Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit analistë dhe njohës të rrethanave edhe njëherë kanë reaguar për moszbatimin e shumë pjesëve të saj, ndërkohë që kanë theksuar se secili përvjetor nxjerrë tema të reja nga pluhuri i harresës. Ndërkohë, një pjesë tjetër e analistëve theksojnë se ata që shprehen kundër kësaj marrëveshje“ kanë vullnet për të përçarë”
Shkruan: Gentuar Ismaili
Përkundër faktit se kanë kaluar 22 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes paqësore të Ohrit, ende në opinion ka mospajtime sa i përket zbatimit të së njëjtës. Njohësit e rrethanave politike në vend thonë se shumë pak nga nenet e kësaj marrëveshjeje janë zbatuar.
Gazetari Ismail Sinani ka ironizuar me pushtetarët “duke i uruar këtë përvjetor”.
“22 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mbi 200 mijë shqiptarë më pak në Maqedoni të Veriut, 22 vjet pas, shumë universitete e shkolla e shumë pak dije, 22 vjet pas, thuajse çdo muaj nga një vrasje, 22 vjet pas, hapet konkursi i policisë, nuk ka të rinj dhe të reja për të konkurruar, 22 vjet pas, rroga në administratë, arsim e polici 450 euro, 22 vjet pas, përplot milionera në mesin e “partiashëve” që kanë qenë dhe janë në pushtet këto 21 vjet. Urime! Urime! Urime!”, është shprehur gazetari Sinani.
Ndërkaq, gazetari Naser Pajaziti thotë se çdo përvjetor nxjerrë tema të stërkapura nga pluhuri.
“Si gjithmonë përvjetorët nxjerrin nga thesi i shqyer edhe shumë tema të stërkapura nga pluhuri sikur: moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, drejtësia selektive dhe rastet e montuara, decentralizimi fiskal e zhvillimi i pabarabartë, por edhe shumë problematika të tjera që janë alarmuar nga partitë politike, institucionet joqeveritare dhe ato ndërkombëtare”, u shpreh gazetari Pajaziti.
Por, ka të tjerë që i kritikojnë ata që mendojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar.
“Ju që jeni të pa kënaqur me Marrëveshjen e Ohrit përpiquni të bëni një tjetër! As mendja nuk ju shkon sepse nuk keni as dije, as guxim, as strategji! Keni veç një, vullnet për të përça, sepse udhëhiqeni nga motoja ‘më mirë i pari i fshatit se i fundit i qytetit’”, ka shkruar Blerim Hyseni.
Përndryshe, më 13 gusht 2001 u nënshkrua Marrëveshja paqësore e Ohrit në prani të ndërmjetësueseve ndërkombëtarë dhe politikanëve të kohës. Kësaj marrëveshje i parapriu konflikti i armatosur i vitit 2001, ndërmjet forcave ushtarake maqedonas dhe UÇK-së. Ky konflikt pati shumë viktima civile dhe dëshmorë të lirisë, pati shumë dëme materiale, njerëzit humbën më të dashurit e tyre dhe gjithë mundin e shumë viteve punë.