E premte, 21 Qershor, 2024

MALI I ZI: FILLON REGJISTRIMI I SHUMËPËRFOLUR I POPULLSISË

Shoqëruar nga frika prej përmbysjes së strukturës kombëtare të popullsisë vendase, në Mal të Zi nisi regjistrimi i shumëpërfolur i popullsisë.

Pas disa shtyrjesh pozita dhe opozita në Malin e Zi arritën një marrëveshje për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. Drejtoria e Statistikave e Malit të Zi – Monstat njoftoi se në 15 ditët e ardhshme do të jenë në terren nga ora 08:00 deri ne ora 20:00 rreth 3.000 regjistrues.

Kryeministri i i Malit të Zi, Millojko Spajiq, tha se regjistrimi është përgatitur mirë dhe se “Kemi treguar që Mali i Zi ka institucione funksionale dhe njerëz të përgjegjshëm, të gatshëm të ndërtojnë ura për të ardhmen evropiane”.

Kurse nga radhët e partisë së kryeministrit “Lëvizja Evropa Tani” thuhet se regjistrimi “do të ketë legjitimitet të plotë pas hapit të madh që ndërmori qeveria dhe shumica parlamentare duke përmbushur të gjitha kërkesat e opozitës”.

Kryeparlamentari, Andrija Mandiq, tha se “patëm sukses që të arritëm marrëveshje me opozitën dhe se pritja 3-vjeçare ia vleu“.

Qasje dhe kontroll më i madh nga opozita

Në këtë regjistrim opozita do të ketë qasje dhe kontroll më të madh, nga sa ka pasur në regjistrimin e viteve 2003 dhe 2011.

Danijel Zhivkoviq, nga partia më e madhe opozitare, ajo Demokratike e Socialisteve u bëri ftesë qytetarëve të Malit të zi që të deklarohen lirisht. Të njëjtën gjë e bënë edhe përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate dhe asaj Boshnjake.

Temë e rëndësishme politike

Në Malin e Zi regjistrimi i popullsisë ishte për një kohë të gjatë tema numër një politike. Procesi u problematizua dhe shkaktoi përplasje të shumta politike ndërmjet grupimeve pro malazeze dhe pro serbe. Analistët e zhvillimeve politike thonë se nëse serbët do të dalin numerikisht më shumë atëhere mund të përmbyset struktura kombëtare e popullsisë në Mal të Zi.

Regjistrimi i fundit në Malin e Zi u bë në vitin 2011. Sipas rezultateve të asaj kohe 45% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, 29% serbë, 9% boshnjakë, 5% perqind shqiptarë, 3% muslimanë dhe 1% kroatë e romë.

Ndikimi serb

Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe janë përzier jo rrallë në procesin e regjistrimit. Beogradi është përpjekur të përdorë identitetin serb në radhët e popullasë së Malit të Zi për të forcuar praninë e tij dhe për të rritur ndikimin në rajon.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, publikisht ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në regjistrimin e popullsise, duke shtuar se nuk do të ketë ndërhyrje të Serbisë, por se ka rëndësi që populli serb të mos zhduket.

Po ashtu subjektet politike pro-serbe në Mal të Zi vazhdimisht potencojnë kulturën, fenë dhe historinë e tyre te përbashkët me serbët, duke shfrytëzuar për këtë faktin që shumë malazez ngurrojnë të zhvishen nga identiteti serb.

Analistët vendas pohuan se nëse serbët do të dalin numerikisht më shumë atëherë, kjo mund të sjellë përmbysjen e strukturës kombëtare të popullsisë në Mal të Zi. Në censusin e 2011-tës, 45% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, 29% serbë, 9% boshnjakë, 5% shqiptarë, 3% myslimane dhe 1% kroatë e romë.

Nga ana tjetër në momentin e fillimit të regjistrimit Kryetari i Partisë Evropiane malazeze, Novak Axhiq, tha se ne nuk heqim dorë nga kombi, gjuha dhe kisha malazeze dhe se kurrfarë presionesh nuk do te ndikojnë që të deklarohemi ndryshe./DW/

 

Të fundit