E shtunë, 27 Korrik, 2024

VOA: A PO I MBYLL BE-ja DYERT PËR SERBINË?

Duke kundërshtuar që Marrëveshja e Ohrit dhe aneksi i saj të bëhen pjesë e kapitullit 35 të negociatave, Serbia po mbyll derën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, – thotë për seksionin serb të Zëri të Amerikës, Robert Cooper, ish-ndërmjetës në dialogun teknik të Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara, përcjell kdp.mk, u bënë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të bëjnë përparim konkret në përmbushjen e detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian.

“Ne presim që të dyja shtetet të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet që dalin nga marrëveshja Themelore ( e Ohrit, shënim i red.) dhe aneksi”, – thuhet në përgjigjen për Zërin e Amerikës për mundësinë që këto dy dokumente të përfshihen në procesin e negociatave të Serbisë, përkatësisht në kapitullin 35, si dhe pohimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se kjo do të  nënkuptonte se Bashkimi Evropian po ia mbyll dyert Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Serbinë, Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e synimeve të tyre drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet euroatlantike”,  – konkludohet në përgjigjen për Zërin e Amerikës.

Me këtë qëndrim, diplomati britanik në pension reagoi ndaj pohimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përfshirja në kornizën negociatore të dokumenteve për të cilat Kosova dhe Serbia ranë dakord në gjysmën e parë të vitit 2023 do të nënkuptonte se Unioni po ia mbyll derën Serbisë.

Rrjedhimisht, kapitulli 35 në negociatat për anëtarësimin e Serbisë përfshin marrëdhëniet fqinjësore – respektivisht rregullimin e relacioneve  me Kosovën, e cila në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia.

“Bashkimi Evropian nuk dëshiron të jetë pjesë e problemit, por ta zgjidhë atë. Misioni i tij është që të gjithë anëtarët e Unionit të kenë një lloj të marrëdhënieve, jo normale, por supernormale me fqinjët e tyre”, – tha Cooper, i cili ndërmjetësoi dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën 2011-2012.

Bisedimet mes dy palëve filluan pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me kërkesë të Serbisë, në vitin 2010 vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk është shkel e drejta ndërkombëtare.

Unioni nuk dëshiron ndarje

“Ideja për ta futur Serbinë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që refuzon ta njohë pavarësinë e fqinjit të vet dhe ta pranojë atë si një shtet më vete, nuk është në thelb të Unionit. Kjo do të forconte ndarjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ajo që duam ne është që ato ndasi të zhduken”, – tha Cooper për  seksionin serb të Zërit të Amerikës.

Këshilli Evropian në samitin e liderëve evropianë në fund të javës së ardhshme,  duhet të deklarohet për konkluzionet për zgjerimin – një dokument ky që përfshinë Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Turqinë, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Në draftin të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, rekomandohet që Marrëveshja e Ohrit dhe aneksi i saj, me të cilat përcaktohen hapat në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshihen në pritjet dhe detyrimet e të dyja palëve.

“Duket ashiqare se këtu dominon ndjenja e urgjencës. Askush nuk e mban mend se kur të dyja palët kanë arritur ndonjë përparim më të rëndësishëm në bisedime”,- vëren Cooper – duke kujtuar zgjedhjet e ardhshme për përbërjen e Parlamentit Evropian, të cilat do të mbahen në qershor të vitit 2024.

Fillimi i vitit dhe arritja e Marrëveshjes së Ohrit ushqyen një dozë optimizmi se në dialogun prej më se një dekade ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me rezultate jashtëzakonisht të ndryshueshme, mund të ketë rezultat.

Mirëpo, në vend të kësaj, u mbajtën disa takime të pasuksesshme dhe u shkëmbye një retorikë e ashpër. Një hije e errët mbi të gjitha përpjekjet hodhi sulmi i armatosur i serbëve kundër policëve të Kosovës në fshatin Banjska, në veri të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, ka pasur gjithsej katër viktima, tre në anën e sulmuesve dhe një pjesëtar i policisë kosovare.

Normalizimi pjesë e procesit të aderimit

“Bashkimi Evropian gjithmonë ka vënë në dukje se marrëveshja gjithëpërfshirëse juridikisht e detyrueshme për normalizimin – është pjesë e rrugës së anëtarësimit të dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës. Kjo është pak e rëndësishme në rastin e Kosovës, sepse aktualisht nuk ka gjasa për anëtarësim – pasi pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj”, – shpjegon Toby Vogel – nga Këshilli joqeveritar për Politikat e Demokratizimit me seli në Bruksel.

Eksperti vë në pah se për të mosmarrëveshja e presidentit të Serbisë është e kuptueshme – për shkak se ai refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin e saj.

“Mirëpo, nuk është i nevojshëm pëlqimi i tij – Bashkimi Evropian mund ta përfshijë atë në kapitullin 35 në mënyrë të pavarur. Më duket se Bashkimi Evropian, në një farë mënyre, po përpiqet ta bindë atë të pranojë Marrëveshjen e Ohrit – si diçka të prekshme, sepse kjo deri tani nuk ka ndodhur. Asnjëra palë nuk veproi në përputhje me të – ishte, deri tani, vetëm në letër,”- thotë Vogel duke shtuar se momenti aktual është shumë më i rëndësishëm për Serbinë, e cila ka përshkuar një distancë të caktuar në procesin e anëtarësimit.

