E enjte, 25 Prill, 2024

HESAPI I SHTËPISË S’DEL NË PAZAR (NDËRKOMBËTAR)

Shkruan: Denko Maleski

Udhëheqja e partisë së nacionalistëve maqedonas nuk është në gjendje të mësojë disa nga leksionet themelore të demokracisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për demokracinë. Nuk ka “të majtë apo të djathtë, pro-evropiane apo prolindore”, por “vetëm një Maqedoni”, thotë lideri i saj. Nëse dikush do të thoshte se nuk ka “të majtë apo të djathtë”, por vetëm një Francë, Amerikë, Angli, Suedi apo ndonjë vend demokratik, njerëzit atje do të mbanin kokën me me dorë. Sepse aty ku nuk ka “të majtë e të djathtë” dhe të gjitha këto, nuk ka demokraci. Në vendin tonë, megjithatë, përdoret fjala “magjike” “Maqedoni”. Në fakt, këto fjalë janë thjesht një përpjekje e lehtë për të zëvendësuar komunizmin, i cili kishte monopolin ideologjik të së vërtetës, me nacionalizmin, i cili pretendon monopolin e “të vërtetës kombëtare për interesin e shtetit”. Partia VMRO-DPMNE nuk mund ta kuptojë se është vetëm njëra nga partitë e shumta në vend që artikulon interesat e ndryshme të shoqërisë sonë. Që këtej vjen mospajtimi me faktin se, si në çdo demokraci tjetër, ka parti të majta dhe të djathta, nacionaliste dhe liberale, madje edhe pro-evropiane dhe prolindore. Besimi se vetëm një parti përcakton dhe mbron interesin kombëtar të shtetit është nxjerrë nga historia për fitoret elektorale sot. Ajo simbolizohet nga një mit që mbështetet në katër germa – VMRO, edhe pse faktet historike tregojnë një histori të ndërlikuar për këtë organizatë.

Pavarësisht thirrjes së aleatëve perëndimorë nga NATO dhe BE drejtuar partisë së nacionalistëve maqedonas që të votojnë për ndryshimet kushtetuese, lideri i tyre i thotë opinionit vendas se “nuk ka ofertë për një anije në të cilën duhet të hipim për në BE”. Por, në fakt, ka një ofertë dhe një anije. Senatori Murphy, i cili erdhi në Shkup për të përcjellë qëndrimin e Amerikës, na tha këtë qartazi, më qartë se kjo s’ka. Oferta, nga ana tjetër, janë pikërisht thirrjet e tilla publike nga aleatët tanë, dhe anija është parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Nëse siguron numrin e kërkuar prej 80 deputetësh, vendi do të vazhdojë të ecë drejt BE-së, nëse jo, anija do të qëndrojë e ankoruar në portin tonë. Ashtu si gjithë këto tridhjetë vjet pavarësi, edhe opinioni është i hutuar nga pretendimi se të gjitha partitë, përfshirë VMRO-DPMNE-në, janë për Maqedoninë në BE. Në një debat televiziv, përgjigja e kundërshtarit politik se ishte vetëm “verbale” u prit me një përgjigje të shpejtë: “Sigurisht që është verbale, si ndryshe të shprehet një qëndrim?”. Epo, ka një mënyrë tjetër që të shprehet një qëndrim: me veprim. Nëse punoni kundër Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Traktatit të Miqësisë, ju jeni verbalisht “për”, por në realitet jeni “kundër” NATO-s dhe BE-së, të cilat qëndrojnë pas gjithë atyre marrëveshjeve. Amerika madje ka kërcënuar me listën e zezë individët që punojnë kundër këtyre marrëveshjeve.

Rreth marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këto rrethana ndërkombëtare, kur BE-ja dhe Amerika janë në “luftë” me Rusinë, partia e nacionalistëve maqedonas nuk duhet “të shtyjë fatin shumë larg”. Situata komode që ka opozita nuk vjen vetëm si rezultat i mungesës së përgjegjësisë së brendshme për drejtimin e shtetit në kushte jashtëzakonisht të vështira, por edhe faktit që ushtrohet presion ndërkombëtar ndaj qeverisë dhe apele ndërkombëtare për opozitën. Por mesazhi është i njëjtë si për qeverinë ashtu edhe për opozitën: mos ankoroni anijen por lundroni drejt BE-së. Domethënë, kohët e trazuara janë të mundshme, ndaj është mirë që sa më shpejt të strehoheni me aleatët tuaj evropianë. Prandaj, nga këndvështrimi i marrëdhënieve të vendit tonë me aleatët, një fitore elektorale me parulla dhe veprime kundër vazhdimit të lundrimit të anijes maqedonase drejt BE-së është një “fitore e Pirros” për VMRO-DPMNE-në. Domethënë, është politikë shtetërore që nuk shkon mirë me aleatët. Dhe, pa mbështetjen e tyre, Maqedonia është një lëvozhgë arreje në një oqean të trazuar. Fatkeqësisht, mendoj se paralajmërimi i senatorit McCarthy vjen shumë vonë. E përfshirë në garën për pushtet, partia e nacionalistëve maqedonas nuk mendon se çfarë të bëjë pasi të fitojë pushtetin. Si do të zbatohen politika që nuk kanë mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së dhe e çojnë vendin në konflikt me aleatët. Për këtë do të bindet së shpejti kryetari i kësaj partie, përfaqësues i inteligjencës teknike, i cili nuk ka njohuri për demokracinë dhe politikën ndërkombëtare dhe nuk ka këshilltarë që do të ndikonin tek ai që të ndryshojë pikëpamjet e tij në dritën e fakteve të reja ndërkombëtare. Sepse, në momentin që do të merrte përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit maqedonas me një politikë që nuk e ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, do të pendohej.

Dalje? Pas paralajmërimeve kaq serioze të SHBA-së dhe BE-së, mendoj se e vetmja rrugëdalje reale për vendin është që opozita të hyjë në një dialog serioz me qeverinë në mbështetje të “propozimit francez”. Çfarë argumenti do t’i paraqiste opozita popullit në një rast të tillë? Argumentin se partia nuk mund të shkojë kundër aleatëve tanë dhe nuk dëshiron ta vërë vendin në konfrontim me ta. VMRO-DPMNE duhet t’u thotë votuesve sinqerisht dhe hapur se hesapi shtëpisë nuk del në pazarin (ndërkombëtar). Kjo duhet nërë tani, e jo pasi shteti ta ketë paguar çmimin e vonesës apo kur gjithçka do të bëhet e qartë.

Të fundit