E shtunë, 15 Mars, 2025

VRINGËLLIMI ME ARMË NË KUFIRIN KOSOVË-SERBI

Kur Serbia, muaj më parë, në kufirin me Kosovën, rrëmbeu tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e bëri këtë me makina pa targa, njësoj si ky grupi terrorist serb në Banjskë që vrau një polic e plagosi tre të tjerë. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar ishte goxha i mekur dhe, për pasojë, trimëroi grupet kriminale dhe jo vetëm kriminale, serbe të bëjnë atë që e bënë fund-javën që lamë pas. Së këndejmi, them që qendrat perëndimore të vendosjes, Brukseli dhe Uashingtoni, por edhe Londra e Parisi e Berlini, kanë mundur ta parandalonin të dielën e zezë!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Politikani maqedonas, Ivon Veliçkovski,fill pas ngjarjeve të përgjakshme në veri të Kosovës, doli me vlerësime që kujtoj se hedhin shumë dritë të pastër për atë se pse ndodhi e si ndodhi dhe në mullirin e kujt shkojnë gjithë këto zhvillime:

“Manastiri i Banjskës, Kosova është çmimi i politikës së “paqtimit” ndaj Serbisë dhe e presionit disproporcional ndaj Kosovës.
Paqtimi nuk është i panjohur.
I aplikuar nga pajtuesit, ai është vetëm një shtyrje e dhunës së pashmangshme për çka është përgatitur që në fillim – dhunuesi.
Në Evropë, ilustrua më qartë nga kriza e Mynihut e vitit 1938.
Sipas kësaj logjike, presioni i deritashëm mbi Prishtinëns për pranimin e pakushtëzuar të Bashkësisë së Komunave Etnike (Serbe) i ngjante përpjekjejes për ta sjellë Kurtin në pozitën e kryeministrit çekosllovak Benesh, nga i cili, në emër të “paqtimit”, në fund u kërkua dorëzimi i pakushtëzuar i zonave të Sudetit.
Prandaj, pas vrasjes së policit kosovar në Manastirin e Banjskës dhe aksionit kundër grupit të armatosur, në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut, e sidomos në BE dhe në SHBA, duhet të hiqen “syzet rozë” .
Kjo nuk është vetëm një përpjekje për të ruajtur status quo-në/zonën kriminale duty free në veri të Kosovës.
Kjo është përpjekje për përvijimin faktik të “zonave sudetiane” në Ballkanin Perëndimor. Me të gjitha pasojat, më pas.
Toleranca e Brukselit dhe Uashingtonit ndaj lëvizjes së krimit dhe korrupsionit, por edhe ndaj logjistikës së tij “Wagner/Ujqërve të natës”:
– përgjatë linjës Be (Republika Srpska) – Serbi – Kosovë – me degëzim kah Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi,
– në emër të afrimit tpër një zgjidhje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa njohje reciproke,
… nuk mund të japë rezultat pozitiv për asnjërin nga këto vende dhe as për rajonin.
Përveç se për Moskë,” – shkruan politikani maqedonas në rrjetin social të Facebookut.

Epilogu tragjik i së dielës, prandaj kërkon të zbardhet sa më parë. Për shkak se trazirat e fundmajit të këtij viti në Mitrovicën e Veriut, kur u lënduan e plagosën mbi 30 pjesëtarë të KFOR-it, “kidnapimi” i tre policëve të Kosovës nga pala serbe, vendosja me forcë e katër kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe të popullsisë, paralajmërimi, në fillim të korrikut, i Alicia Kearns, deputete dhe kryetare e Komisionit të parlamentit britanik për Politikë të Jashtme, për kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë, ishin një paralajmërim se, pavarësisht thirrjeve për “deeskalim”, do të ndodhë – kjo që edhe ndodhi!
Vëzhguesit dhe njohësit e raporteve serbo-ruse, por edhe serbo-evropiane, thonë se Beogradi ia doli të mirëpoentojë përmes politikës “tërhiq e mos e këput”, kur është fjala për agresionin rus në Ukrainë (duke mos vendosur sanksione kundër Kremlinit, por edhe duke u bërë tyxhar i mirë armësh për Kievin).

Dhe, për pasojë nuk është se nuk zënë vend “syzet rozë “në BE dhe në SHBA” në kundrimin e zhvillimeve aktuale në vijën Kosovë-Serbi që, nuk është se nuk është nën monitorimin e Brukselit dhe të Uashingtonit!

Pala kosovare, me të drejtë e ka parë veten të anashkaluar karshi elozheve të derivonshme euro-amerikane për Beogradin zyrtar që në negociatat e deritashme, me ndërmjetësim evropian dhe mbështetje amerikane, nuk është se bëri ndonjë hop të madh në raport me Prishtinën.

E diela, prandaj mund të jetë pikë kthese në esëllimin se ç’kahje do të marrin zhvillimet në terren, por edhe në tryezën negociatore: Hezitimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq që të vë pikën mbi i-në në rastin e vrasjes së policit Afrim Bunjaku dhe takimi i tij me ambasadorin rus në Beograd, dislokimi i armëve të ushtrisë serbe në drejtim të kufirit me Kosovën, janë sinjal se ditët, javët dhe muajt në vazhdim, do të jenë të mbarsura me zhvillime të (pa)parashikueshme: Për shkak se, edhe në rastin konkret dallimi mes luftës dhe paqes, është sikur ecja nëpër tehun e shpatës!

Shi për këtë, konstatimi i mësipërm i I. Veliçkovskit se “Manastiri i Banjskës, Kosova është çmimi i politikës së “paqtimit” ndaj Serbisë dhe e presionit disproporcional ndaj Kosovës” – meriton të lexohet me vëmendje dhe “pa syze rozë”!

 

Të fundit