E mërkurë, 26 Mars, 2025

KE REKOMANDON BISEDIME ANËTARËSIMI ME UKRAINËN E MOLDAVINË

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për dy vende kandidate që të çelen bisedimet e anëtarësimit: Ukraina dhe Moldavia. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e bëri këtë të ditur të mërkurën në Bruksel dhe foli për “një ditë historike”.

“Ukraina vazhdon të përballet me vështirësi të mëdha dhe tragjedinë e shkaktuar nga lufta ruse e agresionit. E megjithatë, ukrainasit po e reformojnë thellësisht vendin e tyre, madje edhe përderisa po zhvillojnë një luftë që për ta është ekzistenciale,” –  përcjell kdp.mk deklaratën nga Brukseli të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në reagimin e tij të parë përshëndeti rekomandimin e ekzekutivit të Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit, duke e përshkruar si një “hap të drejtë historik”:

“Ukrainasit e meritojnë këtë për shkak të mbrojtjes së vlerave evropiane, por edhe për faktin se edhe gjatë luftës së madhe ne e mbajmë fjalën duke i zhvilluar institucionet shtetërore”, – tha ai në Telegram.

Kreu i ekzekutivit të BE-së, Ursula von der Leyen, propozoi që edhe Gjeorgjia të bëhet vend kandidat për në BE, por e lidhi këtë me kërkesën për një sërë reformash që duhen bërë në vend.

Presidentja moldave, Maia Sandu tha të mërkurën, se rekomandimi nga Komisioni Europian është “një hap themelor” për vendin e saj. “Moldavia është fuqimisht në rrugën e anëtarësimit në BE dhe do të vazhdojë të punojë pa pushim për të realizuar këtë qëllim”, – tha ajo.

Komisioni Evropian ka lajme të mira edhe për Bosnje-Hercegovinën: Rekomandon me kushte fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e sajë në familjen evropiane “sapo të jetë arritur masa e kërkuar në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”. Marsin e ardhshëm Komisioni Evropian do t’u paraqesë vendeve anëtare të BE për këtë një raport të posaçëm./KDP/

Të fundit