa për të dytët, duket se “kryeministri i parë shqiptar”, për arsye që mund të nënkuptohen, është një kafshatë që s’kapërdihet, në rrugën për të sjellë “ndryshimin”!

 

Të fundit