E shtunë, 20 Prill, 2024

SIMFONI METAFORASH TË TRISHTA

Xhevdet Bajraj “Kur engjëjt qajnë”

Botues, Brezi 9-Tetovë

Dhe gjersa udhëtimi i tij krijues vazhdon “ mbi valë pasthirrmash/ të derdhura detit të kohës”, sakaq, “ nga dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”, siç këndon Danteja, krijuesi anohet të dëgjojë këngën e mjellmës dhe të gjejë diellin e qiellit të tij, për të na dhuruar sakaq perlat e lirikës erotike që hapin një qiell tjetër para nesh brenda flakës së skëterrshme të dhembjes. Në “ Kënga e këngëve” thuhet se “ e fortë si vdekja është dashuria”, dhe pikërisht përmes ndjeshmërisë së këtij poli tjetër, me “ Kënga e Mjellmës” autori krijon “ këngën e këngëve” që vjen si ngushëllim, si ngjyresë që plotëson këngëtimin e tij, duke na lënë  hi në duar shpirtin e tij, i cili tundohet “ gjer në jetën ku jeton jeta shqiptare”

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Në kohën kur poezia është degraduar me prurje  triviale, me këngëtime tashmë të ngime nga poet  pararendës të papërsëritshëm në vokacionin e tyre krijues, këngëtimi që sjell Xhevdet Bajraj me vëllimin poetik “Kur engjëjt qajnë” na rikthen edhe njëherë tek poezia, tek fjala për të treguar se mund të shkruhet edhe ndryshe.

Me të hapur këtë libër, ndjenjat tona njerëzore drejtohen plot spontanitet në thellësitë atdheut- zemër. Përnjëherësh ngjet të rrëmbehemi nga oshëtima e shpirtit krijues, e fjalëve që pikturojnë  nëpër faqet e këtij libri golgotën shqiptare, që vjen e  freskët në ndërgjegjen tonë me ngjyrën dhe shijen e gjakut.

Lirikat që sjell në këtë libër krijuesi Xhevdet Bajraj  pikturojnë me penelin e zemrës pamjet e skëterrshme që autori arrin  t’i shkul nga përjetimi personal dhe kolektiv përmes një gjuhe bollshëm të figurshme. Gjatë këtij leximi, gjatë pjesëmarrjes në vlimin krijues të autorit, s’ke si të mos pajtohesh me vargjet e Ezra Paundit “Vonë, tepër vonë të takova trishtim”. Përmes poetikës brilante, të ngjizur në thellësitë ku jeta me vdekjen përqafohen pandërprerë, krijuesi Xhevdet Bajraj na shkëput nga kafazi i argjendtë i së tashmes për të na futur me forcën e tij  krijuese në ndjeshmërinë më sublime të jetës, në rrathët e ferrit njerëzor prej nga ai merr brumin, ngjyrën dhe tonin e poezisë së tij.

Poezitë e këtij libri si një zemër e vrarë dhe e përgjumur rënkojnë dhimbshëm që të kumtojnë para ndërgjegjes njerëzore ëndrrën e përgjakur, pulsimin  e mjerë të jetës që rend të shpëtojë nga rrufitja e lopës që kërkon ta kullotë.

“Me këpucë nga lëkura jonë/ Trishtimi ecën rrugëve të qytetit”, ky është paralajmërimi i trishtë që do të përcjellë këtë këngëtim fund e krye si një metaforë e ngritur për puqjen e jetës dhe të vdekjes. Mbi këtë  teh vdekjeprurës, ku “ Majmunët i kanë shkundur frytet/ nga druri i ëndrrës”, autori i revoltuar deri në  pikëllim klith dhimbshëm “zorrëve të elitës politike/ majmen skrajat”.

Kredoja e poetit nuk është pika e mbërritjes, por e kundërta, pika e nisjes për udhëtime metafizike, thotë J.Brodski, dhe pikërisht këtë bën edhe XH. Bajraj, duke futur në lojë tërë forcën jetësore sensuale për të portretizuar denjësisht atdheun-zemër të vrarë. Në kohën kur “ Dita ballkanike i jep gji bishës” dhe kur “ Jeta si qen kruhet/ Kur sheh njeriun rrugëve/  Tek ecë dëgjueshëm / Pas fatit të vet”, autori ndjek një impuls jetik duke transponuar këtë mynxyrë në fjalë, metafora që rrëqethin me thellësinë e dhimbjes. “Deri sa liria si nuse pret/ ta zbret dikush/ nga kali i vdekjes” në këtë intermexo fatale “ Njerëzit ledhatojnë dhimbjet e tyre/ në bregun e lumit të jetës”.

Duke stigmatizuar turpin njerëzor deri sa “Brenda mureve të tejdukshëm të ëndrrës/ Dielli kalbet/ Si zemra e kurvës”, sytë e vagëlluar të poetit kapin pamjet makabre të çmendisë  njerëzore, autofrigoriferët që  “bartën më dashurit tonë/ të ngrirë nga vdekja”. Mu si L. Poradeci që besonte se “ Toka është vendi ku shtrihet përjetësia”, edhe Xh. Bajraj do të shtrijë përjetësinë e vet në tokën e përgjakur të Kosovës, duke shpërfaqur para ndërgjegjes kolektive “klithmat e atyre që i varrosëm në zemrat tona; varret e vockla të fëmijëve që ikën në parajsë me nga një grusht plumba në gjoks; jetën e zbehur si fotografi e vjetër; hapat e rëndë të jetës…”.

Tabloja e golgotës shqiptare, e portretizuar përmes ironisë të skajshme, kulminon me poezinë “Gjellë shqiptare”, e cila dendëson brenda vetes skëterrën njerëzore. Këtu duket se përfundon emfaza krijuese e mbështjellë me tisin e jetë-vdekjes. Dhe gjersa udhëtimi i tij krijues vazhdon “ mbi valë pasthirrmash/ të derdhura detit të kohës”, sakaq, “ nga dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”, siç këndon Danteja, krijuesi anohet të dëgjojë këngën e mjellmës dhe të gjejë diellin e qiellit të tij, për të na dhuruar sakaq perlat e lirikës erotike që hapin një qiell tjetër para nesh brenda flakës së skëterrshme të dhembjes.

Në “ Kënga e këngëve” thuhet se “ e fortë si vdekja është dashuria”, dhe pikërisht përmes ndjeshmërisë  së këtij poli tjetër, me “ Kënga e Mjellmës” autori krijon “ këngën e këngëve” që vjen si ngushëllim, si ngjyresë që plotëson këngëtimin e tij, duke na lënë  hi në duar shpirtin e tij, i cili tundohet “ gjer në jetën ku jeton jeta shqiptare”.

(Shkrimi fillimisht është botuar në të përditshmen “FAKTI”)

Të fundit