E shtunë, 22 Qershor, 2024

FALIMENTIMI I FJALËS

Shkruan: Lutfi Dervishi 

Fjala dhe lajmtari kanë një mbrojtje të fortë në Kanun. “Fjala nuk bën mort”. “Lajmësi nuk ka faj”.

Në të njëjtën kohë, Kanuni është i ashpër me thashethemexhinjtë dhe dallkaukët.

“Ai që mbjell e hap fjalë të këqija e gërgasa herë për njanin e herë për tjetrin, me gojë të kanunit thirret ‘Argat i së keqes’ – as e thërret kush në punë, as i nep kush rrogë.” (Fjala; nyja e 86)

Por mjerisht, fjalët, dikur shtylla komunikimi, po shkërmoqen nga mbipesha e gënjeshtrave, sajesave, thashethemeve, dhe po zhvlerësohen përballë propagandës, premtimeve të rreme e teorive konspirative. Harrohet se “Burri kapet prej fjalet” dhe “Fjala asht s’asht e asht thyen”.

Fuqia e fjalës është minuar nga akuzat ndaj gazetarëve, integriteti i të cilëve është lëkundur sa nga akuzat për korrupsion e shantazh, aq edhe nga uria për vëmendje dhe dica klikime më shumë.

Në vorbullën e keqinformimit, propagandës dhe mashtrimit, po lulëzojnë sharlatanet, megallomanët, mitomanët e baba Vangat shqiptarë.

Metamorfoza e fjalëve, nga mjete komunikimi, te municion për betejat politike, është e qartë si kristali në Parlament, në 15 kanalet televizive me 24 orë “lajme”, në 56 televizionet e tjera gjeneraliste, në 800 portalet e dedikuar për lajme dhe, pa diskutim, në shkurret e pafundme të rrjeteve sociale.

Rrjetet sociale dhe portalet, fushë beteja e epokës tonë digjitale, përmes përronjve të urrejtjes dhe të ndihmuar nga anonimati, kujdesen që kaosi të mos mungojë asnjë edhe një minutë.

Televizionet me oreks elfanti për “debate” po e shndërrojnë informacionin në kakofoni. Cdo shpresë për pak qartesi e kuptim zhytet në oqeanin e fjalëve qesim.

Debatet e përnatshme i ngjajnë dramave shekspiriane, ku protagonistët nuk janë mbreter e mbretëresha, por Koka të mëdha që parashikojnë kobe, mënxyra, gjakderdhje, thika pas shpine, arrestime, investime, gjëmime e tërbime.

Në këtë cirk të papëlqyeshëm, të perditshem e të përnatshem, futen edhe zyrtaret/qeveritarët të cilët kanë marrë detyrën e pa kërkuar të rrefyesve duke raportuar për veten se sa mirë po punojnë përkëtë vend të bekuar dhe sa shumë po treten për të realizuar ëndrrën shekullore të popullit për anëtarësim në BE.

Thënia në fillim e fjalës së fundit, është kthyer në moto të diskursit publik.

Mjerisht, vendi e gjen veten jo në një shoqëri informacioni, por në një shoqëri thashethemi, ku vija mes faktit dhe trillimit mjegullohet nga perdja e tymit, e propagandës dhe e disinformimit, duke e bëre gjithnjë e me sfidues, deri në fshirje, dallimin e realitetit nga iluzioni.

Fjalët hidhen në eter, jo me qëllimin për të kuptuar, por thjesht për të bërë zhurmë. Dialogu është shndërruar në një monolog kaotik, ku të “ftuarit” rreken të dominojnë skenën, duke raportuar jo atë që ngjet në realitet, por atë që duan ata te shesin se ngjet në rradakën e tyre. Dialogu nuk nënkupton më shkëmbim idesh, por një garë se kush prodhon decibelët më të lartë. Akuzat dhe kundërakuzat nuk bëjnë më asnjë përshtypje.

Viktima e parë e kësaj rrumpalle komunikimi është e vërteta. Demokracia, e brishtë sic është, kthehet në kakofoni. Fjalët humbasin fuqinë dhe rëndësinë e tyre dhe asgjë nuk bën më përshtypje. Thuaj çfarë të duash, trego sa të duash, ekspozo skandalin me të madh.. asgjë nuk ndodh!

Në një garë per t’ia kaluar artit, gjendja e sotme e komunikimit të kujton John Snow te Game of Thrones, një nga personazhet me të dashur edhe për faktin se përpiqej t’i shpallte të vërtetën kundershtarit dhe që thotë: “kur ka njerëz që bëjnë premtime të rreme, fjalët nuk kanë më kuptim. Nuk ka më pyetje, veç gënjeshtra gjithnjë e më të bukura”.

Të fundit