“Që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, qëndrimi i Bashkimit Evropian, edhe pse presidenti Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë, është se fjala është për një marrëveshje juridikisht obligative. Bëhet fjalë për një dokument për të cilin gojarisht janë zotuar të dyja palët. Ky është momenti kur kjo do të verifikohet”, – vë në dukje  Vogel.

Tonet e deritanishme nga Beogradi kanë aktualizuar edhe dyshimin nëse Aleksandar Vuçiq, manifestoi për herë të parë publikisht mundësinë ose gatishmërinë e Serbisë për t’i ndërprerë apo pezulluar negociatat me BE-në për anëtarësim – të filluara që në janar të vitit 2014?

“Është plotësisht e qartë se punët askund gjërat nuk po lëvizin, por nuk do të mund të flisja për mundësitë e ndërprerjes së plotë. Megjithatë, është i mundshëm një ngadalësim shtesë, sikurse në rastin e Turqisë”, thekson diplomati në pension Robert Cooper, duke kujtuar shtetin që nisi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin në vitin 1987 – pa pothuajse kurrfarë rezultatesh të prekshme.

Unionit i mjafton një Orban

“Është gjithashtu e nevojshme të vërehet se Serbia aktualisht nuk vepron si një kandidate e besueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për të është i mjaftueshëm një Viktor Orban. Serbia për nga forma  është demokraci, por a është ajo në realitet… A janë mediat të lira dhe a kanë të gjithë akses të barabartë … A do ta pasojë në një të ardhme të afërt ndonjë parti tjetër partinë në pushtet? Unë do të thoja jo”, – thotë Cooper.

Pothuajse paralelisht me procesin, institucioni i Bashkimit Evropian deklarohet për konkluzionet për zgjerimin, gjatë fundjavës së ardshme Serbinë e presin zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale. Me qëndrimin më të ashpër ndaj Bashkimit Evropian, a iu drejtua Presidenti i Serbisë votuesve të Partisë Progresive Serbe, të cilën ai e mbështet dhe nga lidershipi i së cilës u tërhoq kohë më parë?

“Aleksandar Vuçiq po qëndron në pushtet në mënyrë shumë të suksesshme në raport me konkurrentët e tij. Ai po i përdor zgjedhjet e ardhshme si një mundësi për të konfirmuar hapat e ardhshëm që planifikon të ndërmarrë, gjë që është interesante, sepse mendoj se ai nuk është përcaktuar përfundimisht për të gjitha ato. Ai dëshiron të sigurohet se do të mbetet në pushtet. Nëse ia del të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për të zbatuar vendime të vështira – rryma ultra-nacionaliste do të duhet të pajtohet me këtë. Në të kundërtën, ai mund të përballet me pasojat – gjë që tashmë u ka ndodhur liderëve të tjerë politikë në Serbi”,- shpjegon Richard Kremer – bashkëpunëtor i Institutit Amerikan për Hulumtime të Politikës së Jashtme (FPRI).

Alternativa kino-ruse, balancimi dhe fondet

Eksperti amerikan i vlerëson kritikat e Vuçiqit ndaj Bashkimit Evropian si të padrejta – duke vënë në dukje përpjekjet e shefes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që, siç thotë ai, ta afrojë Serbinë sa më shumë.

Alternativa për integrimet evropiane, siç nënvizon ai, do të ishte drejtimi kah lindja dhe animi kah shtetet si Kina dhe Rusia – të cilat, siç saktëson Kremer, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të administratës aktuale amerikane janë shënuar si kundërshtar dhe armik i drejtpërdrejtë.

Përpjekjet e shprehura për ta afruar Serbinë me vlerat evropiane, por edhe fondet e mëdha në para – për Tobi Vogelin flasin se presidenti i Serbisë vetëm për një moment përdori një retorikë pak më të ashpër kur foli për Bashkimin Evropian.

“Pyes veten pse çfarëdo acarimi do të ishte në interesin e Vuçiqit apo të Serbisë… Gjithnjë përderisa ai ia del të balancojë harmonizimin e tij politik me Kinën dhe Rusinë dhe përcaktimin kryesisht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe paratë,”- thekson analisti nga Brukseli.

“Ajo që për mua do të kishte kuptim është që ai të jetë i rëndë me fjalë, të përdorë retorikë të ashpër në raport me BE-në – për shkak të skenës mediatike lokale, e cila është e pamëshirshme në përçmimin e saj. Me fjalët se unioni po përballet me greminën dhe shpërbërjen – në një kohë kur anëtarësimin e mbështetsin 30 për qind e qytetarëve, kundrejt 50 për qindëshit në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, pse do të hiqte dorë nga gjithë ajo që i mundësoi të konsolidonte pushtetin e tij në Serbi?”- përfundon për Zërin e Amerikës Toby Vogel, ekspert në Këshillin joqeveritar për Politikën e Demokratizimit.

Konkluzionet për zgjerimin e Bashkimit Evropian janë planifikuar që të miratohen më 12 dhjetor nga ministrat për Çështjet Evropiane në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme. Ato më pas duhet të konfirmohen nga Këshilli Evropian në samitin e liderëve evropianë më 14 dhe 15 dhjetor./Marrë nga: glasamerike.net/Përktheu: KDP/

Të fundit