E mërkurë, 19 Mars, 2025

OSMANI NË SPANJË: KOSOVA E SERBIA TË MERREN VESH

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, po qëndron në një vizitë pune në Spanjë, ku merr pjesë në forumin e përvitshëm me temën “Quo vadis Europe”. Gjatë fjalëssë tij, ai është pyetur edhe për kontestin mes Serbisë e Kosovës, për të cilin ka thënë se dy palët duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët në përputhje me realitetin e krijuar, përcjell KDP.

“Kosova është një vend i pavarur, një demokraci e gjallë që në 15 vjet të ekzistencës së saj e ka kaluar testin e demokracisë dhe e ka dëshmuar veten si një partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut e ka njohur Kosovën dhe zhvillojmë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me të.”, tha Osmani.

Ai tha se është krenar që Përfaqësuesi i Lartë, Borrell vendosi që bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës të zhvillohen në Maqedoninë e Veriut, në Ohër.

“Mendoj se ishte një aktivitet i suksesshëm për të dyja palët. Dhe ne thjesht i bëjmë apel Serbisë dhe Kosovës që të vazhdojnë me zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila në thelb e ka njohjen reciproke”, tha Osmani.

Kjo, sipas tij, është e vetmja rrugë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për ta vazhduar udhëtimin e tyre drejt integrimit në BE.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në forumin që po mbahet në Spanjë nën kujdestarinë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borell, ka realizuar edhe një varg takimesh dypalëshe me personalitete të shquara ndërkombëtare, të pranishme në këtë tubim.

 

 

Të fundit