E enjte, 25 Korrik, 2024

RUSIA PRANON VETËM NJË KOMPROMIS MINIMAL PËR OSBE-NË

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se OSBE-ja, që ka në fokus dialogun, po shndërrohet në një “vegël të NATO-s”. Ministrja e Jashtme gjermane tha se Moska synon të shkatërrojë OSBE-në.

Rusia ia doli pjesërisht mbanë që të imponohej me qëndrimin e saj bllokues në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Në fund të takimit në Shkup shtetet e OSBE-së ranë dakord që diplomatja gjermane, Helga Schmid, të vazhdojë të kryesojë sekretariatin e OSBE-së në Vjenë. Por Moska ra dakord vetëm për një zgjatje të shkurtër, prej nëntë muajsh, të kontratës së diplomates Schmid dhe tre përfaqësuesve të tjerë të lartë të OSBE-së. Për këtë shkak kryesisë së OSBE-së do t’i duhet të negociojë përsëri deri në shtator.

Shkup | Bujar Osmani, Kryetari aktual i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut

Përfaqësuesit rusë ia arritën që të imponoheshin gjithashtu lidhur me çështjen se cili vend do të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm. Rusia refuzoi Estoninë për shkak të anëtarësimit të saj në NATO. Më në fund si kandidate kompromisi u pranua Malta neutrale. Po ashtu Rusia vazhdon të pengojë miratimin e buxhetit për OSBE-në, e cila shërben jo vetëm si një platformë dialogu për çështjet e sigurisë, por zhvillon gjithashtu projekte për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Pishtari u rindez”

Megjithatë kryetari aktual i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u shpreh në fund të konferencës për një rezultat “vendimtar”. Thuajse të 57 vendet anëtare e dënuan në Shkup luftën e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Takimi ynë ministror rindezi pishtarin tonë. Edhe pse ka përpjekje për ta shuar atë, ai ende shkëlqen”, tha Osmani. Kompromiset me Moskën janë të nevojshme në mënyrë që OSBE-ja të mund të vazhdojë punën e saj.

Kryetari aktual i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani | Fotografi: Thomas Peter/REUTERS

Edhe kryediplomatja gjjermane, Annalena Baerbock, e cila mori pjesë në takim, bëri një bilanc pozitiv për takimin. “Lajme të mira nga Shkupi”, shkroi Ministria e Jashtme në X (ish-Twitter). Me vendimet për drejtuesit e ardhshëm, OSBE-ja mund të vazhdojë të punojë për sigurinë e një 1.3 miliardë njerëzve në shtetet anëtare, thuhet në mesazhin në X.

Të enjten (30.11.) ministrja Baerbock kishte deklaroi se “loja perfide e qeverisë ruse” synon të shkatërrojë “me luftën brutale të agresionit kundër Ukrainës” organizatat që mbështeten tek bashkëjetesa paqësore. Por këtë nuk do ta lejojmë.

DW

Të fundit