E shtunë, 15 Mars, 2025

KUSH E KONTROLLON PARTINË? – “FUSHATA E LSDM-SË SHPËRTHEU SI FLUSKË SAPUNI”

Hristian Mickovki dëshiron të dëshmojë se ai e mban fort timonin e partisë dhe se pararendësi i tij, Nikolla Gruevski, nuk ka më asnjë ndikim, raporton KDP.

Në një deklaratë për media ai tha sot se VMRO-DPMNE udhëhiqet nga kryesia e partisë së bashku me strukturat partiake, anëtarët dhe aktivistët.

“VMRO-DPMNE është parti e popullit, legjitimitetin e merr nga populli, jo duke u gjunjëzuar në tapetet e kuqe të trasha persiane nëpër botë, por bashkë me popullin siç ishte sot dhe VMRO-DPMNE bazuar në atë legjitimitet. Në pak muaj nga sot do të formojë Qeverinë e re”, tha Mickoski gjatë vizitës së sotme në Komunën e Novacit.

Ai po ashtu theksoi se ishte një fushatë e rreme e LSDM-së për gati gjysmë dekade, por ajo shpërtheu si flluskë sapuni.

“Ishte një fushatë e rrejshme për gati gjysmë dekade nga ata që janë mjeshtër të lajmeve të rreme, që janë LSDM-ja, e cila shpërtheu si flluskë sapuni dhe tani u ka plasur fishekzjarrë në dorë dhe tani janë të pafuqishëm të merren me të. Unë mendoj se ata do të shpikin diçka, por ajo që mund t’u uroj atyre është që të nxjerrin një mësim nga politikat e tyre të gabuara të gjysmë dekadës së fundit“, theksoi Mickoski.

Nga partia opozitare thonë se e kanë të qartë pse LSDM-ja vendosi për një operacion të tillë – sepse e dinë se i pret një disfatë e rëndë zgjedhore. Sipas opozitës, BDI, e cila aktualisht është e fokusuar në krijimin e një fronti sa më të gjerë evropian, i cili do ta linte VMRO-DPMNE-në të izoluar pas zgjedhjeve, pra pa kapacitet koalicioni, po i tërheq linjat e shpëtimit nga rezultat i tillë. Nga VMRO-DPMNE thonë se e kanë të qartë se ky proces ka për qëllim dobësimin e partisë së tyre.

“Ka një koalicion të pandershëm mes BDI-së, LSDM-së dhe ish-presidentit të VMRO-DPMNE-së”, thotë nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikoloski dhe shpjegon idetë mbi të cilat është bazuar ai bashkëpunim.

“Një ide ishte sigurimi i deputetëve për ndryshime kushtetuese. Kur u pa se kjo ishte e pamundur – sepse të gjithë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit kanë qëndrim të qartë kundër ndryshimit të Kushtetutës me diktimin bullgar – kaluan në ide dhe skenarë të tjerë në drejtim të zvogëlimit të rezultatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thotë Nikolloski.

Sipas tij, synimi ka qenë që VMRO-DPMNE të ketë më pak deputetë që të shantazhohet për të formuar një qeveri të ardhshme ose për të miratuar ndryshime kushtetuese nën presion, për të bërë koalicione të gjera apo për të amnistuar kriminelët që janë aktualisht në pushtet.

“Fatkeqësisht, në biseda të tilla është i përfshirë edhe ish-kryetari i partisë dhe kjo ka kohë që po ndodh, më intensivisht që nga shkurti i këtij viti. Dhe po ta shikoni me kujdes reagimin e tij, aty ndër të tjera i uron partisë disfatë ose rezultat të keq dhe në thelb kështu përfundon fjalimi i tij, i cili është i pandershëm ndaj partisë”, ka theksuar Nikoloski.

Duket se VMRO-DPMNE nuk do të jetë partia e vetme jashtë “frontit europian”, të cilin e promovon BDI-ja. Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike tashmë janë të bashkuara si një opozitë e bashkuar shqiptare.

“Ne krijuam frontin e opozitës shqiptare dhe sigurisht do të shkojmë në zgjedhje me lista të veçanta”, tha për DW Orhan Murtezani nga Alternativa.

Tani në koalicion me BDI-në është Aleanca për Shqiptarët (AA), që së fundmi u bë pjesë e qeverisë.

Ndonëse AA nuk është formalisht kundër bashkëpunimit elektoral mes të gjitha partive shqiptare, ish-kryetari i partisë Zijadin Sela kujton se kanë pasur përvoja të këqija nga bashkëpunimi me opozitën në të kaluarën.

“Nëse vazhdojmë me këtë aventurë, mund të dërgojmë vetëm një mesazh se duam të na mashtrojnë, asgjë tjetër. Përvoja e deritanishme ka treguar se ne kemi zgjatur dorën dhe kemi gabuar”, tha Sela për TV 21.

Fati i VMRO-DPMNE-së mbetet i paqartë, sidomos me krijimin e mundësisë për kthimin e Nikolla Gruevskit nga Hungaria. Ai llogaritet ende si një figurë me autoritet te votuesit e kësaj partie, të cilët Mickoskin vlerësohet ta shohin vetëm si një “zëvendësim të përkohshëm të Gruevskit” në krye të VMRO-DPMNE-së.

Të fundit