E shtunë, 27 Korrik, 2024

FRYMA E NGADALËSISË

Në këtë “mençuri” të pafundme belbëzimesh ekuivoke, mbetet tepër e vështirë të pajtosh kaq shumë marrëzi me kaq shumë vogëlsi. E thotë Monteskje: “Për të treguar atë që di nuk kërkohet mençuri. Por, për t’ua mësuar të tjerëve atë që nuk e di duhet mençuri e pafundme”. Në përballje me këtë mendjemadhësi të kudondodhur retorikash të përcipta vjen edhe lutja e Faik Konicës, që mbetet premisë substanciale shkrimi:  “Ati ynë që je në qiell jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë për të!

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Procesi i transponimeve kulturore zakonisht shoqërohet me vështirësi të shumta, me një varg amplitudash të skajshme që nganjëherë krijojnë nervozë dhe zhgënjim tek ata që vendosin potencën e vet intelektuale në qendër të këtyre “shndërrimeve”, të cilat  mbeten të pakapshme për “ mendjet e zakonshme”. Në këtë fluid të tmerrshëm ndryshimesh politike dhe ekonomike, pretendimi për ndryshime në jetën kulturore duket i zbehtë dhe gati i pavërejtshëm. Prudenca e njerëzve të kulturës duket se mishërohet me heshtjen e thellë të gjësendeve përreth. Në këtë “mençuri” të pafundme belbëzimesh ekuivoke, mbetet tepër e vështirë të pajtosh kaq shumë marrëzi me kaq shumë vogëlsi. E thotë Monteskje: “Për të treguar atë që di nuk kërkohet mençuri. Por, për t’u mësuar të tjerëve atë që nuk e di duhet mençuri e pafundme”.

Në një atmosferë të mbrujtur me paralizë të brendshme , duket se japin shpirt përpjekjet për të ndryshuar diçka në jetën tonë shoqërore dhe kulturore. Shumë ngjarje kulturore në këtë periudhë të stërzgjatur tranzicioni, na bëjnë të kuptojmë se është tepër e vështirë që të zhvendoset publiku nga receptimet e gjertanishme, të cilat tërësisht mbahen të “ konservuara” për kiç produksionet. “Ata kanë uri, por duan bukë dhe jo meze dhe ëmbëlsira”, thotë Ç. Millosh.

Kjo ngadalësi, që i jep tone të mërzitshme aspiratës për të modifikuar përmbajtjet kulturore  në frymën e trendeve moderne dhe në përputhshmëri me konfiguracionin e vlimeve aktuale, duhet të kuptohet si sfidë e përhershme për shqisat tona delikate, të cilat janë të mësuara me ndryshime të shpejta dhe të vrullshme. Ndryshimet kulturore rrokin përmasa shumë më të thella dhe gati është e pamundshme që të alternohen në jetën njerëzore me shpejtësinë e alternimeve të tjera, të sistemeve të tjera në të cilat gjallon qenia njerëzore. Është thënë që ndryshimet politike mund të bëhen brenda gjashtë muajve, ato ekonomike brenda gjashtë viteve, ndërsa ndryshimet kulturore zakonisht bëhen për një periudhë shumë më të gjatë. Sëkëndejmi, bartësit e këtij “misioni” mbeten të padukshëm, nga se ata nuk e kanë shkëlqimin e politikanëve dhe as “vitalitetin” e biznesmenëve. Ndikimi i tyre, mbi të gjitha, nuk i nënshtrohet karizmës, gllamurit dhe fetisheve të tjera që krijojnë tek njerëzit mobilizim të përnjëhershëm, vrull dhe entuziazëm. Ndikimi i tyre mbetet frymë që depërton ngadalë në poret e jetës njerëzore, që prek lehtësisht dhe pa mendjemadhësi shikimet e atyre që kërkojnë një dritare tjetër për veten dhe të tjerët.

Ky pretendim që ngulmon të ravijëzojë  në qenien njerëzore një ndërgjegje tjetër mbi jetën e njeriut, mbi raportet njerëzore, mbi realitetet e ndryshme shoqërore çapitet ngadalë në një botë të paplotë, nëpër baticat dhe zbaticat frymës njerëzore që kërkon të ngjitet në majat më të larta të bukurisë, të përsosmërisë dhe të humanitetit. Nëse sistemet e tjera që prekin pandërprerë jetën njerëzore stimulohen nga pragmatizmi i situatave dhe nga racionaliteti fatal që diktohet nga mbijetesa, pretendimi për të ndryshuar frymën e brendshme, për  të çliruar shfaqjet e brendshme  nga robërimet meskine i nënshtrohet përpëlitjes për  ta vendosur njeriun, jetën e tij në epiqendër të çdo lloj aktiviteti.

Sidoqoftë, kjo ngadalësi që përplaset padiktueshëm në grilat e dritareve të qenies sonë, nuk guxon të ngjizë në vete kuturbimin e myshqeve të kënetës, e cila po zgjeron pandërprerë praninë e saj. Një zë vazhdimisht duhet të jetë i pranishëm për të kumtuar tjetërsinë tonë. Ky zë që vjen i mekur në këtë kohë ka nevojë që të fuqizohet dhe të shtrijë praninë e vet në shoqëri, pa ato ngarkesat meskine të përçdoditshme. Për të artikuluar denjësisht këtë shqetësim, i cili tashmë ka kohë që sipërfaqësohet në jetën tonë publike, është e nevojshme që të përfillen shkëndijat e atykëtushme të njerëzve të kulturës, të cilat do të mundësonin që të ngjizej një mendim i ri mbi jetën kulturore dhe përgjithësisht mbi jetën tonë shoqërore. Ky proces kritik mëton një publik që është i gatshëm të marrë pjesë në artikulimin e formave dhe të aktiviteteve tjetërfare.

Vetëm interaksioni kulturor në hapësirën shqiptare mund të alternojë një vizion të ri mbi të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Duket se është momenti i duhur që të freskohet komuniki kulturor brendashqiptar me përmbajtje të reja dhe me krijues të rinj. Me keqardhje mund të themi se, ne shumë pak e njohim njëri-tjetrin dhe shumë pak bashkëveprojmë në “pushtimet” tona kuturore. Komunikimet e gjertanishme në rrafshin e kulturës nuk na sigurojnë njohje solide. Ata më tepër duken si një farsë, si një ritual për të përligjur bashkëpunimin, se sa si një përpjekje për të përçuar tek njëri-tjetri drithmat e shqetësimeve aktuale. Vetëm kërshëria kryeneçe na bën të mësojmë se në Tiranë dhe në Prishtinë ekzistojnë krijues të rinj me potencë të admirueshme krijuese.

Të fundit