E premte, 26 Korrik, 2024

DOKTOR DRINI, 3 VJET MË PAS!

Nga Rudina Xhunga

-Doktor Drini, çfarë të bëj? Babi ka probleme. Nuk e sjell dot në spital se kam frikë mos merr kovid.

Dhe doktor Drini e kishte gjithmonë një zgjidhje për të gjithë. Përveçse për vete. Ende, 3 vjet më pas, nuk arrij ta besoj që ai nuk është më, duke iu përgjigjur çdo mesazhi, duke të pritur sa herë ke një pyetje, duke mos pranuar asgjë në këmbim. Unë nuk e harroj kurrë, ditën kur u ula në karrigen përballë tij e dorëzuar, nga lodhja dhe trishtimi për ecejaket e babit në spital. Doktor Drini përballë që më shikonte dhe thoshte:

-Kjo kështu vazhdon Rudina dhe ka lodhje, ka shpenzime. Shikoj që nuk ke kemp për babin.
-Jo, i thashë. Nuk kam dhe as nuk di si merret.
Babi im kishte vetëm një pension mizerabël, që e merrte pas një jete mësues matematike dhe sado i mblidhte e zbriste lekët e zarfit të bardhë, nuk i dilnin as për ilaçe. Doktor Drini e nxori në kemp dhe unë nuk e harroj gëzimin e atij viti të tim eti, që mund të paguante me lekët e tij nevojat e veta, pa kërkuar nga vajzat, gjëja që e kishte sëmurur më shumë. Dhe shpëtimi i erdhi nga doktori i tij, që jo vetëm e dëgjonte pa u mërzitur. Si doktor Albani, thoshte im atë duke e krahasuar me të vetmin doktor që ia kishte marrë zemrën.
Unë nuk pata mundësinë ta falënderoj Doktor Drinin. Doja t’ i çoja verë të mirë në zyrë, ditën që babi im fluturonte se i erdhi shpërblimi nga shteti, si mësues i mrekullueshem i fëmijëve të këtij vendi. Në fakt shpërblimi erdhi nga Drini si i vetmi njeri që takova ato vite problemesh me babin, që më pyeti;

-Po lekët ku i gjen? Si ia bën në këto momente me lekët, mirë me të tjerat?
Dhe e kuptova pse doktor Drini ma bëri këtë pyetje, diten kur ai ishte në koma dhe familja e tij kërkoi ndihmë financiare nga miqtë. Sepse ka doktorë, gazetarë, e njerëz me funksione publike që ruajnë etikën dhe nuk vjedhin ende në këtë vend. Ata nuk janë të shkëputur nga realiteti dhe bëjnë ende pyetjet që bëjnë njerëzit normalë në Shqipëri. Ndaj ai ma bëri pyetjen: -Si ia del? Ndaj ai nuk kishte para për kurimin e tij nga kovidi që e mori në krye të detyrës. U përfshiva dhe unë, si shumë njerëz që e njohën dhe e deshën në ndihmat që u mblodhën për të. Por nuk ia doli. Doktor Drini na la 3 vjet më parë duke i munguar pacientëve te tij, por dhe më shumë fëmijëve e të afërmve të tyre, që vetëm ai dinte t’i qetësonte me dhuntinë e jashtëzakonshme të fjalës së një gjirokastriti unik.
Doktor Drini ishe fantastik! Fëmijët e tu, do rriten me mungesën tënde që nuk mbushet dot nga fjalët tona dhe mirënjohja për ty, por së paku lehtësohet. Sepse dy fëmijët e dy mjekëve të mrekullueshëm meritojnë ta dinë, që në këtë qytet ka njerëz të mirë. Si prindërit e tyre, doktor Drini e doktoreshë Florinda.

Të fundit