Aleksandar Vulin ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Shërbimit të Sigurisë dhe Informativ të Serbisë (BIA) nën presionin e evropianëve dhe amerikanëve, tha për seksionin serb të Radios Evropa e Lirë Daniel Server, profesor në Universitetin Amerikan Johns Hopkins. Sikurse përcjell kdp.mk, Server mendon se pavarësisht kësaj nuk mund të pritet ndonjë kthesë në politikën e Serbisë për të mos e mbështetur Rusinë, por dorëheqjen duhet parë së një përpjekje për të shmangur sanksionet shtesë.
Aleksandar Vulin, në arsyetimin e dorëheqjes së tij tha se SHBA-ja dhe BE-ja “po kërkojnë kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.
Në korrik, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve për korrupsion dhe përfshirje të dyshuar në trafikun e drogës dhe për lidhjet e tij me Rusinë.
REL: Çfarë mendoni, pse u tërhoq Vulini?
Server: Dha dorëheqje nën presionin e evropianëve dhe amerikanëve. Por fakti që për këtë u deshën tre muaj, jo tri ditë, tregon se ka pasur rezistencë të vërtetë nga presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq, i cili ndanë pikëpamjet e Vulinit mbi botën dhe ambicien e Serbisë për kontrollimin politik të popullsisë serbe në vendet fqinje.
REL: Vulini tha se SHBA-ja dhe BE-ja kërkuan dorëheqjen e tij për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Si e komentoni këtë deklaratë të tij për sanksionet ndaj Serbisë?
Serveri: Mendoj se ai po thotë të vërtetën. Dorëheqja e tij nuk është largim nga politika e Serbisë për të mbështetur Rusinë, por më tepër një përpjekje mbrojtëse për të shmangur sanksionet shtesë.
REL: Dorëheqja e Vulinit a do të thotë se Serbia do të pajtohej me koncesione të tjera?
Serveri: Jo. Vulini nuk është problemi i vetëm në Serbi apo në shërbimet e saj të inteligjencës. Presidenti Vuçiq nuk tregoi asnjë shenjë keqardhjeje për ngjarjet e 24 shtatorit (në veri të Kosovës).
Është fakt i thjeshtë se Serbia nuk përqafoi Perëndimin, por Lindjen. Moska dhe Pekini mbështesin refuzimin e Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, si dhe kthimin kah autokracia kur është fjala për politikën e brendshme në Serbi. Serbia tani për tani është e humbur për Perëndimin.
REL: Cilat kërkesa të reja pas dorëheqjes së Vulinit mund t’i shtrohen Serbisë?
Serveri: Serbia më 24 shtator tentoi një rebelim në Kosovë që kishte për qëllim krijimin e kushteve për ndërhyrje ushtarake serbe. Për mendimin tim, Serbia duhet të kishte marrë përgjegjësi publike për këto ngjarje, të kërkonte falje për këtë dhe të premtonte se kjo nuk do të ndodhte kurrë më në të ardhmen. Ajo gjithashtu duhet t’ua dorëzojë autorët autoriteteve kosovare për ndjekje penale.
Serbia gjithashtu hodhi poshtë marrëveshjen e shkurtit dhe të marsit për normalizim (të marrëdhënieve) me Kosovën. Uashingtoni dhe Brukseli do të duhet të kërkojnë nga presidenti Vuçiq t’i nënshkruajë ato, por ai natyrisht nuk do ta bëjë këtë para zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Me siguri as pastaj.
REL: Sa dëm është bërë deri tani që Vulini ishte në ballë të BIA-s?
Serveri: Mendoj se nuk duhet përshkruar personalisht atij dëmin që është shkaktuar. Me sa e kuptova, në BIA rusët kanë depërtuar thellë. Lidhja me Moskën Vulini e lejoi dhe kultivoi, por edhe të tjerë në BIA që janë ende atje.
REL: Sipas jush, si do të pritet dorëheqja e Vulinit në Uashington e si në Moskë?
Serveri: Uashingtoni do ta mirëpresë dorëheqjen. Moska do të jetë e pakënaqur. Por si rusët, ashtu edhe amerikanët e dinë se Vulini nuk ishte i vetmi njeri i rusëve në BIA.
REL: A e evitoi dorëheqja e Vulinit ndikimin eventual rus në shërbimin sekret në Serbi?
Serveri: Jo, ashiqare jo.