E shtunë, 15 Mars, 2025

KIM JONG UN VIZITON RUSINË

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ka mbërritur të martën në Rusi, ka konfirmuar Moska zyrtare.

Media shtetërore e Koresë së Veriut publikoi foto që tregojnë se Kim mbërriti i shoqëruar nga përfaqësuesit më  të lartë të industrisë ushtarake, diplomatë dhe komandantë ushtarakë, – përcjell kdp.mk njoftimet e agjencive të lajmeve.

Kim nisi të dielën udhëtimin e tij gjatë të cilit do të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin,- njoftoi agjencia shtetërore koreano-veriore e lajmeve KCNA.

Më herët, zëdhënësi i Kremlinit, Dmytri Peskov tha se Putin dhe Kim do të diskutojnë çështjen e marrëdhënieve dypalëshe.

“”Ne do të vazhdojmë të forcojmë miqësinë tone”- citon Radio Evropa e Lirë zëdhënësin Peskov.

Pjesë e delegacionit janë ushtarakë të shquar anëtarë të partisë në pushtet, përfshirë këtu drejtorin e departamentit të industrisë së pajisjeve ushtarake, Jo Chun Ryong, kurse sipas analistëve, përbërja e delegacionit tregon se vizita do të fokusohet kryesisht në bashkëpunimin në industrinë ushtarake dhe çështjet e sigurisë.

Fotografitë e publikuara nga media shtetërore tregojnë roje nderi ushtarake dhe një turmë duke valëvitur lule dhe flamuj ndërsa Kim hipi në trenin  i cili besohet të jetë i blinduar dhe ka pajisje të tjera të specializuara.

Si Moska ashtu edhe Pheniani përgënjeshtruan  akuzat e mëparshme amerikane se kanë lidhur marrëveshje armësh, por të dyja vendet konfirmuan se do të forcojnë lidhjet e mbrojtjes.

Në fakt, zyrtarët amerikanë, të cilët ishin të parët që folën për mundësinë e kësaj vizite, besojnë se një nga temat e bisedës do të jetë me siguri marrëveshja me të cilën Koreja e Veriut do t”i livrojë Rusisë armë për luftën në Ukrainë. Gjithë kjo, transmeton kdp.mk, si përpjekje për të zgjeruar bashkëpunimin mes tyre dhe thellojnë mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara.

Sipas zyrtarëve amerikanë, zoti Putin mund të përqëndrohej në takim tek sigurimi i furnizimeve të mëtejshme nga Koreja e Veriut me predha artilerie dhe municione të tjera, për të plotësuar rezervat që po përdoren me shpejtësi për të zmbrapsur kundërofensivën e Ukrainës, duke demonstruar kështu edhe se është në gjendje të përballojë një luftë të zgjatur me synim degradimin e kapaciteteve të kundërshtarit. Kjo do të shtonte trysninë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve që të orientohen drejt negociatave, ndërkohë që po shtohen shqetësimet për një konflikt të zgjatur, megjithëse kanë bërë tashmë dërgesa të shumta armatimesh moderne për Ukrainën gjatë 17 muajve të fundit.

Ka gjasa që Koreja e Veriut të ketë dhjetëra miliona predha artilerie dhe raketa të llojit sovjetik, të cilat mund t’i jepnin një ndihmë të madhe ushtrisë ruse, thonë analistët.

Në këmbim, zoti Kim mund të kërkojë furnizim me energji dhe ndihma ushqimore, si dhe armatime me teknologji të avancuar, si p.sh. në lidhje me raketat balistike ndërkontinentale, nëndetëset me raketa dhe satelitët e zbulimit ushtarak, thonë analistët.

Ekzistojnë shqetësime se një transferim i mundshëm i teknologjisë ruse mund të shtojë rrezikun që paraqet arsenali në rritje i armëve bërthamore koreanoveriore dhe raketave të projektuara për të goditur Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Pas një marrëdhënieje të komplikuar prej dekadash, Rusia dhe Koreja e Veriut janë afruar që kur Moska filloi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Ndërsa ka shfrytëzuar shpërqëndrimin e krijuar nga konflikti në Ukrainë për të përshpejtuar prodhimin e armëve, Koreja e Veriut ka fajësuar vazhdimisht Uashingtonin për krizën në Ukrainë, duke pretenduar se “politikat hegjemoniste” të Perëndimit justifikuan sulmin e Rusisë në Ukrainë, si një mënyrë vetëmbrojtjeje.

Koreja e Veriut është i vetmi vend, krahas Rusisë dhe Sirisë, që njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe ka sinjalizuar se mund të dërgojë punëtorë ndërtimi për të ndihmuar në rindërtimin e tyre.

Jon Finer, zëvendës këshilltar i Presidentit Biden për sigurinë kombëtare, u tha gazetarëve të dielën se blerja e armëve nga Koreja e Veriut “mund të jetë opsioni më i mirë, dhe i vetmi” për Moskën, ndërsa ajo përpiqet të vazhdojë luftën,- njofton Zëri i Amerikës.

 

Të fundit