E diel, 12 Maj, 2024

KOSOVË: KOMANDANTI I KFOR-IT I KËRKON LIDERIT SERB TË SHPËRNDAJË TURMËN NË ZVEÇAN

Në Kosovë, qytetarë serbë  edhe këtë të hënë janë grumbulluar para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku më 26 maj Policia e Kosovës hyri me forcë për të instaluar kryetarët e rinj shqiptarë. Qëllimi iI tubimit ishte pengimi i kryetarëve që të hyjnë në zyrat e veta.

Sikurse njofton koha.net, policia e Kosovës njoftoi se po e menaxhon situatën e krijuar nga protestat e serbëve në veri, ndërsa tha se protestuesit kanë shfaqur dhunë. Në një njoftim për media, Policia e Kosovës tha se në Leposaviq, Zbin Potok dhe në Zveçan, po zhvillohen protesta të serbëve lokalë, ndërkohë që në Zveçan ka pasur përpjekje për kalimin e kordonit të sigurisë për të hyrë me forcë në objektin e komunës, – përcjell kdp.mk.

Dy krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Sllavko Simiq kanë shtruar dy kërkesa për largimin e protestuesve nga objekti i Komunës së Zveçanit, ku janë mbledhur për të protestuar.

“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit,” – tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, duke folur nga Zveçani.

Nga ana tjetër, komandanti i KFOR-it ka njoftuar se një kordon i kësaj force po qëndron në këtë zonë, teksa ka paralajmëruar se nëse protestuesit nuk largohen do të ketë edhe të shtëna.

Një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut.

Janë vendosur edhe rrethoja me tela përgjatë perimetrit të objekteve të komunave.

Përfaqësuesit e Listës Serbe biseduan me pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ata u kërkuan ta lirojnë Komunën e Leposaviqit në mënyrë që “punonjësit të kthehen në komuna”.

Në Zubin-Potok shtatë autoblinda të KFOR-it kanë ardhur para objektit të Komunës. Disa pjesëtarë të KFOR-it janë futur brenda objektit.

E Policia e Kosovës raportohet se ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të turmës së grumbulluar para Komunës së Zveçanit.

Kryeministri Kurti bisedon me Josep Borrellin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi në orët e mesnatës se ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ai shkroi në Twitter se kanë biseduar me çështjet aktuale, përfshirë edhe procesin paszgjedhor në komunat veriore. Sipas Kurtit, kryetarët e zgjedhur në veri “do të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët”.

“Është e rëndësishme të intensifikohet dialogu për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore”,- ka shkruar kryeministri Kosovar.

Reagimet e Beogradit

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se detyrë e KFOR-it është “t’i pamundësojë aktet e njëanshme të Prishtinës”, e “jo t’i pengojë punonjësit të hyjnë në ndërtesat [komunale]”.

“Tani po i ruajnë kryetarët me pretekstin e ruajtjes së paqes. Duket se po i ruajnë nga pronarët e objekteve, serbët, nga ata që punojnë atje, që janë të punësuar atje. Nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe, ku serbët nuk i kanë zgjedhur”, – tha Daçiq për Radio-Televizionin e Serbisë. Ai shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.

Thirrje e ndërkombëtarëve

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, në Kosovë, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Italia dhe  Mbretëria e Bashkuar i janë drejtuar me një thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Paralajmërimi, njofton, DW, është i qartë:

Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e QUINT-it dhe Bashkimit Evropian. QUINT dënon vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Në këtë kontekst, QUINT dhe Bashkimi Evropian presin që autoritetet e qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.”

Deklarata e përbashkët, po ashtu, thekson se “kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të tyre”, – nënvizohet në reagimin e QUINT-it në të cilin njëherësh palët e implikuara paralajmërohen fuqimisht që të mos ndërmarrin “kërcënime ose veprime të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.

 

Të fundit