E mërkurë, 12 Qershor, 2024

NË PARLAMENT PO DHUNOHET OPOZITA!

Është shumë e lehtë sot të injorohet dhunimi i opozitës në parlamentin shqiptar. Halli personal që Berisha ka me drejtësinë bashkë me flakët që ndez berishizmi në kjvend e kanë eklipsuar thelbin e dramës që po ndodh sot në parlamentin shqiptar; mohimi anti-kushtetues dhe anti-demokratik që shumica socialiste po i bën ngritjes së komisioneve hetimore të opozitës.
Kjo shkelje flagrante e demokracisë nga shumica socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama injorohet rëndom në mediat tona që merren thjesht me hallin e Berishës apo me përçarjen e opozitës. Janë të shumtë analistët që e shohin me skepticizëm zhurmën opozitare në parlament thjesht si një përpjekje e Berishës për të destabilizuar politikën shqiptare, për ti bërë presion SPAK-ut dhe komunitetit ndërkombëtar.
Por interesat apo hipokrizia e Berishës nuk mund dhe nuk duhet të përdoren si pretekst për të justifikuar dhunimin e demokracisë nga Rama. E drejta kushtetuese e opozitës për të ngritur komisione hetimore nuk kufizohet as nga qëllimet dhe as nga biografia e eksponentëve të saj. Sado hipokrite qofshin qëllimet e Berishës apo të berishizmit, e drejta e tyre për të ngritur komisione hetimore nuk mund të dhunohet pa dhunuar vetë demokracinë.
Ndaj është shqetësuese vëmendja që mediat tona i kushtojnë cirkut Berisha, teksa injorojnë argumentat sa anti-kushtetuese, aq edhe absurde të kryeministrit Rama kundër ngritjes së komisioneve hetimore nga opozita.

Në daljen e tij të fundit përballë mediave kryeministri argumentoi se komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në mënyrë automatike nga 25% e deputetëve, sikurse e përcakton qartë Kushtetuta. Ai u ankua se Shqipëria ka pasur tepër komisione hetimore dhe se ato nuk kanë qenë të suksesshme. Dhe së fundi, “argumentoi” se komisioni hetimor nuk mund të ngrihet mbi thashetheme që i ke prodhuar ti vetë (shiko https://www.kryeministria.al/newsroom/konference-per-shtyp-e-kryeministrit-edi-rama-2/ ).
Le të lëmë mënjanë për momentin paradoksin e vlerësimit të legjislativit nga kreu i ekzekutivit kur detyra e legjislativit është kontrolli i ekzekutivit. A priori duhet të jemi skeptik kur ekzekutivi fillon dhe ankohet se legjislativi nuk po e kontrollon atë siç duhet. Por le të merremi me argumentet e zotit Rama kundër ngritjes së komisioneve hetimore nga opozita.
Argumenti se komisionet hetimore nuk ngrihen “sepse një numër i caktuar firmëtarësh iu teket të ngrenë komision hetimor” është qartësisht i pavërtetë, sepse Kushtetuta në nenin 77 e përcaktion qartë se kjo është një e drejtë automatike e 25% të antarëve të Parlamentit. Natyrisht që firmëtarët duhet të respektojnë procedurën për mbledhjen e firmave, duhet të kenë një objekt të qartë hetimi dhe komisioni duhet të respektojë Kushtetutën.
Pa dyshim që është e mundur të ngrihen komisione hetimore që me, apo pa, qëllim dhunojnë dispozitat kushtetuese. Për shembull një komsion hetimor që shkarkon kreun e shtetit apo të gjygjësorit. Pra ekziston mundësia që të ngrihen edhe komisione hetimore anti-kushtetuese, sikurse argumenton kryeministri Rama, sidomos nga mazhoranca.
Ama tagrin për të vendosur nëse komsioni është anti-kushtetues apo jo nuk e ka shumica parlamentare dhe aq më pak kryeministri. Në shumicën dërrmiese të rasteve është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse një komision hetimor është kushtetues apo jo. Detyra e Parlamentit është të ngrejë komsionin hetimor jo të gjykojë mbi kushtetueshmërinë e tij.
