Ardhja eventuale e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, në Ministerialin e OSBE-së në Shkup do të ishte edhe mundësi takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe rast për shoshitjen e çështjeve më nevralgjike të të sotmes për të cilat SHBA dhe Rusia nuk është se ndajnë qëndrime të njëjta.
Përgatiti: KDP
Pak ditë para samitit të Ministerialit të OSBE-së, në Shkup, Maqedonia e Veriut, ishte vënë në qendër të vëmendjes pikërisht për shkak të dilemës hamletiane: Do të vijë apo jo edhe kryediplomati rus, Sergej Lavrov. Ç’është e vërteta, çështja nuk shtrohet nëse kjo varet nga vullneti shefit të diplomacisë së Kremlinit, por për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë si rezultat i agresionit në Ukrainë. Dilemën, këtë të premte, pjesërisht e ka zgjidhur Qeveria e cila e ka lënë në dorën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të vendosë nëse do të heq ndalesën për fluturimin e avionit rus me të cilin do t’i mundësohej delegacionit nga Moska, në ballë me Lavrovin që të ulet në aeroportin e Shkupit për të asistuar në mbledhjen dyditore të Këshillit Ministror të OSBE-së, më 29 nëntor dhe një dhjetor.
„Në seancën e sotme qeveritare, Qeveria vendosi plotësimin e Vendimit për vendosjen e masave kufizuese në lidhje me aktivitetet e Federatës Ruse, me të cilin kufizohet qasja e aviacionit të Federatës Ruse, ndërsa në përputhje me Rregullativën e Këshillit të BE-së nga Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë me të cilën Republika e Maqedonisë së Veriut është plotësisht ose 100% e harmonizuar. Përmes këtij plotësimi, Qeveria u dha autorizim ministrive kompetente që të mund të vendosin vet për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus gjatë kohës së mbajtjes së mbledhjes së tridhjetë ministrore të OSBE-së në Shkup, në periudhën nga 29 nëntori deri më një dhjetor 2023“ – thuhet në njoftimin e MPJ-së në të cilin rikujtohet se vendimi është në përputhje me rregullativën e BE-së dhe dispozitat e masat kufizuese, me të cilat parashikohen përjashtime nga kufizimet, kur është fjala për konferencat ndërkombëtare, si kjo e OSBE-së.
Burime të KDP-së thonë se sipas të gjitha gjasave, kryediplomati Bujar Osmani do të japë dritën jeshile, pa çka se ditë më parë ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, në paraqitje për MTV-në u tregua e rezervuar ndaj pjesëmarrjes së shefit të diplomacisë ruse në këtë tubim ndërkombëtar duke e arsyetuar këtë me veprimet e Kremlinit:
„Nuk ka konfrimin për ardhjen e Lavrovit, mirëpo duke marrë parasysh sjelljen e politikës së jashtme ruse, ndërhyrjen e tyre në punët e brendshme të shteteve, por para së gjithash qëndrimin e tyre ndaj Ukrainës, nuk shjoh pse të vijë ai këtu,“ – citon kdp.mk deklaratën e ministres Petrovska, duke pranuar se „nuk varet gjithçka prej nesh“.
Ndërkohë, mësohet se delegacioni nga Moska (nëse vjen) ka për të qenë shumanëtarësh, përfshirë këtu edhe interesimin e madh të gazetarëve për shkak se ky ka për të qenë ndër udhëtimet e rralla të S. Lavrovit në botën perëndimore.
Ardhja e tij, sidoqoftë, do të ishte edhe mundësi takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe rast për shoshitjen e çështjeve më nevralgjike të të sotmes për të cilat SHBA dhe Rusia nuk është se ndajnë qëndrime të njëjta.
Ministri Osmani, këto ditë, në një status të tij në Facebook ka shkruar se samiti i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, do të jetë „mbledhja më e rëndësishme ndërkombëtare e mbajtur ndonjëherë në historinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut“
„Çdo ditë që po kalon, ne po i afrohemi më shumë momentit që do ta formësojë të ardhmen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Këshilli Ministror është kurora e Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë – OSBE-në,“ – ka shkruar Osmani.
Ndër sfidat kryesore të takimit pritet të jenë zhvillimet serioze në skenën ndërkombëtare, sidomos ato që lidhen me Ukrainën, por edhe vatrat e tjera të krizës si dhe cili vend do të jetë kryesues i radhës i OSBE-së, pas RMV-së. Estonia është kandidat i vetëm, por Rusia tash disa herë ka vënë veto mbi kandidaturën e saj. Si zgjidhje e mundshme për të kryesuar OSBE-në gjatë vitit 2024 mund të jetë Malta, apo që RMV-së, për shkak të rrethanave të krijuara, t’i vazhdohet mandati, por edhe për këtë lipset pëlqimi i të 57 vendeve anëtare./KDP/