E shtunë, 27 Korrik, 2024

IRANI S’E LEJON FAMILJEN E AMINIT TË UDHËTOJË PËR TA PRANUAR ÇMIMIN E BE-SË

Autoritetet në Iran ua kanë ndaluar familjarëve të Mahsa Aminit, vdekja e së cilës në paraburgim policor vitin e kaluar shkaktoi protesta gjithëkombëtare kundër Qeverisë, udhëtimin jashtë vendit për ta pranuar çmimin Sakharov të Bashkimit Evropian (BE).

Dy prindërve dhe vëllait të Aminit u ishte thënë më 8 dhjetor në aeroportin e Teheranit, Iman Khomeini, se e kanë të ndaluar të udhëtojnë jashtë vendit.

Atyre iu konfiskuan pasaportat, tha një burim anonim për Shërbimin Farda të Radios Evropa e Lirë.

Avokati i familjes, Saleh Nikhbakht, i cili po i shoqëronte ata, u lejua të udhëtonte.

Më 19 tetor, Parlamenti Evropian ia ndau çmimin Sakharov 2023 Aminit dhe lëvizjes “Gra, Jetë, Liri”, e cila u formua pas vdekjes së saj.

Nominimi i Aminit dhe lëvizjes është “njohje e përpjekjeve të tyre të guximshme për të kërkuar të drejta për gratë”, tha David McAllister, kryetar i Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, kur njoftoi për nominimet për këtë çmim më 12 tetor.

“Parlamenti qëndron me të gjithë personat në mbarë botën që dedikojnë jetën e tyre në mbrojtje të vlerave demokratike”, shtoi ai.

Çmimi, i themeluar më 1980 për t’i nderuar individët dhe organizatat që i promovojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshin një shumë prej 50.000 eurove.

Çmimi do të ndahet më 13 dhjetor në Strasburg.

Iran – një fotografi e Mahsa Aminit në spital para vdekjes së saj (majtas), dhe babai dhe gjyshja e saj menjëherë pas vdekjes së saj.

Amini, një kurde iraniane, vdiq në paraburgim më 16 shtator 2022, pak pasi ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit, për gjoja shkeljen e ligjit të rreptë të Iranit për veshjen islamike.

Mbështetësit e saj thonë se ajo u abuzua fizikisht në paraburgim.

Të fundit