Nëse shumica apo ekzekutivi mendon se një komision hetimor është ani-kushtetues nuk mund të bllokojë ngritjen e tij por të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm kjo e fundit vendos mbi kushtetueshmërinë ose jo të një komisioni hetimor. Përndryshe shumica mund të bllokojë çdo komision hetimor me justifikimin se është anti-kushtetues, sidomos kur këtë përcaktim e bën me votë shumica parlamentare dhe kryetari i saj në ekzekutiv.
Për këtë arësye argumenti i kryeministrit Rama se nuk pranojmë ngritjen e komisioneve hetimore sepse mund të bien ndesh me Kushtetutën është pa themel. Ky merak i kryeministrit për kushtetueshmërinë e komisioneve hetimore në fakt reflekton tendencën autoritare të qeverisjes ku ekzekutivi kryen edhe rolin e legjislativit edhe rolin e drejtësisë më shumë se një problem të demokracisë shqiptare.
Nga moria e komisioneve hetimore të ngritura në tre dekadad e demokracisë shqiptare është vështirë të gjesh ndonjë që ka rezultuar anti-kushtetues, sidomos të ngritur nga opozita. Pra nuk kemi të bëjmë me një problem akut që kërkon zgjidhje, por me një zgjidhje kryeministrore që kërkon problemin. Zgjidhja që ofron kryeministri Rama për të përmirësuar kushtetueshmërinë e komisioneve hetimore të ngrituar nga opozita ofrohet për një problem që nuk ekziston: anti-kushtetueshmëria e komisioneve hetimore opozitare.
Kjo është mëse e qartë në rastin konkret të kërkesave të opozitës për komisione hetimore. Është shumë e vështirë të argumentohet se janë anti-kushtetuese kërkesat e opozitës për një komision hetimor mbi çështjen e Portit të Durrësit, mbi skandalin e sterilizimeve, apo mbi zbatimin e ligjit të investitorëve strategjik. Nëse parlamenti nuk mund të hetojë dhe kontrollojë tjetërsimin e pronës publike nga ana e Ekzekutivit, atëherë për çfarë shërben opozita në Parlament?
Përveç merakut të kushtetueshmërisë së komisioneve hetimore kryministri Rama shprehu edhe një tjetër merak. “Nuk mund të ngresh komisione hetimore bazuar në thashetheme që i ke përhapur vetë” – u shpreh ai përpara gazetarëve. Është shumë ta quash një deklaratë të tillë argument. Fatkeqësisht ky është niveli i argumentimit të kryeministrit tonë edhe pse kurrë nuk është shquar për mungesë inteligjence.
Pa i hyrë debatit se çfarë është dhe si përkufizohet një thashethem, asnjë nga kërkesat e opozitës për komisione hetimore, të pranuara dhe refuzuara nga shumica socialiste, nuk kanë të bëjnë me thashetheme. As komisioni hetimor mbi inceneratorët, as kërkesa për komision hetimor për Portin e Durrësit, as kërkesa për komision hetimor mbi investitorët strategjik dhe as kërkesa për komision hetimor për çështjen McGonigal nuk bazohen mbi thashetheme.
Përkundrazi hetimi i çështjes së investimit tek porti i Durrësit është i domosdoshëm nga ana e opozitës po të kemi parasysh që bëhet fjalë për asetin më stretgjik të vendit që jepet në një nga kontratat më sekrete dhe më pak transparente të bëra nga ekzekutivi. Po kështu edhe çështja e investitorëve strategjik nuk është thashethem por një shqetësim real i mediave dhe opinionit publik, sidomos kur investitorët strategjik janë familjarë të ministrave apo parlamentarëve të shumicës.
Aq më pak ishte thashethem çështja e inceneratorëve që sikurse e provoi edhe SPAK ishte një rast ekzemplar i korrupsionit në qeverisjen Rama. Komisioni i inceneratorëve jo vetëm nuk u ngrit mbi një thashethem, por ndihmoi në zbardhjen e çështjes së inceneratorëve dhe në informimin e opinionit publik. Prodhoi edhe rekomandime për të evituar përsëritjen e episodeve të tilla korruptive.
