E enjte, 16 Maj, 2024

BASHKIMI I OPOZITËS: “E TRETA E VËRTETA”, APO EDHE NJË TENTIM I DËSHTUAR?

Pas mesditën e së hënës, në ambientet e Kuvendit të RMV-së, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi i Alternativës, si dhe Izet Mexhiti nga Lëvizja e Re, zhvilluan takimin e tyre të përbashkët me qëllim të bashkëpunimit dhe krijimit të një fronti të përbashkët politik. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njoftoi se hapat e ardhshëm për bashkëpunim do të shpallen shumë shpejt. Ndërsa Afrim Gashi i Alternativës shtoi se blloku opozitar do të dalë në zgjedhjet e ardhshme me një ofertë dhe program parazgjedhor të përbashkët. Izet Mexhiti nga Lëvizja e Re konfirmoi angazhimin e fuqishëm për unifikimin e Fronit Opozitar. Pas diskutimeve konstruktive, tre liderët politik paralajmëruar krijimin e një “blloku opozitar” të bashkuar. Komentuesit e çështjeve politike janë të ndarë rreth krijimit të frontit opozitar. Politologu Xhenur Iseni vlerëson se kjo koalicion mund të paraqesë një kërcënim serioz për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe thotë se opozita nuk duhet të humbasë mundësinë për të konkurruar me ta. Ndërsa  gazetari dhe komentuesi politik Destan Jonuzi shpreh dyshime ndaj qëllimeve dhe planeve të këtij blloku opozitar.

Shkruan: Enis Shaqiri

Bilall Kasami i BESA-s, Afrim Gashi i Alternativës dhe Izet Mexhiti i partisë në formim kanë filluar edhe zyrtarisht procesin e bashkimit të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por, optimizmi që u dërgua nga takimi i parë i përbashkët u la nën hije shkaku i reagimit të funksionarëve të lartë të BESA-s, që publikisht u distancuan nga “fronti opozitar”.

TRONDITJE NË BESA

Kasami nuk ka komentuar zërat kundër brenda partisë së tij. Ai ka bërë të ditur se në këtë takim, i mbajtur të hënën pasdite në Shkup, është diskutuar për bashkëpunimin e opozitës në krijimin e frontit të përbashkët politik. Ai mes tjerash ka shtuar se hapat e ardhshëm për bashkëpunimin frytdhënës do të shpallen së shpejti.  “Sot, kemi realizuar një takim të përbashkët dhe tepër konstruktiv me Izet Mexhitin, që vepron në kuadër të lëvizjes së re dhe me liderin e Alternativës, Afrim Gashi. Kemi diskutuar mbi idenë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit rreth krijimit të frontit të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare. Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive kemi diskutuar mbi hapat e ardhshëm për një bashkëpunim frytdhënës në skenën politike shqiptare. Detajet tjera mbi këtë bashkëpunim do të shpalohen në ditët në vijim”, ka shkruar Kasami në profilin e tij në Facebook.

Por, kështu nuk mendon zv/kryetari i partisë Arjanit Hoxha. Përmes një postimi ka bërë të ditur se distancohet plotësisht nga veprimet politike të “bllokut opozitar”. “Të dashur aktivistë, mbështetës, simpatizantë dhe gjithë ju që në këto vite keni qenë bashkëudhëtarë në rrugëtimin tonë politik. Më lejoni që përmes këtij postimi t’ju njoftoj se nga sot distancohem plotësisht nga veprimet politike në të ashtuquajturin “bllok opozitar” duke vlerësuar se aktorët kryesor, bartës të kësaj nisme nuk kanë për qëllim rotacionin politik, por thjesht “lavazhin” e figurave politike të cilët jo shumë larg nga sot ishin pikërisht aktorë për mbajtjen gjallë të qeverisjes aktuale dhe parandaluan rotacionin në kampin politik shqiptar. Për detajet rreth bindjeve politike dhe njerëzve të cilët ndajnë mendimin e njëjtë politik me mua do të ju njoftojmë përmes paraqitjes publike gjatë kësaj jave”, është shprehur ai.

Hoxha nuk është i vetëm. Atij i bashkohet edhe deputeti Bastri Bajrami dhe kryetari i degës së BESA-s në Çair, Valon Bela. Bajrami në një prononcim për TV21 ka bërë të ditur se do të veprojë bashkërisht me Arjanit Hoxhën,  “Ndaj të njëjtin mendim me Arjanit Hoxhën, këto dite do kemi paraqitje publike për të elaboruar qëndrimin tonë politik”, ka thënë Bajrami. Bela, ndërkaq, ka shpërndarë në Facebook qëndrimin e postuar të Hoxhës.

IDEOLOGJIA E “BLLOKUT OPOZITAR”

Kreu i Alternativës, Afrim Gashi, duke shpalosur detaje të marrëveshjes, tha se si bllok opozitar do të dalin bashkë në zgjedhjet e ardhshme, me një ofertë dhe program parazgjedhor. “Mes tjerash, diskutuam edhe për përgatitjen e një drafti të një oferte që më tej do të zgjerohet në program parazgjedhor. Orteku tashmë ka filluar. Përmbysja e këtij pushteti është në horizont. Në zgjedhjet e reja, qeveri e re”, shkroi Gashi.

