Autoritetet në Moldavi kanë dëbuar drejtorin e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Sputnik” në këtë vend, Vitaly Denisov, me arsyetimin se përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit, përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë.
Zyra e Moldavisë për Migracionin dhe Azilin njoftoi se Denisov ishte shpallur “non grata” për një periudhë 10-vjeçare.
“Masa e dëbimit të të huajit është urdhëruar për shkak të përfshirjes së tij në punët e brendshme të Republikës së Moldavisë, që është një fakt që rrezikon sigurinë informative të vendit tonë”, – thuhet në kumtesën e Zyrës për Migracion dhe Azil.
Denisov i tha agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti se atij i ishte dorëzuar një kopje e vendimit se ai duhet të braktiste Moldavinë si një person që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të këtij vendi.
Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë shkurtin e vitit të kaluar, Kishinau bllokoi kanalin televiziv Sputnik Moldavi, duke përmendur shqetësimin për sigurinë kombëtare.
REL njofton, po ashtu, se i ngarkuari me punë ad interim i Moldavisë në Moskë është thirrur për këtë rast në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, zëdhënësja e së cilës, Zakharova, deklaroi se dëbimi i Vitaly Denisovit “nuk është i vetmi aksion, por një hallkë në zinxhirin e qëndrimit të pashembullt të autoriteteve moldave ndaj nocionit të demokracisë”.
Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Moldavisë, Danijel Voda, e ka shpjeguar vendimin duke thënë se institucioni në fjalë “vazhdimisht është marrë me sulme informative, gënjeshtra, propagandë dhe dezinformim”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e qytetarëve të Republikës së Moldavisë. Nga secili prej nesh, nga e gjithë shoqëria, pavarësisht nga ideologjia politike apo gjuha që flasim, varet të mos lejojmë askënd të na e ndajë apo dobësojë shtetin tonë me propagandë dhe përmbajtje keqdashëse,” – tha Voda.
Bashkimi Evropian menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës ndërpreu shpërndarjen e mediave ruse RT-së (ish- Russia Today) dhe Sputnik, pasi konsiderohet se ato janë mjete të Kremlinit për dezinformim dhe manipulim me informacione. Përveç se në Serbi, e njëjta masë është zbatuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, rikujton kdp.mk.