Ndaj është i pasaktë vlerësimi i kryeminsitrit Rama se “është koha të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore… duke marrë parasysh edhe dështimet e panumërta të komisioneve hetimore në gjithë këto vite.” Komisioni hetimor për inceneratorët ishte një sukses për demokracinë shqiptare, të paktën nga pikpamja e zërave opozitarë. Nuk është rastësi fakti që pikërisht pas këtij komisioni shumica socialiste ka bllokuar çdo përpjekje të opozitës për ngritjen e komisioneve të tjera hetimore.
Natyrisht që kryeministri nuk ka përse të jetë dakord me vlerësim e mësipërm. Ai mund të argumentojë se nga pikëpamja e tij komisionet hetimore kanë dështuar. Problemi është se opinioni i kreut të ekzekutivit është standarti më subjektiv dhe më i pabesueshëm në vlerësimin e komisioneve hetimore të opozitës. Nuk ka pikë llogjike që vlerësimi i komisioneve hetimore të opozitës të bëhet nga kryetari i ekzekutivit veprimatria e të cilit është në fokusin e këtyre komisioneve.
Kreu i ekzekutivit nuk ka asnjë interes politik që komisionet hetimore të opozitës të kenë sukses. Nëse dështon një komision hetimor kosto politike është e opozitës dhe jo e pushtetit. Ndaj tingëllojnë sa absurde aq edhe të pasinqerta shqetësimet e kryeministrit Rama se komisionet hetimore të opozitës nuk paskërkan pasur sukses apo se Shqipëria paskërka ngritur më shumë komisione hetimore se fqinjët.
Sa është numri perfekt i komisioneve hetimore që duhet të ketë demokracia shqiptare? Një, dy apo tre komisione hetimore në vit? Përgjigja ndaj kësaj pyetje është po aq absurde sa edhe vetë pyetja, pasi ky numër nuk ekziston. Është akoma më qesharake kur pëgjigjen kësaj pyetje ia jep kryeministri qeveria e të cilit hetohet nga komisionet hetimore të opozitës.
Po të gjykojmë nga bllokimi që shumica socialiste i ka bërë komisioneve parlamentare vitin e fundit i bie që numri ideal i komisioneve hetimore në vit është zero. Në vitin 2023 janë ngritur zero komisione hetimore nga opozita. Kryeministri Rama është në të drejtën e tij të mendojë se parlamenti shqiptar ngre më shumë komisione hetimore secç duhet. Ama është absurde të argumentosh se numri i komisioneve hetimore në vit duhet reduktuar në zero, sikurse tregon praktika e shumicës socialiste sot.
Aq më tepër kur refuzimi i komisioneve hetimore të opozitës justifikohet me argumentin e lodhur të shumicës socialiste se nuk do ngrenë komisione hetimore deri sa të kenë ligjin e ri dhe rregulloren e re. Imagjinoni për një moment që ju merrni në telefon policinë, sepse jeni dëshmitar i një vjedhje, dhe nga ana tjetër e telefonit ju përgjigjen se nuk mund të ndërhyjnë për momentin sepse po presim ligjin e ri për policinë.
Nuk është e nevojëshme të jesh jurist apo me shumë tru për të kuptuar se derisa nuk është aprovuar ligji i ri operohet me ligjin e vjetër. Ndaj argumenti i shumicës socialiste se po presim daljen e ligjit të ri nuk ka sens. Aq më tepër kur prodhimi i këtij super ligji është marrë përsipër nga kreu i ekzekutivit që ankohet para gazetarëve se në Shqipëri komisionet hetimore të opozitës kanë dështuar.
Pa dyshim që shqetësimin kryeministrit me dështimin e opoztës nuk është pa bazë. Opozita berishiste është tërësisht e pabesueshmë ndërsa opozita bashiste fle gjumë. Është e vërtetë gjithashtu se qeveria aktuale e zotit Rama është llërë-përveshur dhe bën çdo punë që i del përpara. Ama kur shumica merr përsipër punën e opozitës, duke përcaktuar si, sa dhe kur, duhet hetuar ekzekutivi, demokracia është në rrezik.Artikulli i Blendi Kajsiu shkruar enkas për Lapsi.al

Të fundit