Izet Mexhiti nga Levizja e Re Politike, pas takimit konfirmoi angazhimin e fuqishëm për unifikimin e Fronit Opozitar. “Të nderuar qytetarë, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, Ashtu siç kemi deklaruar edhe më herët, do të angazhohemi fuqishëm për të unifikuar zërin opozitar në vend. Në këtë drejtim ishte edhe takimi i sotshëm me z. Kasamin dhe z. Gashin në Kuvendin e RMV-së, ku diskutuam rreth parimeve të bashkëpunimit tonë. Rrugëtimi ynë i sinqertë vazhdon”, ka shkruar Mexhiti në profilin e tij.

SA DEPUTETË MUND TË ARRIJË KOALICIONI I RI?

Komentuesit e çështjeve politike janë të ndarë sa i përket krijimit të frontit opozitar.  Politologu Xhenur Iseni është i mendimit se ky bashkëpunim opozitar paraqet një rrezik të vërtetë për Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Iseni në një prononcim për KDP.MK thekson se është e rëndësishme që opozita të mos e lëshojë këtë mundësi për të konkurruar me BDI-në, e cila, siç thotë ai, tanimë ndodhet edhe në një pozitë të vështirë me SHBA-të.

Mendoj se nga ky bashkëpunim për së pari herë ndjehet e rrezikuar BDI e Ali Ahmetit, duke pasur parasysh strukturën e fort të Mexhitit në Çair, por edhe te Alternativës në këtë Komunë. Të mos flasim edhe për ndikimin e Lëvizjes BESA në njësinë e gjashtë zgjedhore. Opozita nuk duhet ta lëshon këtë mundësi që vërtetë ti konkurron BDI-së që është në një pozitë të palakmueshme edhe me SHBA-të, përkatësisht listën e zezë ku funksionar i lartë i kësaj partie si Ramiz Merko u shpall non grata”, thekson Iseni.

Nga ana tjetër, gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike Destan Jonuzi, thotë se “i ashtuquajturi “bllok opozitar” nuk ka për synim ndonjë objektiv të madh programor”, por siç thotë ai, “vetëm të shpëtoi karriera politike të disa individëve dhe grupeve të interesit”. Jonuzi në një prononcim për KDP.MK, thotë se nga ky format opozitar, përveç argumenteve se duan të dërgojnë BDI-në në opozitë, nuk kemi dëgjuar edhe diçka konkrete.

Përveç argumentit se duan të dërgojnë BDI-në në opozitë, nuk kemi dëgjuar diçka konkrete nga ky grup, cila është alternativa e tyre ndaj BDI-së që duan me ngulmë të rrëzojnë. BDI angazhohet fuqishëm për ndryshimet kushtetuese, dhe me këtë edhe për fillimin e negociatave me BE-në. Cila është alternativa që ofron blloku opozitar? BDI angazhohet për veting, cila është alternativa e bllokut opozitar?  Thonë se BDI nuk qeverisë mirë, por nuk na tregojnë se si ato do e bëjnë më mirë? Nëse futesh në një betejë politike për të bërë më shumë se dikush, në këtë rast se BDI duhet të tregosh se cilat janë politikat dhe projektet. Në rastin konkret nuk ka asgjë nga konkretja. Pra nga këtu jam skeptikë se mund të ketë ndonjë sukses ky grupim politik”, thekson Jonuzi.

Ai mes tjerash shton se brenda këtij fronti opozitar, pakënaqësitë sapo kanë filluar të shfaqen.

Blerim Bexheti, Nevzat Bejta, Musa Xhaferi, Arijanit Hoxha, Valon Bela… Po e njëjta sitiuatë e pret edhe Alternativën. Deputeti Skender Rexhepi publikisht ka shprehur mospajtimet e tij, ndërsa edhe degë të caktuar refuzojnë :bllokun” e Afrim Gashit Me Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin. Me gjithë këtë polarizim politik, rezultati do të jetë dëshprues për “rebelët” të cilët nuk e dëgjojnë “babën”. Madje disa prej tyre, e kanë mirë të njohur proverbën se “djali para babës nuk del”, thotë Jonuzi.

Ky është tentimi i tretë me radhë i unifikimit të opozitës shqiptare në prag të zgjedhjeve parlamentare, që kanë të njëjtin qëllim – të dërgojnë BDI-në në opozitë. I pari ishte në vitin 2011, kur PDSH dhe RDK tentuan të bëhen bashkë me qëllim të fitores në zgjedhje. Tentimi i dytë erdhi në vitin 2016, kur Ziadin Sela i LR-PDSH-së, Vesel Memedi i RDK-së dhe Gëzim Ostreni i UNITETI-t u bënë bashkë për të fituar zgjedhjet parlamentare. A do të jetë kjo ngjeshje e opozitës “e treta, e vërteta”, do të tregojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të parapara të mbahen në shtator të vitit 2024.

 

 

Të fundit