Analistët politikë theksojnë se rigrupimet parazgjedhore paralajmërojnë një fushatë elektorale më të ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim. Megjithatë, sipas tyre, duhet pritur dhe parë nëse apetitet për vendet “fituese” dhe ambiciet individuale të lidershipit të secilës prej palëve partnere aktuale nuk do të prishin miqësinë e tyre kur të fillojnë të përpilohen listat zgjedhore. “Edhe pse koalicionet parazgjedhore ndëretnike nuk janë zyrtarizuar, duket qartë se tanimë janë duke u formuar dy blloqe multietnike të cilat edhe nëse do të garojnë veç e veç, praktikisht do të jenë të koordinuar”, thotë analisti politik Ibrahim Mehmeti. Ndërsa analisti Zoran Ivanov thotë se përkundër njoftimeve për të ashtuquajturin ‘front evropian’ të shpallur nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI, koalicioni i tyre parazgjedhor është i pasigurt, sepse mendoj se ata ende nuk i kanë bindur anëtarët e partive për epilogun pozitiv të një koalicioni parazgjedhor.
Shkruan : Enis Shaqiri
Lëvizjet politike për koalicione mes partive politike, përpara zgjedhjeve të pranverës, duket se kanë filluar. Mirëpo këto koalicione parazgjedhore janë në zhvillim e sipër, dhe ende mbeten të padefinuara. Meqenëse tashmë duket e sigurt se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në të njëjtën datë, më 8 maj, qeveria teknike pritet të formohet më 27 janar . “Muaji maj ofron të gjitha mundësitë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale”, ka theksuar kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke nënvizuar se njëqind ditë para zgjedhjeve do të ketë edhe qeveri teknike.
Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), thonë se ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar nëse do të garojnë me lista të përbashkëta si koalicion ndëretnik para zgjedhjeve parlamentare dhe atyre presidenciale në pranverën e vitit të ardhshëm, megjithëse theksojnë se një gjë e tillë ka shumë gjasa të ndodhë.
Për analistin politik, Ibrahim Mehmeti, kjo që po ndodhë sivjet me rigrupimet parazgjedhore paralajmëron fushatë më të ndryshme nga ajo që jemi mësuar të shohim. Mehmeti në një prononcim për KDP.MK, thotë se koalicioni LSDM-BDI është afër akordimit dhe këtij koalicioni mund t`i bashkëngjitet edhe partia e tretë në koalicionin qeverisës, Aleanca për Shqiptarët.
“Edhe pse koalicionet parazgjedhore ndëretnike nuk janë zyrtarizuar, duket qartë se tanimë janë duke u formuar dy blloqe multietnike të cilat edhe nëse do të garojnë veç e veç, praktikisht do të jenë të koordinuar. Duket se koalicioni LSDM-BDI është afër akordimit dhe eventualisht atyre mund t’ju bashkëngjitet edhe Aleanca”, thekson Mehmeti.
Ndërsa gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike, Zoran Ivanov, për KDP.MK, thotë se është ende herët për një marrëveshje përfundimtare ndërpartiake mes LSDM-së dhe BDI-së.
“Përkundër njoftimeve për të ashtuquajturin ‘front evropian’ të shpallur nga partitë në pushtet LSDM dhe BDI, koalicioni i tyre parazgjedhor është i pasigurt, sepse mendoj se ata ende nuk i kanë bindur anëtarët e partive për epilogun pozitiv të një koalicioni parazgjedhor, po ashtu nuk ka përshtypje se lidershipet e të dyja partive janë të bindura se me një lëvizje të tillë do të ruanin votat nga zgjedhjet e mëparshme”, thekson Ivanov.
Megjithatë, nga LSDM kanë theksuar se janë duke realizuar anketa nëse për qytetarët është ose jo e pranueshme gara si një bllok i përbashkët parazgjedhor. “Ne kemi një marrëveshje të qartë koalicioni me Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të publikuar në vitin 2020. Sigurisht që po diskutohen modalitetet me ta, por qëllimi për të arritur një koalicion evropian që do të udhëheqë një front të gjerë është gjëja kryesore që do t’i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë, nga partia shqiptare në pushtet, BDI, kanë thënë se janë duke menduar për një front parazgjedhor mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase që për kauzë parësore do të kenë shtytjen e proceseve, nga të cilat varet përshpejtimi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, analisti politik, Zoran Ivanov shtron çështjen nëse këto dy parti do të mund të negocionin në një marrëveshje për kandidatët që do të ishin në listat e përbashkëta zgjedhore. “Kam frikë se të dyja palët së pari do të hasin në rezistencë nga një pjesë e mirë e anëtarëve brendapartiak të tyre, dhe së dyti, egoizmat e të dyja palëve mund të rrezikojnë idenë e një liste të përbashkët”, thotë ai. Sipas tij, në këtë situatë, më komode për momentin është Aleanca për Shqiptarët, e cila nuk e ka “hipotekën” e koalicionit që i jep detyrim të marrë vendime të shpjeta nëse do t’i bashkohet idesë së LSDM-së dhe BDI-së apo të presë.
Ndryshe partia e tretë në koalicionin qeverisës, Aleanca për Shqiptarët, është ende në dilemë nëse do t’i bashkohet këtij koalicioni ose jo. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimin përfundimtar partia që drejton do ta marrë gjatë javës së ardhshme.
Përkundër bllokut qeveritarë, tek blloku i partive shqiptare në opozitë, situata është më e qartë. Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit si dhe Alternativa e Afrim Gashit tashmë e kanë zyrtarizuar koalicionin me emrin e përbashkët “Lidhja Europiane për Ndryshim”. Këto tre parti, në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me lista të përbashkëta dhe pritet të kenë edhe kandidat të përbashkët për president. “Ky koalicion i bashkuar shqiptar mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë kompromis me këtë, pasi shpesh e kemi thënë se vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë”, ka deklaruar Afrim Gashi nga Fronti Evropian për ndryshim.
Kurse partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, siç duket do të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. “E ndershme është që në zgjedhje të dalësh me diçka që mund ta realizosh më pas. Natyrisht, pas zgjedhjeve dhe për shkak të realitetit në Maqedoni, ne jemi të gatshëm të bisedojmë me partnerë potencialë nga i ashtuquajturi ‘kampusi shqiptar’ dhe të shohim nëse programet tona mund të kombinohen. Sigurisht që këtu ka përparësi ajo që tani është e ashtuquajtura opozita shqiptare”, ka thënë për REL-in, Aleksandar Nikolovski, nënkryetar i VMRO DPMNE -së.
Lidhur me bllokun opozitar, analisti Ibrahim Mehmeti, shprehet se “VMRO-DPMNE dhe opozita shqiptare (LD, LB, dhe Alternativa) duket se heshturazi janë duke i bashkërenditur aktivitetet, gjë që mund të rezultojë me një koalicion pas zgjedhjeve”.
Ai shton se situatat e këtilla mund të kenë refleksione edhe mbi formimin e qeverisë, por parimi i Badinterit, mund të bëjë që hesapet parazgjedhore të pësojnë ndryshime që mund të rezultojnë me rigrupime të reja, dhe kjo sipas tij, do të duket më qartë në momentin kur të caktohen afatet konkrete për mbajtjen e zgjedhjeve.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale pritet të mbahen më 8 maj të vitit të ardhshëm, ndonëse data ende nuk është shpallur zyrtarisht. Për mbajtjen e zgjedhjeve me këtë datë është prononcuar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ndërsa e ka mirëpritur edhe opozita maqedonase, VMRO-DPMNE./KDP/